Andej-Këtej

Lufta në Ukrainë në një rutinë të re - Nga Dritan Goxhaj

Duke nisur që nga data 10 tetor, lufta në Ukrainë ka hyrë në një fazë të re, me forcat ukrainase të cilat kanë dështuar tashmë me ofensivën e tyre të nisur në fillim të shtatorit dhe që ka ngecur në vend, ndërkohë që forcat ruse po forcojnë pozicionet e tyre mbrojtëse dhe në disa pika strategjike në frontin Lindor po ndërmarrin edhe ofensiva kundër forcave ukrainase.

Këtë të hënë që lamë pas, rusët ndërrmorën sulmin më masiv  që prej fillimit të kësaj lufte, me armë të precizionit të lartë me bazë ajrore dhe detare  kundër objektivave ukrainase që kontrollojnë sistemet e komunikimit dhe të energjisë, në të gjithë vendin, duke arritur të ndërpresin  për ca kohë operacionet logjistike të forcave ukrainase.

Me gjithë këtë sulm, që nga data 10 tetor tashmë rusët kanë arritur që të shkatërrojnë 50% të gjithë kapacitetit energjitik të Ukrainës, kjo sipas deklaratës së Presidentit ukrainas në datë 29 tetor.

Këto sulme me armë të precizionit të lartë tashmë kanë shuar edhe zërat që mbizotëronin pothuajse që nga fillimi i kësaj lufte, kryesisht në shtypin perëndimor, ku në mars thuhej se në prill rusëve iu mbarojnë raketat, pastaj thuhej se do iu mbarojnë në qershor e pastaj në gusht.

Dhe pastaj pasi këto sulme masive filluan pothuajse të përditshme në tetor, thuhej se në fund të tetorit ato iu kanë mbaruar. Por të gjithë këta zëra për hir të së vërtetës i përkasin analizave të analistëve civilë dhe asnjë nuk i është referuar asnjëherë të dhënave të Pentagonit për këtë temë.

Me datë 23 Shkurt të këtij viti, një ditë para se të fillonte ky konflikt, Pentagoni publikoi se Forcat Ruse në arsenalin e tyre posedojnë 900 raketa të tipit Iskander, 500 raketa kalibri detare dhe 450 raketa të tipit Cruiz (Kh-101, Kh-555).

Ndërsa me date 12 Tetor, dy ditë pas sulmit të parë masiv me armë precizioni (raketa), Pentagoni deklaron se “që nga fillimi i operacioneve ushtarake në Ukrainë, Forcat Ruse kanë harxhuar 660 raketa të tipeve të ndryshme, nga 1850 që kanë pasur në fillim të këtij operacioni, pa marrë parasysh këtu numrin e raketave të prodhuara gjatë këtyre 8 muajve”.

Kjo do të thotë se rusët deri më tashti për këto 8 muaj luftime kanë harxhuar vetëm 30% të kapacitetit të tyre raketor që Pentagoni ka llogaritur në fillim të kësaj lufte. 

Si duket kjo iu ka shpëtuar qëllimisht “analistëve” perendimorë, ashtu siç iu ka shpëtuar edhe një deklaratë e Putinit bërë në fillim të vitit 2018 para Parlamentit Rus, ku deklaronte se Forcat e Armatosura Ruse kanë rritur gjithë kapacitetin e tyre raketor 30 herë më shumë se ç‘ka qënë para viti 2014.

Megjithëse e gjithë kjo shifër e shpjeguar në paragrafin e mësipërm bie ndesh me deklaratën e Presidentit ukrainas me datë 24 tetor se “që nga fillimi i pushtimit, rusët kanë kryer 4500 sulme raketore mbi Ukrainë”.

Gjithë ky sulm raketor pothuajse e ka kthyer në qesharake propagandën jo reale të Perëndimit por edhe të vetë Ukrainës.

Aq qesharake është bërë kjo, saqë këtë të hënë, pas sulmeve ruse, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës deklaronte se nga 50 raketa që kishin lëshuar forcat ruse, Mbrojtja Kundërajrore Ukrainase kishte arritur të rrëzonte 44 prej tyre. Por në fund të deklaratës thuhej se rusët kishin arritur të godisnin 18 objektiva këtë ditë. Pra i bie që me një rraketë rusët të kenë goditur tre objektiva.

Kjo të kujton Luftën e Dytë Botërore, kur Stalini i çonte në front forcat e tij në raportin 1 pushkë për 3 ushtarë.

Kjo lloj deklarate na tregon edhe një herë parimin bazë të mbrojtjes ajrore i cili është: Efektiviteti i mbrojtjes ajrore përcaktohet jo nga përqindja e avionëve, raketave dhe dronëve të rrëzuara të armikut, por nga fakti nëse sulmi u zbraps dhe objektet e tentuara për t’u goditur nga armiku u mbrojtën dhe u mbuluan nga kjo mbrojtje.

Dhe në këtë rast nuk mund të bëhet fjalë për një mbrojtje ajrore efektive, pasi pjesa më e madhe e objektivave të shënjestruara nga Forcat Ruse janë goditur.  Këtë e vërteton edhe deklarata e Forcave Ruse, se nga 27 objektiva të programuar për t’u goditur, u arrit të goditeshin 22 prej tyre. Numër ky që përafrohet me shifrën 18 objektiva të goditur, që e pranon edhe Ukraina.

Le ta shohim pak sërish aktivitetin e Forcave Ajrore Ruse në një aspekt tjetër dhe në raport me operacione të tjera ushtarake të ngjashme.

Do e krahasojmë me disa operacione ajrore të kryera në konflikte të ndryshme në këtë 25 vjeçarin e fundit.

Që nga nga fillimi i këtij operacioni ushtarak, Forcat Ajrore Ruse kanë kryer rreth 42,000 fluturime ajrore, nga të cilët 34,000 janë operacione të mirëfilltë sulmues dhe vetëm 8000 janë operacione vëzhgimi dhe evakuimi trupash ose të plagosurish.

Kjo sipas një llogarie të thjeshtë rezulton se janë kryer 5250 fluturime në muaj, me një raport prej 175 fluturimesh në ditë.

1. Në konfliktin e Kosovës në 1999, forcat e NATO-s në operacionin Forcat Aleate (Allied Force), kryen 27,000 fluturime ajrore, nga të cilat 12,000 ishin operacione sulmuese, 2 operacione shpëtimi, ndërsa të tjerat operacione vëzhgimi. Gjithë këto operacione fluturimi u kryen për një periudhë 78 ditore. Po të bëjmë një llogari të thjeshtë, na rezulton se kemi pasur 10,800 fluturime në muaj, me një raport prej 346 fluturimesh në ditë.

2. Në konfliktin e Irakut në vitin 2003, forcat e kualicionit ushtarak që sulmuan Irakun kryen 41,000 fluturime ajrore, nga të cilat 24,000 u kryen vetëm nga Forcat Ajrore Amerikane dhe të gjitha këto fluturime të kryera nga amerikanët ishin operacione sulmuese. Gjithë këto fluturime u kryen për një periudhë kohore prej 21 ditësh. Me një llogari të thjeshtë na rezulton se kemi pasur 1952 fluturime në ditë.

3. Në vitin 2006 në konfliktin ndërmjet Forcave Izraelite dhe organizatës Hezbollah në Liban, Forcat Ajrore Izraelite kryen 22,300 fluturime, nga të cilat 12,000 ishin operacione sulmuese, 2500 fluturime helikopterësh për zbarkim dhe evakuim trupash e të plagosurish, ndërsa pjesa tjetër operacione ajrore vëzhgimi. Gjithë këto operacione fluturimi u kryen për një periudhë 34 ditore. Sipas llogaritjes na rezulton një raport prej 655 fluturimesh në ditë.

4. Në operacionet ushtarake që NATO ndërmori në vitin 2011 kundër Libisë, për rrëzimin e Gadafit, forcat ajrore aleate prej 19 shtetesh kryen në total 26,500 flturime ajrore, nga të cilat vetëm rreth 9000 ishin operacione ajrore sulmuese. Gjithë kjo sasi fluturimesh u krye për një periudhë kohore prej 7 muajsh. Po të bëjmë një përllogaritje edhe në këtë rast, na rezulton se janë kryer 3785 flutrime në muaj, me një raport prej 126 fluturimesh në ditë.

Nga të gjithë shëmbujt e ofruar më lart, ai që i përafrohet më së shumti këtij operacioni ajror rus mbi Ukrainë, është operacioni ajror i NATO-s mbi Libi.

Ku kemi një konflikt të gjatë, 8 muaj në Ukrainë e 7 muaj në Libi, rezulton pothuajse një numër i përafërt fluturimesh ditore. NATO 126 fluturime në ditë, ndërsa Rusët 175 në ditë.

Ashtu siç edhe shihet, në të dy rastet, si në operacionet ajrore të  NATO-s  në Libi edhe operacionet ajrore ruse në Ukrainë, ata kanë vetëm një qëllim: të mbysin dhe shkatërrojnë gjithë kapacitetin e shtetit që sulmojnë për të rezistuar në nivel ushtarak, ashtu edhe për të vazhduar të funksionojë si në planin ekonomik edhe atë social.

Kjo do të thotë se çdo fushatë ajrore, edhe kjo e rusëve në Ukrainë, i përket kryesisht  nivelit strategjik opercional edhe pse disa operacione ajrore mund të kryhen në nivel taktik për mbulim, zbarkim ose evakuim të trupave në linjën e frontit.

Niveli strategjik ka për qëllim të ndërpresë linjat e furnizimit të trupave në linjën e parë, por edhe të ndalojë lëvizjen e trupave në të gjitha drejtimet. Dhe një rritje e kapaciteteve luftarake ajrore, qoftë kjo me anë të aviacionit ose të goditjeve ajrore me armë të precizionit të lartë, është një shenjë që tregon se kjo fushatë po i paraprin një fushate të forcave tokësore.

Të gjithë shëmbujt e përmendur më lart vetëm sa na e forcojnë bidjen se fuqia ajrore e përdorur me mjeshtëri në kushtet e duhura - mund të neutralizojë, nëse jo të shkatërrojë plotësisht, një ushtri në terren.

Por ama kjo nuk e fshin asnjëher shprehjen “se është forca në terren ajo që e përcakton fatin e luftës”, që do të thotë se faktori njeri në veshjen e ushtarit është ai që do të përcaktojë rezultatin e kësaj lufte. Duke u nisur nga kjo fushatë ajrore dhe bombardimesh do të kemi përpara një luftë të gjatë. Por një luftë e gjatë dhe nën këtë presion të kësaj faze të re që ka filluar, Ukraina po kalon me shpejtësi një proçes dekonstruksioni të dhunshëm si të ekonomisë ashtu edhe të shoqërisë.

Forcat e armatosura dhe institucionet e ndryshme përgjegjëse për mbrojtjen e vendit  mund të vazhdojnë të luftojnë deri në fund me armatimin e pakët që vjen nga Perëndimi (me datë 13 tetor në një fjalim para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Presidenti ukrainas deklaronte: “Ukrainës po i jepet vetëm 10% e asaj që i duhet për të luftuar”), por, në një moment të caktuar, rezistenca e tyre do të bëhet e paqëndrueshme kur vendi nuk do të jetë më në gjendje të përballojë kostot e luftës, si ekonomikisht ashtu edhe mbi të gjitha në luftëtarë (më datë 29 shtator Presidenti ukrainas i deklaronte Parlamentit të vendit se është tejkaluar pragu u mobilizimit e për këtë arsye kërkoi shtyrjen e këtij mobilizimi deri në datë 25 nëntor).

Për fat të keq, sido që ky konflikt të përfundojë, Ukraina do të dalë totalisht e gjakosur në maksimum, e shkatërruar nga ana ekonomike, sociale dhe mbi të gjitha, me një popullsi të reduktuar shumë dhe me nivel të rritur të moshës së mesme e të tretë në raport me gjëndjen e saj para kësaj lufte. Sido që të jetë, paqja duket e largët. Edhe këtë here, ashtu siç ka ndodhur edhe herë të tjera në histori, ajo do të vendoset nga armët dhe jo nga qëllimet e mira.

©Dritan Goxhaj