Tërheqja ruse, Klauzeviçi dhe Sun Xu - Nga Dritan Goxhaj
- Published in Andej-Këtej
Nga këndvështrimi ushtarak rus, lufta në Ukrainë me abandonimin e qytetit të Kherson-it pushoi së qeni thjesht një lojë lufte, por u kthye në çështje mbijetese. Përpara këtij veprimi nga ana e rusëve, të gjithë kemi menduar ose argumentuar, ose analizuar që luftërat zhvillohen vetëm mbi bazë të strategjisë, taktikës dhe shkencave ushtarake. Por ky veprim më kujtoi atë që Toslstoi tek libri i tij “Lufta dhe Paqja”, e konsideron si “Fryma/shpirti ushtarak/e”, si një “x” e panjohur që u përfshi papritur në këtë ekuacion.
Edhe pse çdo luftë është e ndryshme nga tjetra, shpesh disa krahsime midis tyre janë të dobishme vetëm për disa aspekte të veçanta dhe kjo tërheqje e rusëve nga Kherson-i i përngjet asaj që Tolstoi përshkruan në librin e tij “Lufta dhe Paqja”, për betejën e Borodinos ku shkruan: “Angazhimi kolektiv i të gjithë atyre që u përfshinë në betejën e Borodinos, është ajo që përfundimisht arriti rezultatin përfundimtar, pavarësisht të gjitha humbjeve dhe nevojës së sakrificës për të evakuuar Moskën dhe djegur burimet e saj - për të shpëtuar ushtrinë”. D.m.th. që rusët ishin më shumë të interesuar kësaj rradhe për një fitore morale, sesa ushtarake, pasi morali thotë Napoleoni, përbën 2/3 e fitores në luftë.
Dhe pikërisht kjo tërheqje i ngjet asaj të Moskës në të cilën Gjenerali Kutuzov, nën moton e tij “Durimi dhe Koha” i lejoi ushtrisë ruse të ishte fitimtare, duke adoptuar një strategji të veçantë, duke mundësuar tërheqjen e paprekur të ushtrisë ruse, duke e vendosur atë në pozicione më të avantazhuara dhe duke e ripajisur dhe rifurnizuar atë me mjete e njerëz, duke e detyruar kundërshtarin që të largohej edhe më shumë nga linjat e tij të furnizimit, duke e ekspozuar atë në terrene të pambrojtur.
Nëse objektivi i vetëm i kësaj lufte të nisur nga Rusia do të ishte pushtimi i territorrit dhe mbajtja e tij me çdo kusht, atëherë ky veprim mund të konsiderohet si një devijim nga veprimtaria taktiko-operative, por ky nuk është i vetmi objektiv. Objektivi primar vazhdon të mbetet demilitarizimi i Ukrainës, d.m.th. shkatërrimi total i kapaciteteve të saj ushtarake dhe ushtarako-ekonomike. Objektiv ky i vendosur nga politika, vendimarrje kjo që na sjell sërish tek Klauzeviçi i cili luftën e konsideronte si një instrument politik dhe që strategu tjetër ushtarak Sun Xu edhe pse nuk i jep një përcaktim të veçantë luftës, ai e konsideron atë si një çështje jetike për shtetin. Qasja e Klauzeviçit ndaj filozofisë ushtarake është shumë e ndryshme nga ajo e Sun Xu-së dhe ky veprim operacional i rusëve në tërheqje nga Kherson-i, i parë mbi teorinë ushtrake të këtyre dy strategëve, nxjerr në pah përplasjen në këtë luftë të këtyre dy filozofive, të adoptuara nga palët në konflikt.
Klauzeviçi është i preokupuar në aplikimin masiv të forcës dhe kjo u pa qartësisht në tentativën e Ukrainës të mbështetur nga i gjithë Perëndimi, në një ofensivë të vjeshtës kundër forcave ruse të përqëndruara në rajonin e Kherson-it. Klauzeviçi e vë theksin në gjetjen e pikës kritike, ose të qëndrës së gravitetit në një kohë kritike, nga e cila sipas tij mund të varet fati i konfliktit. Bazuar mbi këtë teori, Ukraina e tentoi ofensivën e saj duke menduar se pika kritike e rusëve ishte Kherson-i, pasi deri diku ajo nuk ishte e gabuar, kjo për shkak se linjat e furnizimit dhe logjistikës së forcave ruse që gjendeshin në anën e sipërme të lumit Dniepër, ishin vetëm dy ura, të dyja të dëmtuara dhe gjatë gjithë kohës nën goditjen e artilerisë Ukrainase.
Bazuar mbi këtë filozofi të Klauzeviçit, ukrainasit ndërmorën një ofensivë në disa drejtime për të arritur atë që Klauzeviçi e përcakton si “qëndra të vogla graviteti të cilat po të sulmohen individualisht në të njëjtën kohë, e detyrojnë armikun të humbasë ekuilibrin”. Përqëndrimi i forcës dhe përdorimi i saj për të shkatërruar forcën me forcë shkon kundër konceptit të Sun Xu-së për të shkatërruar strategjinë e armikut.
Ashtu si për Klauzeviçin edhe për Sun Xu-në qëllimi kryesor është fitorja, por ndryshe nga Klauzeviçi, Sun Xu-ja nuk sugjeron sakrifikimin në beteja të vogla të njëpasnjëshme për të arritur fitoren. Qëllimi i Sun Xu-së është që të gjendet një mënyrë për të mposhtur armikun pa u përballur direkt me të. Për këtë arsye ai promovon në teorinë e tij: a) rrjedhshmërinë, b) fleksibilitetin, c) befasinë, d) mashtrimin, e) inteligjencën, mbi fuqinë ushtarake.
Dhe pikërisht këtë tregon edhe lëvizja e forcave ruse në rastin e tërheqjes nga Kherson.
a) Fleksibilitet të trupave.
b) Rrjedhshmëri - Të realizosh tërheqjen e një sasie prej rreth 27,000 forcave nën goditjen e artilerisë së vazhdueshme të armikut, pa humbje të mëdha në njerëz dhe në teknikë dhe në një mënyrë të rregullt dhe në një kohë të shkurtër tregon rrjedhshmëri operacionale.
c) Befasi - Por mbi të gjitha kjo lëvizje erdhi si një befasi tek Ukraina, e cila deri në momentin e fundit nuk e besonte se forcat ruse ishin tërhequr nga Kherson-i, por mendonin se kjo tërheqje ishte një kurth taktik dhe se rusët kishin përqëndruar forca speciale në qytet për të sulmuar më pas forcat ukrainase pasi ato të hynin aty. Për arsye të kësaj befasie që krijoi pasiguri tek ta, futja e forcave ukrainase në qytet zgjati për 5 ditë,
d) Mashtrim - Kjo tërheqje tregoi edhe mashtrimin, pasi rusët e kanë filluar tërheqjen e trupave kryesore sëbashku me popullatën civile, rreth 134,000 banorë që në datën 8 Tetor dhe mbajtën aty vetëm forcat e vijës së parë të mbështetura nga artileria tokësore dhe ajo ajrore. Ata e deklaruan tërheqjen vetëm në 9 nëntor dhe konfirmuan në 11 nëntor se kishte përfunduar lëvizja e gjithë trupave të tyre nga ana e majtë e lumit Dniepër.
e) Inteligjenca - E gjithë kjo tregoi edhe pjesën e Inteligjencës (Informimit) që rusët posedonin mbi fuqinë dhe vendosjen e trupave ukrainase në këtë rajon, të cilat shkonin në 8 brigada.
Nëse këto 5 pika realizohen si duhet, atëherë thotë Sun Xu, kjo e mban armikun gjatë gjithë kohës në një gjendje hamendësimi dhe e çekuilibron atë. Dhe realisht me zhvendosjen e tyre, rusët tashme e kanë vënë në hamendësim gjithë Shtabin e Përgjithëshëm të Ukrainës si dhe shtabet e shteteve të NATO-s.
Ku do i përqëndrojnë tashti rusët forcat e tyre speciale, që i kishin në Kherson dhe që arrijnë deri në 20,000 syresh?
Bazuar mbi këtë, Sun Xu thotë: “strategjia e përgjithshme duhet të fokusohet mbi shkatërrimin e forcave të armikut pa kontakt” dhe pas kësaj tërheqje, tashmë rusët kanë filluar bombardimin e forcave ukrainase në anën e sipërme të lumit Dniepër rreth Kherson-it me të gjitha llojet e armëve dhe artilerive, pasi tani nuk rrezikojnë të dëmtojnë forcat e tyre të cilat nuk kanë tashmë asnjë linjë kontakti me ukrainasit në këtë pjesë jugore të frontit.
I gjithë ky veprim taktik i rusëve, nuk përbën as fitore për ukrainën por as humbje për rusët. Ai hyn te veprimi taktik operacional, i cili edhe në fushën ushtarake njihet si tërheqje dhe në fjalorin Enciklopedik Ushtarak Shqiptar përkufizohet:
TËRHEQJA - Formë e manovrës, një nga llojet e luftimit mbrojtës që përdoret për të përmirësuar pozitat, për ta futur armikun në kurthe - të parapërgatitura ose për të mënjanuar rrezikun a asgjësimit të forcave të veta - në sektorë të veçantë. Në çdo rast ajo është e përkohëshme dhe kryhet pa i ndërprerë luftimet me armikun me synim që shpejt të kalohet në kundërsulm e kundërgoditje.
Dhe i gjithë ky shpjegim përkufizon atë që realisht ka ndodhur dhe do të ndodhë. Kjo pasi zëdhënësi i Kremlinit deklaroi pas kësaj tërheqjeje se “Kherson është tashmë territor i Rusisë dhe kjo tërheqje është e përkohëshme”.
Duket qartësisht se jo vetëm në gjithë këtë konflikt, por edhe në operacione të veçanta si kjo tërheqje, kemi përplasjen e këtyre dy teorive ushtarake të luftës, të shkruara nga dy teoricienët dhe filozofët më të famshëm ushtarakë. Qartësisht Perëndimi i ka imponuar Ukrainës filozofinë e luftës së Klauzeviçit, ndërkohë që rusët veprojnë më shumë sipas filozofisë ushtarake të Sun Xu-së.
©Dritan Goxhaj



