Rusia i ka nënvlerësuar aftësitë ushtarake të Ukrainës - Nga Dritan Goxhaj
- Published in Andej-Këtej
Deri më tashti të gjithë ata që kanë bërë analiza mbi luftën në Ukrainë, përfshi edhe mua, e kemi parë kursin e luftës në Ukrainë në dy aspekte.
I pari është nëpërmjet hartës. Duke e matur progresin e secilës palë bazuar mbi territorin e humbur ose të fituar. Ndërsa aspekti i dytë është nëpërmjet humbjeve.
Duke e matur progresin e secilës pale, bazuar mbi pretendimet e deklaruara të palëve mbi numrin e të vrarëve dhe të plagosurve, si dhe mbi numrin e paisjeve të shkatërruara totalisht, dëmtuara pjesërisht ose abandonuara, ose kapura.
Për të parë se si kjo luftë po shkon është e nevojshme të shohim përtej hartave dhe listave të të rënëve.
Gjithsesi do arrijmë të shohim fundin e kësaj lufte kur të dyja palët të kenë mbaruar kapacitetet e tyre ushtarake për të luftuar. Dhe pikërisht këto kapacitete dhe përdorimi i tyre tregojnë se të dyja palët e kanë nënvlerësuar njëra-tjetrën më shumë se ç’duhet.
Ky nënvlerësim u pa nga ana e Ukrainës dhe gjithë Perëndimit sëbashku, në mungesën e dijes mbi kapacitetet raketore të Rusisë, të cilat konsideroheshin të ezauruara. Ndërsa nga ana e Rusisë ky nënvlerësim ndaj Ukrainës u pa në fillim në kundërofensivën që kjo arriti të ndërmerrte në fillim të shtatorit, duke i detyruar rusët të tërhiqeshin nga pozicionet e tyre. Dhe e dyta u pa në kapacitetet e Ukrainës për të goditur objektiva ushtarake ruse në thellësi të territorit rus.
Prej fillimit të operacioneve ushtarake ruse në Ukrainë, kjo e fundit iu ka kërkuar aleatëve të saj perendimorë që ta furnizojnë me raketa me rreze të gjatë veprimi, në mënyrë që të mund të godasë bazat ushtarake ruse në thellësi, prapa vijës së frontit.
Këtë javë që lamë pas, Ukraina tregoi se ajo mund të kryente sulme me rreze të gjatë pa pasur nevojë për raketat e perëndimit, pasi ajo arriti të godiste me dronë të prodhuara në vend, të cilat arritën të godasin dy baza ushtarake thellë në brendësi të territorit të Rusisë - njëra vetëm 160km larg Moskës (Baza ajrore Djagilevo në rajonin e Rjazanit dhe baza ajrore Engels-2 në rajonin Saratov).
Njëra nga bazat e goditura, ajo afër Saratovit, në jug të Rusisë, 600km larg kufirit Ukrainas, është bazë ajrore e cila mban avionët bombardues atomikë me rreze të gjatë veprimi. Por gjithashtu është përdorur edhe si bazë për të lëshuar raketat me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave ukrainase që nga fillimi i luftës.
Dronët që Ukraina përdori për të goditur këto objektiva në thellësi të territorit rus të hënën dhe të martën që shkoi, nuk janë dronët që kontrollohen nga satelitët të cilët Ukraina i ka marrë nga Turqia të tipit Bayraktar T2. Në të vërtetë janë dronë të teknologjisë ruse, të tipit Tupolev Tu-141. Dronë antikë të prodhuar gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik dhe që janë përdorur për herë të fundit për të mbledhur të dhëna e bërë fotografime në vitin 1989.
Këto dronë u ndërtuan për herë të parë në vitin 1974 dhe fabrika e prodhimit të tyre ishte në Kharkov të Ukrainës, ku sipas një raporti të Pentagonit në vitin 2015, Ukraina posedonte gjithsej 138 copë në total. Është një dron që mund të fluturojë me 960 km/h në një lartësi minimale prej 6 m deri në një lartësi maksimale 6 km (6000m), në një distancë deri në 3km (3000m). Në rast se i hiqet kamera dhe në vënd të saj vendoset eksploziv në një sasi minimale 50kg deri në një sasi maksimale 100kg, atëherë ky dron kthehet në një raketë kruiz me rreze të gjatë veprimi, por me precizion të ulët.
Që nga fillimi i luftës është bërë e ditur se Ukraina kishte modifikuar disa dronë të tillë dhe për herë të parë njëri prej tyre u pa më 10 Mars kur arriti të kalonte gjithë hapësirën ajrore të evropës dhe ra në Kroaci. Këtë javë ishte hera e katërt që Ukraina i përdorte këta dronë. Për herë të dytë ata u përdorën nga forcat ukrainase në mars të këtij viti për të goditur objektiva ushtarak rus në Krime. Ndërsa këtë verë u përdorën për herë të tretë kur ato tentuan të godasin objektiva ushtarakë në rajonin e Kurskut rreth 15 km nga kufiri me Ukrainën. Por në të dy rastet mbrojtja kundërajrore ruse arriti t’i rrëzonte dronët e lëshuar nga Ukraina. Ndërsa këtë javë, dronët arritën të kalonin mbrojtjen kundërajrore ruse dhe të godisnin në objektiv.
Tentative e fundit e suksesshme e Ukrainës me dronë ndaj objektivave ushtarakë në thellësi të territorrit rus nxorri në pah tre fakte kryesore:
1.Kapacitetin e Ukrainës për të goditur në thellësi të territorit rus.
2.Kapacitetin e Ukrainës për të ndërmarë operacione të tilla pa nevojën e Perëndimit.
3.Kapacitetin e Ukrainës për të goditur dy ditë rresht duke sfiduar mbrojtjen kundërajrore të Rusisë.
Pavarësisht pasojave të këtyre sulmeve në terren, kjo tregon vullnetin e Ukrainës për t’iu përgjigjur Rusisë me të njëjtën monedhë, duke e goditur me dronë në objektiv në thellësi të territorit, ashtu si bën edhe Rusia prej fillimit të luftës.
Dhe gjithashtu duke u bazuar mbi sasinë e mbetur të këtyre dronëve, nënkuptohet që Ukraina do të vazhdojë të kryejë goditje, derisa Rusia të arrijë të mbrojë hapësirën e saj ajrore nga ndërhyrje të tilla, ose të arrijë të neutralizojë kapacitetin e Ukrainës për goditje të tilla.
Kjo tregoi qartësisht se Rusia dhe gjithë aparati i saj ushtarak dhe ai i inteligjencës, qoftë ushtarake, qoftë civile, jo vetëm që dështuan në zbulimin e këtyre kapaciteteve ukrainase, pavarësisht tentativave goditëse të mëparshme nga ana e Ukrainës, por tregon edhe një nënvlerësim total të kundërshtarit, të fuqive të tij dhe mbi të gjitha të vullnetit të tij për të luftuar.
Tashmë Rusisë i duhet që të reagojë edhe për të treguar aftësinë e sajë për të mbrojtur kapacitetet e sajë nukleare dhe strategjike, pavarësisht se kush mund të jetë sulmuesi herën tjetër. Fakti që deri më tani nga ana e Rusisë nuk ka pasur një kundërpërgjigje ushtarake ndaj këtyre sulmeve, ashtu siç ndodhi menjëherë pasi u sulmua ura që lidh Krimenë me Rusinë, tregon se Rusia tashmë është në një dilemë të madhe.
Kjo pasi kundërpërgjigja ndaj këtyre sulmeve kundër objektivave me përdorim të dyfishtë ashtu si ka ndodhur deri më sot do të thoshte thjesht përsëritje e të njëjtit reagim. Reagim i cili pavarësisht fuqisë shkatërruese të deritanishme nuk e pengoi Ukrainën që të ndërrmerrte këtë sulm të suksesshëm me dronë.
Deri më tani Rusia gjithnjë ka deklaruar se goditja e objektivave të saj ushtarakë ose civilë në thellësi të territorit të saj do të konsiderohet si një vijë e kuqe e cila do të sillte një reagim të fuqishëm të kapaciteteve ushtarake të saj ndaj Ukrainës. Duke përfshirë këtu edhe goditjen e qëndrave vendimmarrëse civile dhe ushtarake ukrainase.
Me këtë goditje, nuk ka dyshim që Ukraina e ka kaluar “vijën e kuqe” Ruse, ndaj tani mbetet për t’u parë nëse Rusia:
1.Do arrijë të kundërpërgjigjet në atë mënyrë që Ukraina të mos e kalojë më këtë “vijë të kuqe”.
2.Të arrijë të sigurohet që kjo kundërpërgjigje do të kuptohet njësoj edhe nga Perëndimi.
3.Të arrijë të mbrojë hapësirën e sajë ajrore.
Të tre këta janë objektiva të vështirë për Rusinë.
©Dritan Goxhaj



