Andej-Këtej

Trishtimi i një gruaje - Nga Dashnor Kokonozi

Hapi derën e zyrës dhe pa përshëndetur shkoi të varë pardesynë në kremastar.  E bëri me një gjest të lodhur, që të kujtonte më fort, fundin e ditës së punës.  Pastaj kaloi duart mbi të dhe kundroi një copë herë të gjatë. Nuk e kuptova përse. Po shihte veten si dukej nga pas?

Tre herë në ditë i pëshpërisnim në vesh se dukej mjaft më e re. E kishte të nevojshme dhe nuk ia kursenim.

- Çka ngjarë? -  i thashë.

Nuk u përgjigj menjëherë.

- E dija se do të ndodhte një ditë, - foli pastaj duke u drejtuar te tavolina e saj. - Po nuk e prisja. Sot nuk e prisja.

- Për të mirë, sigurisht. Në mos, na e ruaj për më vonë. 

- Nuk di ç’të them. Vetëm se se e ndjej se kurdo që të ndodhte, prapë do më befasonte!

- E mora vesh se je befasuar me befasimin tënd. Tani na thuaj, çfarë ka ndodhur?

- Një vajzë u ngrit dhe më liroi vendin në autobus.

- U revoltove me të?

- Jo me veten.

Dhe u lëshua në ndenjësen e saj. Pata përshtypjen se atë çast, për herë të parë në jetë kishte ndjerë peshën e viteve që iknin!

- Mirmjes! - tha së fundi.

©Dashnor Kokonozi