Andej-Këtej

Tentativë parashikimi për të ardhmen e një vendi të korruptuar - Nga Armando Mosho

Armando Mosho - Toronto

Atë mbrëmje ministri po buzëqeshte më shumë se kurrë më parë, teksa ishte i ulur përpara gazetarit më të famshëm. Dritat e studios ishin kërkuar që të shndrisnin më shumë, po ashtu qe kërkuar që çdo anomali që nga lindja e ministrit të mos shfaqej kurrë. Kohët e fundit situatat ishin bërë shumë të nxehta, kjo pasi në vend kishin ardhur jo pak, por plot 5 njerëz të ndershëm, që ishin betuar t'i jepnin fund korrupsionit në vend dhe ta shkruanin emrin e tyre me shkronja të arta në historinë e Atdheut.

Kjo gjë e kishte trembur pa masë më të gjatin e të korruptuarve, ndaj duheshin marrë masa urgjente. Dhe kjo po vinte me një çmim të lartë. Në mënyrë që t’i siguronte prime time ministrit, i cili ishte ngarkuar me detyrën e vështirë të bindte të mjerët, plebenjtë, popullin se çfarë dëgjonin sikur ata ishin të korruptuar nuk qe një gjë e vërtetë, por një trillim - vetë më të gjatit i ishte dashur jo vetëm të anulonte programin e çapaçulave, por për këtë rast ishte arritur edhe marrëveshja për shtyrjen e ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit të së martës mbrëma.

Pyetjet ishin përgatitur me shumë kujdes nga e gjithë struktura e PR-it të më të gjatit. Ministri kishte më shumë se dy javë që nuk dilte fare dhe vetëm qëndronte përpara pasqyrës ose edhe kamerës sa herë që i kërkohej të fillonte interpretimin sikur po i përgjigjej një pyetje të paditur. Ky privilegj i rrallë që i ishte bërë ministrit tregonte se sa shumë besim kishte më i gjati tek ai. Ministri ndjente një detyrim dhe ishte një nder i rrallë që do të mbronte të gjithë të ngjashmit e korruptuar si ai, dhe kjo gjë po ndodhte pikërisht tani që ata ishin nëpër këmbë.

Çfarë ministri nuk dinte ishte se ata 5 mjeshtrat e gjurmimit të parave që kishin ardhur nga një dhé i huaj, gjendeshin pikërisht tek oborri i televizionit Kaza Nostra, ku ministri po jepte intervistën dhe me një letër zumpara të hollë kishin filluar ta gërryenin kofanon e makinës Yaris me të cilën ministri kishte ardhur në emision për të mos rënë në sy. Ngadalë, por në mënyrë të vendosur pasi larguan bojën me letrën zumpara, u shfaq shtresa e artë me të cilën ishte e bërë kofanoja e modifikuar e makinës. Indiciet rezultuan gjëra të vërteta dhe të shoqëruar nga ushtarët e huaj, të pestë u lëshuan brenda studiove të televizionit ku ministri vazhdonte të recitonte pyetjet që e kishin munduar prej dy javësh.

Ngaqë dritat ishin edhe më të forta se zakonisht, ministri nuk arrinte të shihte se kush kishte hyrë në studio, kështu që vijoi edhe për pak çaste të mbante buzëqeshjen e madhe në buzët e tij. Por, kur në momentin tjetër ata u afruan aq sa dritat nuk ia ndriconin më fytyrën, ai dëshiroi të ishte në ëndërr. Vetë ata dhe jo tek e tek, por të gjithë bashkë me një tufë ushtarësh të huaj nga pas, gjendeshin mu përballë tij në këto çaste. Donte të nxirrte fjalë të ndryshme nga recitimet që kishte mësuar, por nuk mundej, vetëm ato fjalë mundte të belbëzonte.

Pas pak çastesh u përmend dhe arriti të kuptonte se ia kishin zbuluar njërën prej kofanove të  florinjta të një prej disa makinave të tij modeste. Aty për aty i shkoi në mendje: “po sikur të kishin zbrazur ujin nga pishina e shtëpisë dhe të kishin gjetur edhe vendin e fshehtë”? Por, ky mendim ia la vendin shpejt një halli më të madh. Ai kishte zhgënjyer pritshmëritë e më të gjatit, ky ishte halli më i madh. Vetë më i gjati kishte qënë i prerë kur u kishte thënë: do vjedhim bashkë, por kush nuk di të fshehë, më mirë të mos vjedhë, se po ju kapën, jeni vetëm.

Në fakt ministri kishte gabuar rëndë se më i gjati gjithmonë u kishte dhënë ide se si të mos kapeshin e ku t’i fshihnin paratë dhe diamantet që iu vidhnin të mjerëve, plebenjve, popullit. Me pështymën që me vështirësi po mundej ta kalonte poshtë, belbëzonte fjalët: paskam qënë i pafat, u bëra dhe unë kurban i më të gjatit. Teksa ata ia vendosën prangat, ndërkohë që transmetimi live vijonte, pati kohë të sillte ndërmend edhe ato të dyja: si do të mundej të jetonte kotelja e tij, pa luksin që i ofronte ai. Ishte pothuaj i bindur se ajo kurrë nuk do ta vizitonte tek “banesa e re” ku do të transferohej, ai e dinte se ajo me të rrinte vetëm për paratë e tij dhe në fakt, ç`ishte ai pa paratë e tij? Gabova, tha me vete që nuk e mbajta atë gruan e parë, ajo më qëndroi pranë kur isha thjesht lidhësi i këpucëve të kryetarit barkderr të partisë. I hyra asaj në hak, prandaj Zoti ma hodhi këtë të keqe të madhe.

Më i gjati që po ndiqte gjithë skenën live tanimë kishte marrë një ngjyrë të hirtë. Menjëherë urdhëroi evakuimin e bunkerit. Urdhëroi gjininë femërore të vendosnin gjerdanët në qafë dhe me helikopterin privat ia dolën të arrinin shpejt tek avioni privat, që sipas planit do të duhej t’i dorëzonte tek një lider tjetër dhe ngjashëm, i korruptuar si ai.

Atë natë Atdheu nuk gjeti qetësi, të gjithë njerëzit mbetën zgjuar, përqafoheshin me njëri-tjetrin në rrugët e rrugicat e qyteteve dhe fshatrave. Këtë herë përqafimet ishin ndryshe. Nuk iu thoshte dikush me mikrofon të perqafoheshin, por thjesht ndjenin një çlirim, sikur kishin hequr një litar prej fytit.

Kaluan disa orë derisa dielli lindi dhe njerëzit që nuk kishin qëndruar kurrë më parë zgjuar për ta parë lindjen e diellit, kuptuan se çfarë kishin humbur deri më tani, duke parë vetëm perëndimet. 

Më i gjati nuk u kthye më kurrë në vend dhe thuhej se u shua në ishullin e tij privat tropikal.

Banorët e vendit shpejt filluan ta pëlqenin aq shumë lindjen e diellit aq sa zgjimi herët për ta shijuar lindjen e diellit, u bë sporti më popullor. Fill pas kësaj kënaqësie të pamasë banorët i shtroheshin punës. Tanimë korrupsioni ishte harruar në vend dhe bizneset e reja lulëzonin çdo ditë.

Atdheu pati një begati që kurrë nuk ishte parë më parë.

©Armando Mosho