Andej-Këtej

Shënime të parëndësishme për tema të rëndësishme - Nga Vangjush Saro

Variacione nga libri “Shqipëria në dy kohë” (përshtatur për rrjetet sociale)

■8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Grave, për nënat dhe gratë tona, asnjëherë nuk ka qenë “festë”, siç po e trajtojnë në Shqipëri tash disa kohë. Ime ëmë - jetë e mot duke punuar; sa në shtet, në shtëpi. (Sado që ne përpiqeshim t’i jepnim një dorë.) Ashtu e kujtoj, gjithnjë në punë, edhe vjehrrën time të nderuar; edhe pse këtu kishte ardhur fëmijë, nga një familje e kamur (nga Novij Pazari).

Në vitin ‘68, filloi një lëvizje që i vunë etiketën Emancipimi i Femrës. Ishte njëlloj ballafaqimi me zakonet prapanike, siç u quajtën atëherë: Fejesat që në djep dhe me shkes, mbyllja e femrave brenda katër mureve, keqtrajtimi i tyre, mungesa e të drejtave, etj. Por nga kjo, diçka fituan mbase ato që jetonin në fshatra apo zona të thella, ku zakoni ishte më i fortë. Nënat tona jo; se ato nuk i trajtonte njeri keq. Hë, po… sikur të ishin më të lira, më të lehtësuara nga punët, më pak të preokupuara për ushqimin, ky po që do të ishte emancipim edhe për ato…

■Po vë re dita-ditës se një pjesë e mirë e atyre që kanë punuar në shtypin e PPSH-së deri në fund të Diktaturës, mbajnë sot qëndrime ekstremisht të djathta, madje japin mend se qysh duhen nderuar të djathtët (e çdo kohe) dhe, ndërkaq, si duhet t’i shenjojmë me ç’të mundim dhe t’i asgjësojmë të majtët, çdo gjurmë të tyre e të Socializmit, tra-la-la zura një galë, thoshin andej nga anët e mia… E habitshme se si u bënë këta kaq të djathtë, kaq konservatorë! (Gjithë jetën kishin shkruar e raportuar për sukseset nën udhëheqjen e partisë dhe atij më të majtit ndër të majtë, Enverit.)

Unë e kuptoj që njerëzit kanë pasur dyshimet, hamëndjet, por edhe frikërat e tyre dhe nuk e bënin dot trimin më parë; tash janë të lirë. Ama, edhe ta mbiluash këtë “trimëri” e të na bësh sot… kryetrimin, kjo nuk shkon. Pak më modestë, o manekinë!

■Disa thonë e shkruajnë e shpifin papushuar që... vendin e ndërtuan të burgosurit (!) Ore vërtet, ata kanë vuajtur; edhe kanë punuar sa u ka rënë bretku të shkretëve. Dhe për të burgosurit e ndërgjegjes (të vërtetët, jo të shtuarit) ishte dyfish e rëndë të punonin në miniera në kushte çnjerëzore.

Por ani, ta plotësojmë pak tablonë: Nuk i drejtonin ata taksitë, traktorët, zetorët, kamionët, lumëverdhat, autobuzët, trenat, vaporët, helikopterët... Nuk e kërcisnin ata çak-un kur xhiroheshin filmat. Nuk i bënin ata operacionet në spitale e gjilpërat në klinikat e lagjeve e të fshatit. Tjetërkush jepte mësim në universitet e në shkolla, gjer skërkave më të largëta... Kisha përballë (në shtëpinë e Korçës) një familje që jetonte me qira, dy “kurora” bashkë si mos më keq; dhe të dy vëllezërit punonin në Minierën e Mborje-Drenovës dhe ktheheshin nga turni gjithnjë të raskapitur e të llangosur qymyri. Ej, paskan punuar pak edhe të tjerët, apo jo? Sa për ta rregulluar një çikë fokusin, de...

■Po për dashurinë ç’thonë kungujt e Tranzicionit? I martonte Partia... Ore, ku kanë jetuar këto egërsira? Edhe disa nga miqtë e zhanrit, madje nga më të lëvduarit, në një sërë skeçe - ku tërhoqën edhe aktoren E. A. - na kanë treguar se si bëhej dashuria te stalla e viçave… Po, more. Mbase edhe te derrat. A ju pëlqen kjo karagjozëve?

Po pse duhej shkruar kështu, kurse autorët, si edhe ne, kanë qenë me të dashurat e tyre: te Shën Prokopi, siç i thoshim Liqenit; në kinema, teatër dhe në lulishtet e Qytetit Studenti; në lokalet që sapo hapeshin frekuentoheshin më së pari nga çiftet. (Po kujtoj “Drini’ e “Arbana”) Përse kapen pas ndonjë rasti ekstrem dhe shpifin? Për tre grosh të qelbura?

Mbase jam naiv dhe s’i kuptoj dot disa që e ‘luajnë’ në çdo kohë e në kurriz të çdo kohe. Edhe pse isha një emër në këtë zhanër, nuk u ofrova asnjëherë të shkruaja paçavure të tilla. Po ta bëja, do fyeja dashurinë time, por edhe të miqve tanë të dashuruar si ne, edhe të qindra e mijëra lidhjeve asi në të gjithë vendin. Do fyeja ata që u gjendën me gra të huaja: ruse, polake, hungareze, shumë prej të cilave do t’u shkatërrohej jeta, por ishin aq dinjitoze. Do fyeja gjithë ato çifte artistësh, shkencëtarësh, mjekësh, sportistësh, të tjerë që jetonin me agronomi, mësuesi apo thjesht i binin kazmës dhe besonin në ndjenjë. (Edhe në skaje, dashuria ishte dashuri. Ja fillimi i një kënge të Festivalit të 11-të: “Erdh’ një djalë nga fshati fqinj, vajzën më të mirë rrëmbeu ai...” Etj.)

Në këtë temë, po, pati edhe drama e vuajtje, ngushtësisht familjare ose edhe të njohura për publikun e gjerë. Por shumica e dashurive ishin të sinqerta, të natyrshme dhe jetëgjatë, të tilla që nuk i merrnin fare në sy interesat dhe dallimet Veri a Jug, Fshat a Qytet, Kristian a Mysliman. Nuk ishte fushë me lule or, jo. (Se pastaj degdiseshin ku s’ta pret mendja.) Nuk ishte “rozë”. Por edhe baltë, siç ua ka qejfi disave, s’e bëjmë dot... Ta “vizatojmë” tablonë pa hile dhe me të gjitha ngjyrat e duhura.

* “Të parëndësishme” për këdo që s’i pëlqen ky trajtim, që i do gjërat o bardh’ o zi; pra, shënimet janë vetjake, s’i imponohen askujt.

© Vangjush Saro