Shi në varreza - Nga Sami Milloshi
- Published in Andej-Këtej
Kur vajta unë në varrezat e Jamaica Plains të shihja varrin e Fan Nolit, kisha mësuar se atë e kishin lënë katër vjet pa varrosur. Isha trishtuar shumë dhe doja të mësoja se, si kishte qenë e mundur që një burrë me kaq famë kishte mbetur pa varr për katër vjet.
E pyeta zonjën e zyrës së varrezave:
- A mund të ma thuash ti të vërtetën?
- Dëgjo zotëri - edhe sikur ta di, unë nuk mund të ta them ty.
- E kuptoj - i thashë - Por ti po ma shton mua trishtimin sot.
- Po pse? - tha zonja.
- Sepse unë të dukem ty një hiçkurrkushi.
- Jo zotëri - ti je dikushi përderisa vjen me një tufë lule te një varr në këto varreza.
- Ai varr është varr shqiptari, - thashë unë - dhe unë dua të mësoj një të vërtetë... Kaq asgjë më shumë.
-Nuk mundem, të të ndihmoj, - tha zonja.
Ika nga varrezat edhe më i trishtuar. Me një mijë pyetje që ma turbulluan kokën.
Pse ky shqiptar i madh fle në këto varreza amerikane dhe jo në tokë shqiptare? Pse ia shkatërruan me dinamit varrin Nanës Mbretëreshë? Pse e varën në mes të qytetit një poet? Dhe pse i pushkatuan dy të tjerë në lulen e rinisë? Pse ia hodhën eshtrat në lumë atij që na la trashëgim shkronjat?
Pse erdha unë këtu? Dhe a do të më lënë edhe mua katër vjet pa varrosur? Pse duan të ma mbyllin gojën mua dhe pse të thonë ty se qenkam i lirë?
Pse atij të marrit ia ruajnë kokën me bodyguard-ë dhe atij kriminelit i thurin këngë? Pse, pse, pse...
Shiu i pse-ve filloi të binte stuhishëm mbi varrezat e Jamaica Plains dhe më kujtoi se duhej të kthehesha në shtëpi. Ika pa e marrë një përgjigje për Nolin dhe këtë do t'ia tregoj edhe atij kur të vijë koha ta takoj në varreza...
© Sami Milloshi



