Me ndërgjegjen dhe shtetin jam në rregull - Monologu i deputetit veteran
- Published in Andej-Këtej
- Nga: Petro Dhimitri

Kur i thashë gruas se do t'i futem politikës, ajo mu përvesh keqas. “Si, do të shkelësh me këmbë diplomën e Universitetit të Parisit dhe titujt shkencorë për t'u bashkuar me kokëboshët që populli i përqesh. Vetë ke thënë se Parlamenti i ka skeçet origjinale. Deputetët na dolën edhe humoristë, edhe aktorë kaluar atyre të estradave... Pastaj, po katedrën kujt do t'ia lësh?”
Nuk kisha ç'ti thoja. Nuk mund ta kundërshtoja. Ajo kishte të drejtë, po ama harronte se rroga ime nuk i kalonte të 90 dollarët, se çmimet po rendnin drejt qiellit aq sa mezi e shtynim deri në fund të muajit. Vendosa t'ia them hapur arsyen.
A e mban mend, o Vjollca, Artanin e gjimnazit? Të dy u çuditëm kur ai u bë deputet. T'i shqeve sytë dhe më the: “Pika që nuk na bie kur ka për të na qeverisur dhe miratuar ligje Artani që edhe në vjeshtë mezi e mori provimin!” Në vjeshtë, në vjeshtë, po ama ai sot është deputet- iu gjegja.
Rastësisht Artani më takoi në korridorin e fakultetit. Nuk e di pse kishte ardhur. U përqafuam. Dhe e di se ç'më tha kur po zbrisnim shkallët? “Hajde, o Spiro vëllai në partinë tonë. Kemi nevojë për njerëz si ti.”
Unë qesha. Ai vazhdoi: “Qesh, qesh, po me ato para që merr ti dhe Vjollca tënde as makinë si unë nuk mban dot, as shtëpi të re nuk ke për të pasur dhe as fëmijët nuk do të kesh mundësi t'i dërgosh për studime. Leri mënjanë ëndrrat, profesor Spiro! Zgjohu dhe shiko se ç'po ndodh! Të flas kështu, se prej teje e kam gjimnazin. Më je gjendur në ditë të vështira.”
Ishim shokë. Futi dorën në xhep dhe nxori disa çelësa. “I shikon, janë të shtëpisë së re me dy kate. Sot m'i dorëzuan. Me rrogën e deputetit nuk e bëja dot. Fati e desh që një i njohuri im të më kërkonte një nder. Ti, Artan, atë ministrin e ke shok, - më tha. Të kam parë disa herë në kafene me të, prandaj dua të më ndihmosh. Për rrugën e re matanë urës ka një tender. Edhe unë i kam hedhur letrat, po ato nuk pinë ujë, po nuk i shtyu një dorë. Të lutem, bëje për mua.” Si u mendua pakëz më tha: “Nuk e kam për gjë që andej nga zona rrëzë Dajtit të të ndërtoj një shtëpi me dy kate, me themele të sigurta për t'u shtuar më vonë edhe dy kate të tjerë si edhe me oborr me mur me tulla.mNuk i besova, edhe pse më erdhi mirë. Me që njiheshim pse mos ta ndihmoja. I thashë ministrit. Pas një jave miku im fitoi tenderin. Sot, pas gjashtë muajsh, ai më pruri çelësat. Po si ia bëre mor, mik- e pyeta? Fare thjeshtë - m'u gjegj. Unë fitova më shumë se pesëdhjetë herë nga vlera e shtëpisë që të ndërtova ty. Nderi, o Artan, lahet me nder dhe jo si dikur vetëm me një faleminderit. Vdiq ajo kohë!” Më vuri krahun e shkuam drejt e te benzi i tij. Nuk di si ta përshkruaj atë shtëpi të re. Dritë, sipërfaqe të bollshme, pllaka të bukura, lyer me shije. Mëndja më erdhi vërdallë. Aty vendosa t'i hyja politikës.
Artani kishte folur me kryetarin e partisë. Ai më priti ngrohtësisht. “I bëjnë nder partisë sonë njerëz si ti. Ke qenë student i shkëlqyer dhe je profesor edhe më i shkëlqyer. Në zgjedhjet e ardhshme që duan edhe më pak se dy vjet do të jesh në listën e kadidatëve të partisë, po tani për tani, po të ofroj vendin e sekretarit organizativ. Ndërkohë mund të vazhdosh të japësh disa orë mësim. E di që do të jesh goxha i ngarkuar me punë, po partia ka për të ta shpërblyer."
Kur fillova detyrën e re nuk kisha arsye të vrisja mendjen për para. Ato vinin vetë. Kush emërohej në një post me rendësi në ndonjë ministri, nderin që i bëja, ma lante me nder, d.m.th. me lekë, dollarë ose euro. Disa linin zarfat si pa dashje mbi tavolinë, ndonjëri më thoshte: “Këto i ke sa për një kafe.” Jo të pakët qenë ata që ma bënin dhuratën për të qerasur në restorant edhe zonjën Vjollca?! Po ama ishin lloj lloj postesh: drejtorë doganash, kryetarë degësh të ministrive, prefektë, drejtorë administratash... Ministrat ma dëgjonin fjalën, se edhe nuk i bezdisja shumë. U bëja ndere edhe figurave të opozitës. Edhe ata donin të fitonin. Doja t'i kem miq kur në pushtet të vinin ata, se bota është me rrota. Doja t'i kem miq për ditë të vështirë.
Kështu, o Vjollca ime e dashur, pa u mbushur dy vjet, blemë shtëpinë në qendër të Tiranës. Katër dhoma, dy banjo dhe një dhomë ndenje e madhe, shumë e madhe. Po kjo ishte vetëm zanafilla. Ti sa nuk fluturoje nga gëzimi. Të kujtohet që të thashë: "Mos u gëzo kaq shumë, se apartamenti ynë nuk është gjë fare para pronave që kanë deputetët. Ti dhe unë e dinim se X-i partisë sonë ndërtoi një pallat me dhjetë kate andej nga shkolla “11 janari”. Thanë se trualli kish qenë i babait të tij. Gënjeshtër me bisht. Trualli ishte i një personi të cilit nuk i dihet se ku i ka kockat. Nuk kishte lenë as trashëgimtarë. E regjistruan si pronën e babait të bosit tonë. Të dhjetë katet ai i shiti.
Kaq iu desh që firma e tij ndërtimore, me ortak po një deputet, të transformonte atdheun me ndërtime shumëkatëshe. Kësaj i thonë para! Se mos vetëm ai! Bosi i opozitës po me një pallat andej pas Parkut Rinia nisi rrugëtimin e legalizimit të fitimeve të dyshimta. Pastaj edhe një katërkatësh te Blloku i Durrësit, ku nuk lejohen ndërtime. Apartamentet i shiti, po edhe sot e kësaj dite njerëzit e quajnë pallati i filanit... emrin nuk po e them.
Aty pranë edhe një nga tanët, ngriti një katërkatësh goxha të gjerë. Gjysma e truallit vërtetë kishte qenë e një anëtari të familjes së tij, por Zogu i zgjuar, ato parcela i kishte shitur me kusht: duhej të ndërtoheshin brenda vitit 1938, përndryshe blerësi e humbte të drejtën e pronësisë. Doemos demokracia, vetëm për deputetin bajloz të saj, e quajti të gabuar kushtin e Lartmadhërisë?! Oj, nëne, nëne, ç'jam duke mësuar në kolltukun e kësaj zyre?!

Po kur u zgjodha deputet sikur m'u rrit rytbja. E shikoja që kolegët më shikonin si të barabartë, madje për disa isha më shumë se deputet. As që më hynte në punë sjellja e tyre. Mendjen e kisha se çdo të bëja me paratë e zarfave që nuk kishin të sosur. Vjollca më thoshte mos investo këtu se nuk ke si t'i përligjësh fitimet. T'i nuk ke vënë dorën në arkën e shtetit as për një pesëlekësh, nuk i ke kërkuar asnjë njeriu bakshish apo të të qerasi thjesht një kafe. Ti ndërgjegjen e ke të pastër, po asnjeri nuk ka për të të besuar. Ata e dinë mirë se deputetët të rrjepin edhe lëkurën. Kujtojnë fitimet e majme që patën nga firma “Shqiponja” që thyente embargon duke i shitur naftë Millosheviçit, që tanket e Serbisë të vrisnin vëllezërit e Kosovës. Dinë maunet që deputetët i kalonin pa doganë në Qafë Thanë, Durrës, Kakavi, dinë gjobat që paguheshin për lejet e ndërtimit, universitetet që mbinë si këpurdhat e diplomat me para, e ç'nuk dinë…
Prandaj, asaj i lindi ideja sikur të blenim ndonjë vilë apo ndërtesë më të madhe andej nga Spanja jo për të jetuar ne, jo! Ta kishim si biznesin tonë turistik. Me të parë e me të bërë. Nga fitimet do të shtonim edhe blerjet. Nuk më doli keq. Me administrimin e asaj prone merret vetëm Vjollca. Për të mos rënë në sy pushimet shkojmë i bëjmë në Greqi, Itali dhe Antalia. Nuk dua që njerëzit të më përflasin siç përgojojnë dy deputetët apo, thuaj më mirë, dy bosat partiakë që kanë ndërtuar dy kështjella në Gjirin e Lalëzit. Me rrogën e tyre, sikur për disa vjet vetëm ujë të pinin, nuk kishin për të ndërtuar dot as çerekun e pronave që gëzojnë buzë Adriatikut. Megjithatë janë treguar aq të zgjuar sa pallatet-vila i kanë regjistruar me emrin e kunatit, dhëndrit, nipit etj. etj. Fërkojnë duart si Pilati kur dikush ua kujton ato saraje. Rrahin gjoksin duke thënë se nuk janë pronat tona, sulmojnë egërsisht cilindo që shpif për ta. Shyqyr që nuk kemi shtet dhe kurrë nuk ka për të dalë se me ç'para i ndërtuan ato “kabina plazhi” soj e sorollopi i tyre?!
Pas vitit të parë si deputet, që të mos mendonin se kursimet e mia i kam ndry në ndonjë Bankë të huaj, bleva edhe unë një apartament të vogël me emrin tim në Dhërmi. Nuk është ndonjë gjë e madhe që si deputet i dy legjislaturave të kem dy shtëpi. Të tjerët kanë jo apartamente, po vila, thuaj, prandaj për ato dy dhoma asnjeri nuk më përflet. Kotecet e Spanjës janë në emrin tënd. Fundja firmë kompjuterike ke dhe me paratë që fiton mund të bësh ç'të duash!
Një ditë duke bërë shaka me një shokun tim, i thashë: “Si e duron dhe si guxon dhe i mban iso bosit, edhe kur ai gënjen e mashtron?!” Ai qeshi. “O Spiro, më vjen keq që po ta them, po ti ke mbetur ai që ke qenë. Unë nuk kam post shtetëror urdhërdhënës. Po ama karrigia ime është me shumë rëndësi. Jam ura kryesore lidhëse me majën e malit. A më kupton, o Spiro? Duke mbajtur ison, që përmend ti, unë kam siguruar jo vetëm jetën e fëmijëve të mi, po edhe të trashëgimtarëve të tyre të ardhshëm.”
U habita që paska vënë aq shumë para, kur jeton në një apartament modest me tre dhoma plus sallonin. Nuk mund ta pyesja se ku i ke investuar dollarët ose me ç'firmë je ortak, se nuk kishte për të më treguar. Di vetëm se disa here ne vit ai shkon në një shtet të Evropës ku qendron jo më shumë se dy ditë. Pse? Nuk mund të trilloj. Se ç'mban në valixhen e vockël pak si të dalë boje që e merr në çdo udhëtim, një Zot e di?! Kur ia tregova këtë bisedë Vjollcës, ajo nuk u çudit. Më tha se “ai është tejet i zgjuar. Paga e tij si deputet në dy legjislatura është e papërfillshme në krahasim me thesarin që ka grumbulluar, prandaj ai diku e ka siguruar atë. I dashur, si kujton ti se vetëm ne jemi të zgjuar!”
Po, po, ne jemi të zgjuar, se nuk kemi vjedhur. Janë të tjerë ata që drogën e kanë kthyer në arka me verdhushka. Ata kanë sjellë skafe të shpejtë e deri avionë për të marrë mallin e çmuar të politikanëve tanë BLU dhe ROZ Ë... Ata, ata janë peshqit e mëdhenj që nuk bien në asnjë rrjetë qoftë ajo made in USA apo EUROP Ë. Unë për vete jam në rregull. Kështu do të vazhdoj: t'i ndihmoj njerëzit kur kanë nevojë. Më kanë zgjedhur deputet që të qajnë hallet e tyre me mua.



