Prefekti - Nga Gëzim Zilja
- Published in Andej-Këtej
Ndodhesha në qytet me një mikun tim një mesnatë vere ndërsa po ktheheshim nga një festë, ku kishim qenë të ftuar.
- Rrimë pak këtu e pastaj nisemi, për Tiranë! - më propozoi ai. Dikush na bëri me dorë që të uleshim në tavolinën e tyre, buzë trotuarit. Ishin dy mesoburra; mbi tavolinë dukeshin dy gota birre përgjysmë dhe një pjatë me guaska e karkaleca deti. Pa zënë ende vend, njëri nga ata, trupvogël, kokëmadh, me ca veshë llapushë e hundë të shtypur, të vockël, me barkun që i mbulonte gjunjët, ngriti dy gishtat në formë V-je në drejtim të kamerierit, duke shtuar fjalët: të mëdha. Ishte e kotë të kundërshtoje. Pasi u dhashë dorën, u rehatova dhe fillova të sodisja lojën e dritave mbi sipërfaqen e ujit. I lodhur nga e gjithë ajo ditë, nuk kisha dëshirë të ndërroja qoftë edhe një fjalë të vetme me askënd. Më mjaftonte në atë orë të vonë freskia e detit dhe shushurima e valëve që rrëshqisnin gjithë përtesë mbi rërë. Pas pak dëgjova shkoqur fjalët e mikut tim:
- Nuk duhet t’ua kishit miratuar lejet për pallatet e ngritura mbi rrënojat arkeologjike të qytetit. Edhe lagjet historike të qytetit po i zhdukni. Jeni duke bërë një krim...
- Epo, po nuk u ndërtua ku do të banojnë njerëzit? - m’u drejtua ai me kokën e veshët e mëdhenj, duke kërkuar me sy miratimin tim. Ai që foli m’u duk fytyrë e njohur.
-Ah, që nuk erdhët në drekë! Kisha pjekur në furrë një sinagridhe shtatë kiloshe. Kemi bërë qejf deri në drekë vonë...
- Epo do pak verë sipër ajo gjatë pjekjes, se i thahet mishi, - tha shoku i vet, biznesmen.
- Natyrisht që i hodha, madje italiane...
- Ah prefekti! - i thashë. -Nuk të njoha fare. Ke ndryshuar goxha.
- E mo, nuk kam ndryshuar, por kemi kohë pa u parë. Nuk është ndonjë post kushedi, të jesh prefekt. S’ia vlen kaq mundim për një rrogë një milionë lekë në muaj, që nuk më dalin as për birra e kafe me shoqërinë. Tani më janë qepur për t’u bërë deputet por nuk kam për të pranuar se vetëm telashe do të kem. Studion e avokatit e kam xhanëm. Sa herë shkoj në gjyq mblidhen dhe gjyqtarë të tjerë për të më dëgjuar, e për të mësuar. Le që tani kam edhe djalin e madh që është terribël, më kupton, terribël. Ka mbaruar studimet shkëlqyeshëm në Padova, e iu lutën ta mbanin atje, por nuk e lashë. Ka nevojë Shqipëria për njerëz të ditur. Pa provoji pak këta karkalecat se sapo janë kapur dhe janë vetëm me kripë e limon, janë krudo, e kupton? Në Tiranë nuk keni nga këto gjëra.
Donte me se s’bën të më tërhiqte vëmendjen e të më trysnonte. Pa fshehur bezdisjen, pashë nga miku im, që mbylli të dy sytë plot lezet, ku unë lexova fare qartë fjalët: Të lutem mos u nxeh! Në kohën e përmbysjes së sistemit, aty nga fillimi i viteve ’90-të, e kisha parë në mbledhjet e zhurmshme të kohës. Vërtitej i heshtur me fytyrën imcake të vrenjtur sikur gjithë kohën e shqetësonte diçka e madhe. Kur e pyesnin se çfarë po bëhej në fshatin e tij, ku punonte si mësues, nëse ishin ngritur strukturat e partisë së re, tundte kokën gjoja i menduar, duke belbëzuar ca “ncë, ncë, ncë’’, të zgjatura, pa kthyer përgjigje. Me fitoren e forcave demokratike e transferuan në qytet.
- Eh, ne e dimë se ç’kemi hequr me këto kërrmat komuniste. Por nuk u trembëm as nga presionet e as nga kërcënimet, - përsëriste poshtë e lart. Fjalët, “kërrmat komuniste” i përsëriste shpesh, për të treguar kështu përbuzjen dhe urrejtjen për ata të tjerët. Nuk i dhanë ndonjë post pas ndryshimit të qeverisë. -Boll e ka transferimin. Një mësues mediokër është, - ishin shprehur krerët e rinj të partisë, të sapo ardhur në pushtet. Sa herë më shikonte, do të afrohej me nxitim, do të më jepte dorën dhe do të më thoshte duke përkulur trupin:
- Si jeni zoti kryetar, si po shkoni? Lodheni ndopak, se detyra që keni është e vështirë. Po ata kolopuçët e vegjël? Ah, sa të lezeçëm që janë, - më pyeste për fëmijët, që si për çdo prind, ishin pika ime më e dobët.
- Varja, - thosha me vete, kur i dalloja shtirjen dhe bulëzat e djersës te balli i ngushtë. Çdo herë që shkoja në punë e gjeja te dera e jashtme. Fillimisht vetëm më përshëndeste. Më vonë afrohej, më zgjaste dorën e squllur, si të lagur me vaj dhe largohej. Një pasdite vonë, hyn sekretarja e shqetësuar. -Është miku juaj, ai mësuesi. Këmbëngul që ka biseduar me ju dhe po e prisni, - më thotë në mëdyshje. Emri dhe mbiemri nuk më kujtoi asgjë por ende pa kthyer përgjigje, koka e tij me qoshe, u shfaq te dera gjysmë e hapur. Mbante kostum dalë boje midis ngjyrave kafe e krem, por të pastër e të hekurosur. Kravata e zezë, me nyjën e vogël sa një lajthi, i valëvitej lehtë mbi barkun e futur gati ngjitur me kurrizin. Flokët i kishte prerë shkurt duke lënë të dilnin veshët llapushë me majë, si të lakuriqëve të natës; koka e madhe e vendosur në qafën e hollë ia nxirrte më në pah të gjitha rrudhat. Kostumi i rrinte pak i madh, sidomos xhaketa te supet dhe pantallonat te vithet e shtrembra, që trupi i tij prej kockanjari nuk i mbushte dot. Çantën e lëkurës, e shtrëngonte fort në ije. U fut pa i thënë, më përqafoi, më puthi në të dy faqet dhe u ul në karrigen përballë. Sytë e tij ndërkaq po lotonin. Nxori nga xhepi një shami gjysmë të zhubrosur dhe filloi t’i fshinte ngadalë. I mallëngjyer foli:
- Ah, m’u kujtua babai yt i ndjerë. Kanë qenë si vëllezër me babanë tim, por ai yti nuk arriti të shohë këto ditë të bardha. Fshiu përsëri sytë, uli kokën i pikëlluar dhe nuk u ndje më. I çuditur po vëreja gjithë këtë skenë qesharake të pakuptimtë. Im atë kishte vdekur njëzet vjet më parë, nga infarkti i miokardit dhe nuk mbaja mend të ishin shokë me babanë e tij. Kuptoja që kërkonte diçka nga unë po mënyra sesi po vepronte më zgjoi ca instinkte të vjetra dhe isha gati ta nxirrja me shkelma jashtë.
- Më thuaj ç’hall ke? - ia preva shkurt.
- Kam një hall të madh, por vetëm ti mund të më ndihmosh, se ty ta dëgjojnë fjalën. Ti e di sesa kam vuajtur unë nëpër fshatra dhe si kam punuar për të përmbysur këto kërmat komuniste. E mban mend kur na kërcënuan me vdekje në ’91-shin, kur u formua partia jonë? Por ja shyqyr që u bëre ti i madh e të na ndihmosh ne, fukarenjtë.
- Më shpjego shkurt çfarë do nga unë? - i thashë prerë, gati ta flakja nga dritarja. Unë nuk kisha qenë nga themeluesit e partisë së re dhe as më kishte kërcënuar njeri atë kohë. Më sqaroi se qeveria e re do të hapte kurse gjashtëmujore për juristë, ku do të çonte militantët e vet, me kusht që të kishin mbaruar shkollën e lartë.
- E ç’hyj unë në këtë mesele? Nuk merrem unë me këto, - thashë i çliruar. Më pa drejt në sy dhe ngriti lart gishtin tregues.
- Një, një telefonatë të bëni ju te kryetari i partisë dhe puna ime është e mbaruar. Kush ta prish ty? - buzëqeshi me cepat e buzëve.
- Nuk është puna ime po ik, hiqmu sysh, se e mora vesh!
- Shumë faleminderit zoti kryetar, je i madh! Vallahi ti je për ne fukarenjtë. - Se nga nxori një bidon plastik Coca-Cola, me raki, me etiketën e zhubravitur dhe e vuri mbi tavolinë. - Është ilaç, jo raki. Ta pish me miqtë e ngushtë. E kam bërë vetë. - përfundoi duke e lenë bidonin plastik në cepin e tavolinës.
- Merre atë, merre dhe zhduku! - i bërtita duke u ngritur në këmbë. Por ai ishte bërë erë. - Nuk duket gjëkundi, - më tha sekretarja, që e dërgova t’ia kthente, duke mbajtur e hutuar bidonin e rakisë në dorë. Dhashë urdhër të mos e lejonin herë tjetër të ngjitej lart në zyrën time. Mirëpo nuk qe e thënë. Në çdo orë të ditës e të natës, që të shkoja në shtëpi e gjeja te dera, duke pritur i përvuajtur dhe me sytë e ulur.
- Ma hiq qafe! - më tha një ditë gruaja, tepër e zemëruar. - Jepi ç’kërkon se nuk e duroj dot aty te dera, sa herë hyj e dal.
- A e kupton ti se çfarë kërkon ai apo jo? Do të bëhet gjykatës dhe nesër pasnesër hajde mbaje atë delenxhi. - Gruaja kapi me majat e gishtave trikon, e tundi sikur po largonte diçka të keqe nga vetja dhe nuk u ndje më. Kur dolëm në darkë për shëtitje buzë detit, ai ishte te hyrja e pallatit. Edhe kur u kthyem në mbrëmje vonë, ishte po aty.
- Zoti kryetar..., - mu neverit gjithçka dhe ia preva fjalën në mes:
- Nesër shko te kryetari i partisë dhe do të të presë ai. Këtu mos u duk më se do të të hedh nga shkallët! Mu afrua, më kapi dorën dhe e puthi duke më falënderuar përsëri me sytë e lotuar. Sa u futa në shtëpi mora në telefon kryetarin e partisë.
- Aman ore, në ke perëndi, futeni dhe atë mut në listë, se ka një muaj, që nuk më shkulet nga dera e shtëpisë. Po më fut në sherr edhe me gruan, - desha të sheqerosja pak muhabetin.
- Është shumë i pështirë dhe do të na hapë avaze më vonë. Nuk ia vlen, - mu përgjigj.
- More, hiqma qafe se më mërziti punën dhe shtëpinë. Më kupton...? Kisha arritur në një pikë ku nuk mbaja më. Nuk e pashë gjëkundi dhe pas pak kohësh e harrova krejt. Kishte arritur të regjistrohej dhe jo vetëm kaq. Ngado përmendte emrin tim, si mik të ngushtë familjar. Nuk qullosi gjë ato gjashtë muaj. Megjithëse kursi ishte sa për të shkuar radhën dhe për ironi profesorët që jepnin mësim kishin mbaruar të gjithë shkollat komuniste, notat që mori ishin të gjitha mjaftueshëm dhe nuk e çertifikuan. U ankua gjithandej se ai ishte militant i orëve të para, se në kurs kishte ardhur me rekomandim të veçantë nga i madhi i partisë dhe e kishin sulmuar profesorët komunistë, të cilët posaçërisht i kishin ulur notat. Provimin e formimit nuk e mori dot megjithëse nuk la derë pa trokitur. Kjo mungesë nuk e pengoi të emërohej në qytetin e tij të lindjes. Pushtetarët e rinj ashtu si dhe ata të regjimit të vjetër kujdeseshin që kudo të kishin njerëzit e tyre.
Në gjyqet e para që zhvilloi nuk arrinte dot të zgjaste as edhe çerek ore një seancë. Ngatërrohej me fjalët e veta, bëhej qull në djersë nga sikleti, harronte nenet e procedurës dhe shpesh bëhej qesharak. Më vonë filloi të mos fliste fare në seancat gjyqësore, dëgjonte avokatët, dëshmitarët, tundte kokën, vrenjtej e ngryste vetullat, si atëherë në kohën e zgjedhjeve të para, kur e pyesnin për fshatin. Me ndërmjetësinë e tij, gjykatësi dhe prokurori, binin dakord për shumat që do t’i merrnin palës fituese. Kurrë nuk ia kishte marrë mendja se mund të fitoheshin lehtësisht aq shumë para. I zhduku rrobat e vjetra. Kostumet, kollaret, këmishët dhe këpucët i blinte në Itali. Harroi misërniken, preshin, gjizën, qepët, fasulet, me të cilat ushqehej gjithë kohën në fshat. Filloi të kujdesej për ushqimin dhe u bë njohës i thellë i artit të të ushqyerit.
- Vetëm peshk, prodhime deti dhe verë, ky është rekomandimi i fundit i shkencës, - dërdëlliste poshtë e lartë kolegëve dhe të njohurve. Gjithmonë e paguante vetë tavolinën.
- Doni gjë tjetër, më thoni! E kam pa shaka, - përsëriste, duke nxjerrë portofolin. -Eh, ku keni para ju, - u drejtohej atyre me të cilët ndodhej në tavolinë. Nëpunës shteti jeni, - bënte ironi duke harruar se edhe vetë ishte i tillë.
Shkonte herë pas here në Tiranë, me portofolin plot. U bënte shokëve të ministrisë nga të cilët varej, dhurata, duke u thënë:
- Lëre tani se një gjë e vockël është, ja një orë dore, një kostum, një gjerdan floriri për gruan. As mos e përmend vlerën, - u thoshte miqve të rinj, megjithëse dhuratat nuk ishin kurrë nën qindra euro. Një ditë, ashtu si papritur, u gjend në postin e zëvendëskryetarit të Gjykatës.
- Epo nuk kemi punuar pak, dreqi e mori. Në fakt mu lutën ata të ministrisë, se nuk e kam me aq qejf. Je nga themeluesit kryesorë të partisë, ke rrezikuar jetën. S’kemi njeri më të besuar se ty, më thanë. Po hajt mo, - bënte duke lëpirë buzët e holla. Kishte zëra që thoshin se atë vend pune e kishte fituar duke i dhënë ryshfet të majmë, vetë ministrit të Drejtësisë. Filloi të shëndoshej pak e nga pak dhe lëkura e rreshkur iu zbardh e iu zbut. Shëndetin e vuri në bark, që i fillonte poshtë kërthizës dhe i varej mbi organet mashkullore, duke e penguar t’i shikonte ato lirisht. Në fytyrë e vuri vetëm te faqet, te mollëzat që i kërcyen para dhe i morën ngjyrë të zbehtë trëndafili. Fryrja e faqkave bëri që veshët dhe hunda t’i dukeshin më të vogla, por qafa i ngeli prapë e hollë e binte në kontrast me vithet e kërcyera. Goja e vogël me buzët e holla iu zvogëluan edhe më, duke iu mbuluar nga tuli i faqeve dhe pothuaj nuk i dukeshin. Shokët e vjetër, kryesisht mësues, me të cilët kishte punuar në fshat e pinte fërnet mëngjeseve, i braktisi pak e nga pak. Kur ata i vinin në zyrë për ndonjë hall ose padrejtësi që u ishte bërë, ua priste shkurt:
- Ju e kuptoni vetë, që unë nuk mund të ndërhyj, se drejtësia është e pavarur. Kjo që kërkoni ju është në kundërshtim me ligjet e shtetit, nuk ka kuptim. Po e drejta do të dalë, - përsëriste frazën që e kishte për zemër ndërsa i përcillte te dera. -Janë kothere, kanë mbetur bythëgrisur. Vijnë këtu pa kokërr leku në xhep e kërkojnë drejtësi, - i ankohej sekretares së vet. - Mos m’i sill më këtu dakord? Le të thonë që e kemi shok të ngushtë, shok shkolle, vegjëlie, o ku e di unë. Ohu! - sillej si i nxehur.
- Dakord, shef! Si të thoni ju, shef! - përgjigjej sekretarja, një mesogrua e shëndoshë që të gjithë e thërrisnin me nofkën “Baxhella”. Ishte një kushërirë e gruas së vet, që dinte të përpilonte shkresat e të ruante sekretin. E shoqja ia kishte vënë nga prapa për t’u informuar mbi gjithçka, por sidomos për paratë e fituara. Kur mendoi se punët i kishte vënë në vijë, ndodhi diçka e paparashikuar.
- U bë dikush shkak (një shkërdhatë, ishte shprehur midis “miqve” të vet) që ta pushonin nga puna, madje t’i hiqnin të drejtën e ushtrimit të profesionit si gjyqtar. Ishte rasti i një vrasjeje të bujshme të ndodhur në qytet. Pas dy muajsh burg vrasësi u lirua. Sesi arriti ta nxirrte të pafajshëm dhe të falsifikonte të gjitha provat dhe dëshmitë kjo përbënte një histori më vete. Me dhjetëra letra iu drejtuan kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë nga pala e dëmtuar dhe nga qytetarë të thjeshtë. Komisioni i dërguar posaçërisht nga ministria vuri re shkelje të rënda të ligjit. Kjo për të ishte gjëmë. Deri atëherë kishte bindjen se me para gjithçka arrihej. Miqtë e rinj në kryeqytet dhe kolegët iu larguan me marifet. Por ajo që e tronditi thellësisht ishte celulari që nuk cicërinte më. Më parë kudo që ndodhej, çdo pesë minuta ai binte. E vendoste gjithë seriozitet te veshi dhe largohej nga njerëzit. Kthehej pas pak gjoja i bezdisur dhe bënte një “pëf, pëf’’ të zgjatur.
- Mor po na grinë, nuk na lenë rehat as të hamë bukë, - thoshte. Pastaj shtonte me zë të ulët: Eh! Ishte Prokurori i Përgjithshëm. E di unë, që nuk ia dalin dot pa mua... Tashmë, i ngelur pa punë, merrte telefonin, e vërtiste në duar, shihte fushën blu në ngjyrën e flamurit të partisë, shikonte komandat dhe vërtetonte se të gjitha funksiononin. Thjesht nuk i telefononte njeri, madje dhe gruaja kishte filluar ta merrte më rrallë.
- Qelbanikët, aq e kishin hallin, tani nuk duan t’ia dinë më për mua. Sikur nuk i njoh unë ata hajdutët e ministrisë madje edhe ministrin vetë. E kujt i hiqen shenjtorë ata? Po sa gjyqe u kam dhënë unë atyre vetëm me një fjalë? Po dhurata sa u kam çuar? Tani bëjnë të ndershmin, por ama jo me mua, me Edvin Veshin. Bëri një plan të detajuar sesi do të arrinte të ringrihej dhe sidomos të fitonte pafajësinë. Do t’u jepte aq para sa t’i kërkonin madje edhe këpucët do t’ua lëpinte, po qe nevoja. Sa të hidhte lumin se pastaj e dinte vetë! Ohu, sa gjëra kishte mësuar ato vjet! Zëvendësministri që ia mori përsipër shqyrtimin e ankesës në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ia tha copë:
- Shtatëdhjetëmijë dollarë kushton shqyrtimi i ankesës dhe dhënia e pafajësisë, por ama nuk do të kërkosh të rikthehesh në detyrë se është me spec puna jote. Tridhjetëmijë për liçencën e avokatisë që do ta marrësh pas përfundimit të gjyqit dhe shifra rrumbullakoset, njëqindmijë. Mori me qira një hyrje dhomë e guzhinë në kryeqytet, që ta ndiqte nga afër shqyrtimin e ankesës së tij. Çdo ditë, sipas një plani të hollësishëm, shtronte dreka e darka për titullarët e institucioneve të Drejtësisë, inspektorët, administratorët e shoferët. Jepte para nën dorë për përshpejtimin e procesit të letrave, të korrespondencave, plotësimit të të dhënave, inspektorëve të thjeshtë e sekretareve të shumta.
-Nuk dua asgjë! - betohej e stërbetohej. - Vetëm dua drejtësi. Sa të marr pafajësinë, pa mësues do të shkoj të punoj sërish. Jemi njerëz fisnikë ne, jemi soj i fisëm, - nuk linte rast pa i thënë këto fjalë. Harxhoi gjithçka kishte fituar. Ndërkohë përhapi fjalë se nuk do të kthehej më në gjyqësor e të merrej me plehra.
- Nuk dua t’i shoh më sytë gjyqësorit. Të gjithë gjyqtarët kërrma komuniste janë, - përsëriste shprehjen e vjetër. - Për mua rëndësi ka ta marrin vesh të gjithë që jam i pafajshëm. U kthye në qytetin e tij triumfator, pas katërmbëdhjetë muaj betejash me Drejtësinë. Në xhepin e brendshëm të xhaketës kadife, bashkë me portofolin prej lëkure blerë në Firence, kishte dhe lejen e ushtrimit të avokatisë. Sapo mbërriti në qytet, liçencën e vuri në një kornizë të kushtueshme.
- Ja ç’më bënë, më rruajtën këto, - thoshte anë e mbanë i krekosur dhe kapte testikujt me dorë. Hapi një zyrë të vogël avokatie, me dritare me zgarë hekuri si ato të burgut, vendosi tavolinë me hark, kompjuter, printer, fotokopjen, perde të gjitha të reja. Muret, i leu në blu të thellë. - Ah, nuk heqim dorë nga bluja ne jooo! I kemi dhënë fjalën komandantit, - thoshte gjithmonë, duke nënkuptuar të madhin e partisë.
- Është njësh, - filluan ta ndërronin pllakën njerëzit. - E ka pak dorën e rëndë, por ama të mbaron punë. Të tjerë në qytet filluan ta përgojojnë se bënte sekserin midis prokurorit dhe gjykatësit dhe po bënte para të madhe, duke mbrojtur kriminelët. Kur pa që punët po trasheshin dhe po merrnin erë deklaroi:
- Nuk jam mirë me shëndet. Do të bëj ca pushime. Nja dy muaj e mbylli studion. Filloi të merrej me çështjen e pronave të tokave se aty po bëhej para e madhe.
- Boll me kusarë e banditë. Tani do të merrem me avokatinë e pronave. Kjo punë ka para të madhe dhe jam rehat. Ke për të parë që do të bëjmë pallë e paratë do të rrjedhin lumë, - i tha të shoqes. Le të emëroheshin kolegët e tij nëpër ministrira e drejtorira. Në tjetër vend nxirrej leku, tjetër punë të bënte të pasur. Po të kishte para mund të punonte ku të donte. Mori me qira një zyrë të re shumë herë më të madhe se e para.
- I thashë arkitektit, kërko sa të duash, vetëm më bëj një zyrë që të mos e ketë njeri në qytet. Natyrisht ca mendime ia dhashë unë, jo vetëm për ngjyrën, - thoshte me mburrje, duke treguar nja dy piktura me vlerë dhe vazot e mëdha me bimë ekzotike.
Nga natyra ishte llafazan dhe mburravec por kur vinte puna për çështje të holla profesionale nuk ishte i aftë që bisedën ta çonte deri në fund. Atëherë i dha karar. Sa herë me kolegët diskutoheshin çështje ligjore mbante kokën midis pëllëmbëve dhe bënte: - Eh, eh, sa interesante ishte, ë? Eh, kështu janë këto punë nuk ke ç’i bën po të shohim. Do të vejë e drejta tek i zoti! Në raste të veçanta rrinte me orë pa folur, gjoja mendohej thellë dhe përsëriste: - Vonon e drejta por del në shesh. Keni për ta parë. Thëniet e tij gjysmake kolegët i kalonin me shprehjen: - Lere dreqin se ku merr vesh ai. Vetëm të qeshë si majmun e të tundë kokën di. Por emri vazhdonte të përmendej si punëmbaruar. Asnjë nuk e kishte parë të fliste në ndonjë gjyq, asnjëherë nuk ishte dalluar për ndonjë fjalim në seancat gjyqësore. Rrinte aty në cep, fliste pak ose aspak dhe ndërhynte ndonjëherë gjoja i revoltuar: - Nuk keni të drejtë të ofendoni. Vendimi nuk është dhënë dhe çështja është ende në proces. Tundte kokën në mënyrë mosaprovuese dhe vazhdonte të murmuriste gjoja i nxehur. Me mbarimin e seancës fuste dosjen prej meshini nën sqetull, zbriste shkallët dhe fliste me zë të lartë: - Keni për të parë ç’kam për t’u punuar. Këta nuk janë gjyqtarë, janë pjella të regjimit të kaluar, kërrma komuniste. Prona duhet të vejë te i zoti, por e di unë pse bëhen këto gjëra. Në gjyqet e tokave po i ecte puna. Paratë filluan të derdheshin përsëri lumë. Bashkë me gruan kalonin net pa gjumë për t’i palosur e fshehur. Dërgoi fëmijët për studime jashtë shtetit, për jurisprudencë, siç shprehej vetë...
- E kemi traditë drejtësinë. Babai im ka studiuar jashtë shtetit. Djemtë e mi e kanë të hapur rrugën. Kanë studio me emër, shtëpi këtu dhe në bregdet, kështu që... - Qeshte i lumtur për atë që kishte arritur për vete, për fëmijët dhe lartësimin e emrit të Veshajve. Dy muaj më vonë u katapultua në detyrën e prefektit të qarkut. Pëshpëritej që postin e kishte blerë.
- Keni bërë gabim që keni lejuar të ndërtohen pallate në zonat arkeologjike. Kjo është e kundraligjshme, - po këmbëngulte miku im.
- Jo, jo, nuk kemi bërë aspak gabim. Ne nuk i kemi kaluar ashtu kot. Sa leje kanë kërkuar socialistët, aq kemi kërkuar ne për demokratët e kupton? Domethënë prefektura i kalon lejet e ndërtimit, por kur kryetari socialist i Bashkisë miraton edhe ato që i kërkojmë ne. Apo jo? - iu drejtua shokut të vet ndërtues, një korrozi, që gjatë gjithë kohës spërkaste me limon guaskat, vendoste gjuhën si lopatë poshtë tyre dhe i rrufiste gjithë zhurmë.
- Po ne ku do hamë, ë? - qeshi korroziu. Thirra kamerierin për të paguar. - Jo, jo, kjo nuk ka kuptim. Kaq detyrime i kemi ne për ju, - m’u drejtua. I bëri shenjë kamerierit dhe ky menjëherë u largua pa më marrë lekët.
- Kam dëgjuar që keni mbetur pa punë dhe keni filluar të merreni me shkrime? Bravo, bravo! Në fjalët e tij dallohej qartë ironia. Kjo më tërboi, por ia dola të mos them asnjë fjalë.
- Mirë ta bëri! Oh, sa mirë ta bëri! - përsëriti miku im dhe ai i zemëruar. - Ti me shokët e tu na i bëtë peshqesh, apo e ke harruar si të jargavitej dikur. Tani ata janë bërë shumë dhe bëjnë ligjin kudo. Ktheva kokën prapa dhe pashë prefektin tek i pëshpëriste i buzëqeshur diçka në vesh shokut të vet, duke picëruar sytë në drejtimin tim. Atë çast do të doja që koha të ndalej pak se kishte filluar të rrokullisej aq vrullshëm sa unë nuk po e kapja dot ritmin. Kishte kaluar mesi i natës. Nga majat e kodrinave mbushur me ullinj po shfaqej hëna e plotë pesëmbëdhjetëshe, duke ngjyer me të verdhën e saj prej meiti, detin dhe gjithçka tjetër përreth.
© Gëzim Zilja



