Kundërmësymja, nga vetvrasje kolektive në kasaphanë masive - Nga Dritan Goxhaj
- Published in Andej-Këtej
Pjesa e parë
Në këtë botën tonë të vogël e delikate, sa herë që të mëdhenjtë kanë vendosur të bëjnë luftra, të paktën që nga koha që bota ishte ndarë nga Lufta e Ftohtë e deri më sot, të gjithë e kemi pyetur veten se si do të ishte një përballje ushtarake midis këtyre të mëdhenjve. Më specifikisht midis këtyre dy blloqeve, atij të NATO-s dhe atij të Traktatit të Varshavës, por që edhe ky llogaritet si rus pasi gjithçka në atë traktat ishte ruse, që nga armatimi e deri te doktrina.
Tashmë kjo përplasje për të cilën e kemi pyetur veten po ndodh. E di që të gjithë do thoni se ka nisur para një viti e gjysëm në Ukrainë. Por realisht, një përplasje doktrinash ushtarake dhe mjetesh po ndodh vetëm tani.
Kjo ka nisur para 6 javësh, më datën 4 qershor, me nisjen e kundërmësymjes ushtarake të Ukrainës. Një kundërmësymje kjo që është planifikuar nga gjeneralët e NATO-s dhe të Pentagonit bazuar mbi doktrinën e tyre.
Një kundërmësymje që po kryhet e gjitha me teknikë ushtarake të NATO-s dhe me trupa që janë stërvitur e përgatitur po nga NATO në bazat e saj në Evropë.
Pas luftës së Gjirit në 1991, bazuar mbi rezultatet e asaj lufte, amerikanët ndërtuan një doktrinë të re ushtarake për vete dhe që prej vitit 2010 kjo doktrinë është adoptuar totalisht edhe nga NATO.
Kjo doktrinë njihet me termin Ajër-Det-Tokë. Ajo parasheh përdorim të gjërë dhe të kombinuar të këtyre tre komponentëve (armeve) ushtarakë për të arritur një sukses në çdo mësymje dhe kundërmësymje. Por le ti hedhim një vështrim kësaj doktrinë në fushën e betejës në Ukrainë.
Kjo doktrinë fillon më ajrin dhe kjo nënkupton të gjitha kapacitetet ajrore që ndahen në dy komponentë. Në mbrojtjen kundërajrore dhe aviacionin.
Në konteksin e Ukrainës të dy këta komponentë janë pothuajse joegzistentë. Tashmë Ukraina posedon vetëm një numër të pakët avionësh luftarakë që nuk i kalojnë gishtat e një njeriu. Vetëm në javën e parë të kësaj kundërmësymje ajo humbi 6 avionë luftarakë. Gjithashtu edhe mbrojtja kundërajrore e saj nuk ekziston më ashtu si ishte në fillimet e kësaj lufte. Kjo mund të vërehet nga goditjet me raketa Kruiz që rusët kanë bërë gjatë këtyre 6 javëve ndaj qëndrave të mëdha të grumbullimit të personelit dhe armatimit të Ukrainës. Goditje këto që Ukraina nuk ka mundur t’i parandalojë me anë të mbrojtjes së saj kundërajrore.
Rezultati: Ajri në aplikimin e kësaj doktrine të NATO-s në Ukrainë është joekzistent.
Pjesa e dytë e kësaj doktine përcakton detin dhe këtu kjo ndahet në dy komponentë. Në forcën detare, anije dhe luftanije, si dhe në kapacitetin raketor që mund të lëshohet nga këto anije.
Në konteksin e Ukrainës të dy këta komponentë të pjesës doktrinale të detit nuk ekzistojnë. Kjo pasi rusët i kanë goditur dhe mbytur të gjitha anijet ushtarake të çdo tipi të Ukrainës.
Rezultati: Deti në aplikimin e kësaj doktrine të NATO-s në Ukrainë është joekzistent.
Pjesa e tretë e kësaj doktrine përcakton tokën dhe kjo ndahet në katër komponentë. Në forcën e motorizuar dhe të blinduar, në të cilën hyjnë tanket dhe transportuesit e blinduar, në artilerinë tokësore të çdo lloji e kalibri. E treta në sasinë e forcave dhe përgatitjen e tyre dhe e katërta në logjistikën
Në konteksin e Ukrainës këta janë të vetmit komponentë që ajo posedon, por duke i parë më nga afër ata, do të arrijmë të kuptojmë mundësinë e aplikimit të kësaj doktrine.
Komponenti i parë është ai forcës së motorizuar të blinduar, d.m.th. të tankeve dhe autoblindave. Në këtë kundërmësymje që Ukraina ka nisur, kjo forcë përbëhet nga mjete të prodhimit totalisht perëndimor të standarteve të NATO-s. Në total vetëm për këtë kundërmësymje NATO i dha Ukrainës një sasi prej 800 tankesh të prodhimeve dhe modeleve të ndryshme. Vetëm kjo përbën një problem të madh për Ukrainën në anën logjistike, pasi secili tank në varësi të vëndit të prodhimit ka edhe llojin e predhës. Për të qënë më të qartë: është e vërtetë se edhe tanku gjerman Leopard edhe ai anglez Ҫalenxher përdorin predhë topi 150mm, por ama standarti i tyre nuk është i njëjtë. Pasi predha e topit të tankut gjerman nuk i shkon atij anglez dhe anasjelltas.
Gjithashtu siç edhe është parë gjatë kësaj kundërmësymje këto 6 javë, tanket gjermanë dhe ata francezë kanë dështuar totalisht në fushën e betejes, pasi jo vetëm që nuk iu kanë rezistuar dot fushave të minuara nga rusët, por as nuk kanë mundur t’i rezistojnë as goditjes së artilerisë. Ndërsa tanket anglezë nuk janë parë fare në fushën e betejës. Kjo pasi anglezët pasi mësuan se si përfunduan tanket gjermanë, kanë vënë kusht që tanket e tyre të mos përdoren në vijën e parë të frontit. D.m.th. ukrainasit mund t’i përdorin tanket anglezë vetëm për parada dhe filimime në Facebook.
Vetëm në muajin e parë të kësaj kundërmësymje ukraina ka pranuar se ka humbur 180 tanke të prodhimeve të ndryshme.
Komponenti i dytë në këtë pjesë të tretë të doktrinës është artileria tokësore. Edhe për këtë kam folur edhe në disa shkrime të mëparshme, por edhe vetë ukrainasit. Së fundi edhe vetë Presidenti Zelensky deklaroi se në raport me rusët artileria ukrainase është gati 1 me 8 në favor të rusëve.
Komponenti i tretë i pjesës së tretë të kësaj doktrine është sasia dhe përgatitja e forcave. Kjo hyn në atë që në terminoligjinë ushtarake njihet si gatishmëria luftarake.
Sipas fjalorit Enciklopedik Ushtarak Shqiptar gatishmëria luftarake përkufizohet: “gjëndja që përcakton shkallën e të qënit gati të efektivit të të gjitha llojeve të armëve e shërbimeve dhe të mjeteve tekniko-ushtarake për plotësimin e detyrave luftarake në të gjitha llojet e luftimit. Përbërësi kryesor i gatishmërisë luftarake është përgatitja luftarake e trupave, kuadrove, shtabeve dhe komandave”.
Për të pasur një ide sa më të qartë të kësaj gatishmërie do të shohim klasifikimin e kësaj gatishmërie sipas vetë NATO-s.
1. 80% -100% gatishmëri luftarake
Bëhet fjalë për një ushtri në kapacitetin e sajë të plotë luftarak me trajnime, paisje dhe logjistikë të gatshme për çfarëdo lloj lufte.
2. 60% - 80% gatishmëri luftarake
Në këtë rast kemi të bëjmë me një ushtri e cila mund të përballojë të njëjtin intensitet beteje si më parë, por me humbje të konsiderueshme të trupave. Në këtë rast nevojitet një mobilizim masiv për të zëvendësuar trupat e humbura.
3. 40% - 60% gatishmëri luftarake
Në këtë rast do të thotë se aftësia e vendit për të prodhuar dhe mbajtur municionin dhe paisjet e veta është degraduar seriozisht. Për të arritur të zëvëndësohen humbjet logjistike duhet të ringrihet nga e para rrjeti logjistik i ushtrisë. Kjo do të thotë se në këtë fazë duhen më shumë njerëz në sektorin logjistik sesa duheshin më parë.
4. 20% - 40% gatishmëri luftarake
Në këtë rast trupat nuk mund të trajnohen më në vend dhe duhet të dërgohen jashtë për çdo lloj trajnimi. Mund të rezistohet në fushën e betejës për të mbajtur një pozicion, por vetëm me humbje të mëdha në mjete dhe trupa. Në këtë fazë humbja e trupave është më e lartë sesa shkalla e zëvendësimit të tyre nga trupa të trajnuara. Kohezioni i trupës pothuajse nuk ekziston. Gatishmëria luftarake është gjithnjë në rënie të shpejtë dhe është pothuajse e pamundur për të zhvilluar një luftë tokësore të motorizuar dhe blinduar. Në këtë fazë është i nevojshëm mobilizimi i përgjithshëm.
5. 0% - 20% gatishmëri luftarake
Në këtë fazë kemi të bëjmë me kolaps total të ushtrisë. Në këtë fazë trupat nuk janë të trajnuara në mënyrë adekuate dhe nuk arrijnë as të përdorin si duhet mjetet luftarake në mënyrë individuale, as në grup dhe as në formacione më të mëdha sesa toga. E vetmja mënyrë për të mbijetuar është tërheqja në zona të mëdha të banuara.
Bazuar mbi këtë standart të NATO-s dhe mbi deklaratat e vetë NATO-s rezulton se Ukraina ndodhet në nivelin e katërt (4) të gatishmërisë luftarake.
Komponenti i katërt i pjesës ë tretë të kësaj doktrine është llogjistika. Duke qënë se gatishmëria luftarake e ushtrisë ukrainase ndodhet në nivelin e katërt të standarteve të NATO-s, kjo do të thotë se edhe kapaciteti logjistik i saj është pothuajse i shkatërruar. Në këtë pikë ajo nuk është në gjëndje të furnizojë trupat e saj në front me sasinë e nevojshme të mjeteve, trupave dhe municioneve që duhen për të mbajtur tempon e një operacioni ose të kundërmësymjes.
Rezultati: Toka në aplikimin e kësaj doktrine të NATO-s në Ukrainë është në nivelin 40%.
Në aplikimin e kësaj doktrine Ukraina posedon vetëm 20% të kapaciteteve të saj të ajrit, 0% të kapaciteteve të saj të detit dhe 40% të kapaciteteve të saj të tokës. Që në total do të thotë se Ukraina arrin të përmbushë vetëm 20% të kapacitetit të kësaj doktrine. Dhe me këtë kapacitet ajo u shty drejt një kundërmësymje.
Fjalori Enciklopedik Ushtarak Shqiptar e ndan kundërmësymjen në dy faza: në kundërmësymje të përgjithshme dhe kundërmësymje strategjike.
“Këto kundërmësymje fillojnë vetëm atëherë kur arrihet përqëndrimi i forcave dhe mjeteve në drejtimin e goditjes, kur arrihet me sukses krahëmarrja dhe shpinëmarrja, si dhe është siguruar befasia e mësymjes, në këtë pikë duhet të arrihet bashkveprimi ndërmjet të gjitha llojeve të forcave, armëve dhe shërbimeve”.
Në këtë kundërmësymje befasia nuk ekzistonte, pasi vetë Pentagoni dhe NATO kishin 6 muaj, që deklaronin përditë se në fillim të verës do të nisnin kundërmësymjen. Duke humbur befasia humbi edhe aftësia për të përqendruar trupat e nevojshme në drejtimet e goditjes. Me humbjen e këtyre të dyjave, humbi plotësisht edhe mundësia për të realizuar sulme të suksesshme për të marrë krahët.
Duke mos pasur mundësinë e ajrit, marrja e shpinës nuk është në diskutim fare. Por duke qënë se më lart shpjeguam se në këtë pikë Ukraina nuk posedon të gjitha llojet e armëve dhe shërbimeve, i bie që nuk ka as koordinim të tyre dhe kështu nuk ka mbulim të trupave në vijë të parë të frontit, të cilat si rrjedhojë logjike e gjithë këtyre mungesave janë duke humbur në mënyrë katastrofike.
Por ajo që më çudit në gjithë këtë mejhane është se të njëjtën analizë që e bëj unë, janë në gjendje ta bëjnë në mënyrë shumë herë më të detajuar edhe gjithë gjeneralët e NATO-s dhe të Pentagonit. Të cilët të vetëdijshëm se Ukraina nuk ka asnjë kapacitet as teorik e as ushtarak që të përballet në këtë fazë me ushtrinë ruse, e detyruan atë të ndërmarrë një kundërmësymje të tillë dhe kjo do të thotë që t’i çosh ukrainasit drejt vetëvrasjes. Por duke qënë se për një muaj kundërmësymje ajo ka humbur rreth 20 mijë forca, të vrarë e të plagosur, i bie që NATO e ka shtyrë Ukrainën drejt një vetëvrasjeje kolektive. Dhe nxitja me vetëdije drejt vetëvrasjes kolektive është thjesht krim kundër njerëzimit.
Pjesa e dytë
Në pjesën e pare fola për doktrinën e NATO-s dhe të SHBA së bashku. Por edhe rusët e kanë një doktrinë. Në përgjithësi çdo ushtri e ka një doktrinë.
Sipas Fjalorit Enciklopedik Ushtarak Shqiptar, Doktrina Ushtarake shpjegohet si “Tërësia e pikpamjeve dhe parimeve themelore, të pranuara zyrtarisht, nga të cilat udhëhiqet veprimtaria e forcave të armatosura për të përmbushur misionin në mbështetje të objektivave strategjikë. Doktrina ushtarake është një sistem parimesh e pikëpamjesh të përpunuara, që lidhet me lindjen e ushtrive masive dhe shtrirjen e vijës luftarake (VL) në kohë dhe në hapësirë. Në kohën e sotme, Doktrina Ushtarake konceptohet si doktrinë e përbashkët e të gjitha llojeve të forcave”.
Por le ta thjeshtojmë disi për të qënë më të kuptueshëm. Një Doktrinë është një manual “si të përdorësh një ushtri”, ose më qartësisht se si të veprosh me ushtrinë në rrethana dhe kushte të caktuara.
Rusët e kanë konceptuAr një doktrinë për luftë tokësore me të gjitha llojet e armëve dhe shërbimeve në shkallë të madhe në fillimet e vitit 1943 dhe e vunë në përdorim për herë të parë në betejën e Kurskut.
Pas Luftës së Dytë Botërore kjo lloj doktrine pësoi ndryshime dhe zhvillime, por baza e saj mbeti e njëjtë dhe organizimi ushtarak po i njëjtë. Pas shpërbërjes së Traktatit të Varshavës edhe rusët e ndërruan doktrinën e tyre dhe futën në organizimin e ushtrisë batalionet dhe regjimentet gjitharmëshe. Me këtë lloj sistemi rusët e nisën edhe Operacionin Special në Ukrainë në shkurt të vitit që shkoi.
Duke qënë se lufta në Ukrainë u shndërrua shpejt në një përplasje midis Rusisë dhe gjithë Perëndimit, me të gjithë potencialin dhe burimet e tij që mund të përdoreshin nga ukrainasit gjatë gjithë kohës, atëherë rusët e panë të arsyeshme dhe nga mesi i vitit që shkoi ata iu rikthyen sërish Doktrinës sovjetike me formacione në shkallë të gjerë. Dhe i zëvëndësuan batalionet dhe regjimentet gjitharmëshe me brigada, divizione, korpuse, armata dhe korparmata.
Tashmë rusët po kombinojnë dy doktrina së bashku. Atë sovjetike dhe atë të krijuar prej tyre në vitin 2014.
Në doktrinën sovjetike parashihet koncepti i mbrojtjes pozicionale aktive. Sipas Fjalorit Enciklopedik Ushtarak Shqiptar ajo shpjegohet si “lloj mbrojtjeje pozicionale e ndërtuar pa shkëputje, me shumë vija, pozicione zjarri, rajone dhe breza, në varësi nga sasia e forcave dhe mjeteve që vendosen në to. Organizohet me qëllim që të mbrohet me këmbëngulje rajoni, brezi ose zona e mbrojtjes nëpëmjet zjarrit të fuqishëm dhe kundërsulmeve e kundërgoditjeve. Vetitë kryesore të saj janë: qëndrueshmëria, aktiviteti luftarak dhe përkohshmëria e mbrojtjes”.
Ndërsa në Doktrinën e viti 2014 rusët kanë koncpetuar mbrojtjen si mbrojtje të manovrueshme dhe sipas Fjalorit Enciklopedik Ushtarak Shqiptar ajo shpjegohet si “lloj mbrojtjeje që përdoret për të fituar kohë dhe për të ruajtur forcat dhe mjetet nëpërmjet dëmtimit të vijueshëm me zjarr e kundërsulme dhe asgjësimit pjesë-pjesë të armikut. Sipas këtij koncepti, pala mbrojtëse mund të lëshojë edhe pjesë të tërritorrit për të asgjësuar kundërshtarin në thellësi të vëndit”.
Aktualisht në luftimet që po zhvillohen tashmë në këtë kundërmësymjen ukrainase rusët po i aplikojnë tërësisht këto dy doktrina në mënyrë të kombinuar. Ata për të arritur të realizojnë këtë mision mbrojtës dhe asgjësues, njëkohësisht kanë organizuar zonën mbrojtëse në nivel divizoni dhe armate duke e ndarë atë në tre pjesë: 1. Zona e mbulimit; 2. Zona e betejës kryesore; 3. Zona e mbështetjes direkte dhe prapavijës.
Qëllimi i zonës së parë është që të detyrojë armikun të përqëndrojë forca dhe mjete dhe të ndërrmarrë një lloj ofensive për të tentuar të kapërcejë këtë zonë e cila e ka thellësinë nga 10-15 km dhe është një zonë e mbushur me minim të dëndësuar dhe me pozicione zjarri në disa vija dhe breza. Në këtë zonë vendosen trupa të këmbësorisë si dhe brigada tankiste. Në këtë vijë aplikohet tërësisht dhe kryesisht koncepti i mbrojtjes së manovrueshme.
Zona e dytë, është zonë tërësisht e fortifikuar në të paktën tri vija të fortifikuara kundratanke dhe disa vija të fortifikuara kundër këmbësorisë. Kjo zonë shtrihet në një thellësi nga 15 deri në 20 km. Kjo është zona ku është parashikur të bëhet beteja kryesore me forcat armike dhe ku është edhe përqëndrimi më i madh i forcave mbrojtëse, ku përqëndrimi i trupave është në varësi të drejtimit të goditjes së armikut i cili parashikohet të ketë arritur të shkatërrojë zonën e parë dhe ta ketë marrë atë totalisht nën kontroll.
Ndërsa zona e tretë e cila i përket prapavijës si dhe mbështetjes direkte në të cilën hyjnë të gjitha llojet e artilerisë si dhe aviacioni, shtrihet që nga mbarimi i zonës së dytë e deri në thellësi të vendit. Në këtë rast ajo shtrihet deri në pikën ku fillon gadishulli i Krimesë, d.m.th. një zonë me thellësi prej gati 30 km. Këtu është përqëndruar pothuajse edhe gjithë logjistika e nevojshme bazë për trupat në vijën e luftimit.
Bazuar mbi atë që shpjeguam më lart, u bënë 6 javë që kundërmësymja e Ukrainës po zhvillohet vetëm në zonën e parë, në atë që njihet si zona e mbulimit. Dhe këtu ukrainasit nuk kanë arritur të përparojnë aspak. Tek-tuk kanë arritur të ecin diku vetëm nja 2 km, por edhe atë zonë më pas janë detyruar ta rilëshojnë sërish.
Kjo thamë është zona me dëndësi të madhe minimi, të të gjitha llojeve të minave. Dhe këtë minim NATO dhe gjithë gjeneralët e saj nuk arritën as ta parashikojnë dhe as ta shikojnë.
Nëse ju kujtohet, para ca muajsh rusët rrëzuan një dron survejimi amerikan mbi Detin e Zi. Ai veprim nuk ishte thjesht një veprim për të treguar forcën, por një veprim me qëllim të mirëfilltë taktik ushtarak. Pasi pas atij rrëzimi tashmë dronët e survejimit të NATO-s u tërhoqën 170 km më mbrapa.
Kjo do të thotë që ata nuk janë në gjendje të shohin se çfarë po bëhët në vijën ë parë, në Zonën e Mbulimit. Pasi këta avionë kanë aftësi të shohin objektiva në tokë vetëm në një largësi 400km. Duke u tërhequr, ata nuk mund të arrijnë të mbulojnë më këtë zonë. Në këtë mënyrë rusët për një periudhe vetëm 4 mujore arritën të bëjnë një minim të tillë pa u diktuar fare nga NATO.
Tashmë gjeneralët e NATO-s e panë që kjo zonë është e pamundur të çahet me mjete të blindura, përfshi edhe tanket, me anë të të cilave ukrainasit po çoheshin drejt vetëvrasjes kolektive, ndaj dhe ata kanë vendosur që ukrainasit të sulmojnë vetëm me këmbësori dhe jo më me mjete të blinduara. D.m.th. tani, nga një vetvrasje kolektive kjo po kthehet në një kasaphanë masive për ukrainasit, pasi kjo zonë jo vetëm që është e minuar dëndësisht edhe me mina anti-personel, por ajo është e mbuluar me pozicione zjarri të shpeshta dhe në disa vija.
Mbështetjen e kësaj çmendurie gjeneralët e NATO-s po e bëjnë nëpërmjet një propagande tepër djallëzore. Shefi i Shtabit të Mbrojtjes të Britanisë, Admirali Sër Toni Radikin vetëm disa ditë para fillimit të kundërmësymjes ukrainase raporton para Parlamentit Britanik se Rusia ka humbur 2500 tanke dhe si rrjedhojë ka humbur gatishmërinë luftarake.
Por sipas një përllogaritje të thjeshtë matematikore na rezulton:
Një brigadë tankesh ruse posedon 100 tanke. Admirali thotë se i janë shkatërruar 2500 tanke që pjesëtuar për 100 i bie 25 brigada. Një brigadë ka nga 4-5000 forca. Për t’i bërë qejfin admiralit dhe gjithë “gjeneralëve” të tjerë të Facebook, po e llogarisim një brigadë ruse me maksimumin e forcave, pra me 5000 forca. Po t’i shumëzojmë këto me numrin e brigadave të shkatërruara sipas admiralit, na rezulton një sasi prej 125,000 forcash të shkatërruara, të asgjësuara e të nxjerra jashtë luftimit.
Duke ditur që rusët kanë angazhuar në operacionin luftarak në terren 300,000 forca luftarake dhe duke qënë se 25 brigadat tankiste janë forca luftarake, të cilat siç e thamë më lart janë të vendosura kryesisht në zonën e parë, në zonën e mbulimit, i bie që Rusisë t’i kenë mbetur vetëm 175,000 forca luftarake.
Me një forcë të tillë të degraduar dhe po qe se do të ishte e vërtetë, me një gadishmëri të tillë luftarake të përgjysmuar, forcat ukrainase tashmë duhet të ishin në dyert e Krimesë, e cila ndodhet vetëm 66 km larg vijës së luftimit. Ndërsa në të vërtetë forcat ukrainase nuk kanë arritur as të thyejnë vijen e luftimit dhe të hyjnë në zonën e pare.
Pra admiralit ose i mungon njohuria bazë ushtarake e oficerit, ose ai është kthyer thjesht në një komisar politik, ku detyra e vetme është që të nxisë ukrainasit të besojnë komplet diçka tjetër nga realiteti.
Unë jam i mendimit se as admiralit, por edhe të tjerëve gjeneralë të NATO-s dhe Perëndimit nuk iu mungojnë njohuritë, por tashmë kur e kanë parë që kanë dështuar totalisht në përdorimin e doktrinës së tyre në Ukrainë, për çdo ditë po i largohen qëllimit që doktrina përfaqëson në vetevete.
Ҫdo doktrinë ka për qëllim shkatërrimin e ushtrisë armike. Tashmë gjeneralët e NATO-s po flasin se ukrainasit kanë arritur të ecin dhe të marrin nën kontroll nëpër disa zona të caktuara të kësaj vije të luftimit disa qindra metra, deri në 2 km. Pra për ta tani kjo luftë është kthyer në një luftë për territor. Ndërkohë që territori është arena e luftës dhe jo qëllimi, ai është pasoja që vjen pasi ke eleminuar ushtrinë armike.
© Dritan Goxhaj



