Andej-Këtej

Në bregun e kohës gurgullojnë kujtimet - Nga Çapajev Gjokutaj

Ndryshe nga ditët e zhegut, sot më zgjoi një fllad i freskët që vinte nga dritarja. Një grumbull resh puplore voziste tej në horizont dhe imazhi i bashkohej freskisë së mëngjesit si për të ngjallur shpresën se dita do të ishte sadokudo më e freskët.

Në ditë të tilla verore, kur moti ndryshon dhe shfaqen shenja qoftë edhe të mekëta të afrimit të vjeshtës (gusht e gunë), ndjej një lloj përmallimi. Prej kohësh i kam mbushur mendjen vetes se ky përmallim lidhet me ndjesinë e rrjedhjes së kohës. Në bregun e kohës, buzë lumit, ku rrjedh uji e gurgullojnë kujtimet, thoshte poeti.

I shtyrë nga këto ndjesi vura të dëgjoj këngë shqiptare, relativisht të vjetra, nga ato që këndoheshin në fëmijëri dhe në rininë e hershme. Megjithse më pëlqejnë, dëgjoj rrallë të tilla, ngaqë cilësia e regjistrimit lë për të dëshiruar.

E para ia behu kënga “Gjyshes”, e Vaçe Zelës. Dopjo përmallim, thashë me vete, për fëmijërinë dhe për gjyshen. Pas një copë here përhumbjeje në melodi dhe në emocione, ia behu arsyeja dhe, si për t’u hakmarrë që e kisha lenë pas dere disa çaste, më shtyu të perceptoja edhe tekstin.

Një këngë për gjyshen, rrëmbushur me mall e tejngopur me ndjenjë faji. Vaçja fliste në emrin e një vashe të re që i kërkonte ndjesë gjyshes se, edhe në fëmijëri edhe tani që ishte rritur, kishte bërë e bënte “shumë faje e gabime” dhe i kishte shkaktuar flokëthinjurës “trazime, netë pa gjumë e mundime”.

Nisa të vras mendjen pse malli për fëmijërinë dhe netët pranë zjarrit me gjyshen dhe përrallat, duhej të sfumoheshin e të shtyheshin në plan te dytë, për t’i lenë shumicën e hapësirës fajit dhe ndjesës?

Pse qasja ndaj gjyshes, të rriturit, autoritetit s’mund të ishte vetëm ndjenjë, po duhej medoemos edhe nënshtrimi e vetëdija e fajit?

Buronte kjo nga ideologjia e kohës, apo buronte nga fakti që shkruesi i tekstit mund të ketë qenë vargëzues jo fort i talentuar?

Po mbase buronte edhe nga natyra e shoqërisë së atëhershme, me ngarkesa të shumta patriarkale, që i kthejnë hierarkitë në ligj dhe idole, ku i vogli duhet të përulet para të rriturit, i dobëti dhe i varfëri t’i nështrohet të fortit e të pasurit.

Ndërkohë që arsyetimi më terhiqte zvarrë brazdave të tilla, kënga “Gjyshes” kishte përfunduar dhe Ardit Gjebreja këndonte “Këtu s’do jem, do jem larguar/në tokë i tretur si të tjerë”. Solla në mend Driteroin dhe s’di pse njëkohësisht m’u përhën Robert Ndrenika duke përsëritur batutën: “Mishi tretet, kocka mbetet”…

© Çapajev Gjokutaj