Vera e librit, po asnjë kockë për të brejtur - Nga Roland Gjoza
- Published in Andej-Këtej
Si qentë bastardë. Vera e librit në Prishtinë dhe Tiranë, po asnjë kockë për të brejtur. Kjo më erdhi nëpër mend, kur e pyeta punonjësin e shërbimit në hotel Grand nëse e kishte dhe emrin tim në listë. E ktheu atë flete bakalli mbarë e prapë dhe pasi më pyeti disa herë për emrin, e gjeti më në fund. Më dha çelësin dhe më drejtoi nga ashensori në të djathtë, se i majti s’punonte. Ishte një rrangallë hotel, që vetëm shfrytëzohej që prej nëntëdhjetës. Kutërbonte nga era e keqe, mjedise të vjetra, përplot njolla e grisje e çjerrje...
Shkoja vetëm për të fjetur. Por miqtë kosovarë ishin të mrekullueshëm. Botuesi im, Abdullah Zeneli, nuk u ngjit lart në pavijonet e panairit, kur u bë çelja e tij në prani të kryeministrit, se do të polemizonte me të për bllokadën që i kishin bërë botimeve të Buzukut. Do të ulërinte dhe rojat e sigurisë natyrisht që do ta nxirrnin jashtë në mënyrën më brutale. Ai është kryengritës. I kanë vënë prita kudo, po ai vetëm boton francezët e mëdhenj të Gonkur-it dhe Nobelit si dhe letërsi shqipe cilësore. E ç’ishte libri për qeverinë? Doja të shprehesha me një figurë të përçudnuar, por nuk e di ç’më pengoi. Ndoshta ndrojtja dhe dyshimi im në gjithçka që shkonte mbrapsht e për dreq. Nuk jam natyrë pesimiste, prandaj më ndodh kjo.
Miqtë më jepnin libra me autograf, por unë s’kisha ç’tu jepja. Nuk e di ç’më shtyu, u ngjita lart dhe bleva librat e mi me paratë e mia, me dollarë. Por përveç botuesve shqiptarë, që ishin gati të gllabëronin dhe jenin, kosovarët nuk e përfillnin dollarin, e refuzonin, donin vetëm euron. Kjo ishte diçka e çuditshme për një panair tregtar, se panairet me kohë janë kthyer si merkato zarzavatesh dhe perimesh.
Si qentë bastardë, përmenda më lart dhe nuk e di se si në formën e një asociacioni, më erdhën nëpër mend fjalët e Heminguejit: shkruaj me vërtetësi dhe sinqeritet. Dhe unë s’po e mbaj gojën. Jemi në kapitalizëm, po malli libër nuk shitet. Dhe ne shkruesit e pafat vërtitemi si qen bastardë, po dhëmbët s’po na zënë kurrfarë gjëje. E thashë këtë në promovimin e librit tim në sallën e zbrazët, po askush s’ma vuri veshin, se veç meje dhe botuesit, ishin dhe katër vetë, që mezi prisnin të flitej për librin tjetër, që ishte i mbesës së tyre emigrante. Ata kishin ardhur enkas për të, mezi prisnin të merrnin fjalën. Unë tregova vetëm një histori të shkurtër dhe e mbylla gojën. Vij nga një drekë, thashe, qerasa lexuesin tim, vetëm e vetëm që të më lexonte librin.
Dhe ndërsa ne po dilnim, hyri një grup i madh njerëzish dhe salla u mbush pothuajse plot. Do të përurohej albumi i një boksieri të njohur. Papritur të gjithë u ngritën në këmbë dhe formuan një radhë të madhe kur boksieri nisi të jepte autografe. S’kishin fund njerëzit, adhuruesit e boksit, po s’kishin fund as albumet. Une e dija këtë lojë të famës se vija nga Amerika, po famë kurrfarë s’kisha fituar dhe vazhdoja të shkruaja dhe të kërkoja të paktën një kockë për ta brejtur. Unë e kisha fajin, natyrisht, që qullosja ende në kohën e antilibrit. Po aty na kishin qëlluar dhe disa nëpunës të ministrisë që i kishin sponsorizuar albumin boksierit. Aq shumë po zgjaste kjo puna e autografeve, sa po i merrnin kohën paraqitjes së librave dhe autorëve të tjerë. Isha i mërzitur, nuk e di përse dhe i revoltuar prej shumë gjërave që përditë po shkonin keq e më keq. Do te isha larguar me kohe po më mbajtën disa miq kosovarë, me të cilët kalova orë vërtet të mrekullueshme; Ganiu, Dani, Valbona, Xhevati, Saliu...
Në mëngjes Kadareja kishte thënë se libri po ringrihej. Ai duhet dëgjuar. Unë e dua shumë Kadarenë. 7 vëllimet që përmbledhin gjithë krijimtarinë e tij kishin gjetur adhurues. Ishte një botim luksi i Bujar Hudhrit. Mora pjesë në ceremoninë që u organizua për të, në dhënien e titullit “Qytetar nderi” i Fushë-Kosovës dhe në drekën që u shtrua për nder të tij. Rrinte ashtu i përhumbur në karrigen e tij, në krye të tryezës së madhe dhe dukej sikur s’kishte punë me ne, me askënd aty, po me perendinë e tij.
Kadare është tjetër gjë, s’mund ta gjykoj, por unë nuk e mbajta gojën, se po atë ditë ne mbremje thashë: Libri ka vdekur! Një blasfemi kjo, kurrsesi për të kundërshtuar Kadarenë, po për të thënë një të vërtetë që na përkiste ne, të tjerëve, që s’po na ecte kurrsesi me kapitalizmin. M’u hodh një prej atyre nëpunësve të ministrise, ishte një grua; S’keni të drejtë, qeveria e Kosovës ka dhënë 1 milion euro për librin. Kush i merr? - pyeta unë. Botuesit! Po ama shkrimtarët s’marrin asgjë, - ia ktheva me një zemërim që nuk e përmbajta dot. Si qen bastard, kjo m’u kujtua sërish. Duhet hequr dorë sa më pare. Do të bëj si në Amerikë, do t’i shkruaj librin ndonjë njeriu të famshëm që të mos mendoj më për kockën.
Po ç’më shtyn që të mos heq dorë?
Në Golem gjeta një mesoburrë që kishte ndërtuar brenda natës një kafene në rërën e plazhit. M’u duk e çuditshme, por jo aq, sa për t’i shkaktuar vetes njëfarë tronditje, se antirregulli bën majë kudo. Është e çmontueshme, më tha, në shtator e mbyll në magazine. E quanin Ndriçim Gjeçi, po shkurt i thërrisnin Çimi. Ma dha çadrën me dy shezlongë për 300 lekë. Ngjitur me të i jepnin me 1000 lekë. Filloi dhe loja e çmimeve, thashë me vete. Ishte i qeshur, e ruante një nur të përzemërt prej çuni të mirë mëhalle. Kisha dëgjuar për çmime të çmendur në Himarë, Ksamil, krejt të papërballueshëm për xhepin tim. Unë kisha marrë me vete libra me pak fletë, novela e tregime, si Amok, Dama Maç, Sonata e Krojtcerit, Atë Sergi. I mbaja në një çantë supi dhe i hapja në tavolinë. Ishte dita e parë. Porosita kafe dhe ujë ambienti. Erdhi fatura dhe i hodha një sy, se vera në plazhe është e çmendur, çmimet kthehen në Ronaldo, në rekordmen bote. Por ajo që pashë m’u duk e pabesueshme. Kafe, 50 leke, ujë, 50 lekë, pa Tvsh, shuma 100 lekë. Dhe në krye ishte shënuar: Për pensionistë. Çimi më hidhte nga një sy, ndërsa unë lexoja Atë Sergin, kryeveprën e Tolstoit.
Një burrë hyri brenda me nja dhjetë libra në duar, donte t’i shiste. Ju lutem, më ndihmoni, nuk jam lypës, as kërkoj mëshirë, jam shkrimtar, dua të lexoni jetën time. Kishte trup të madh, po zërin tejet të dobët e lutës. Sikur ta kishte bekuar vetë Atë Sergi ne guvën e tij. Ai që i ble një libër zotërisë, u dëgjua zëri i Çimit, unë do t’i jap një raki falas. Por askush nuk i bleu gjë dhe ai burrë, pa ç’pa, iku, çapiti nëpër rërë nën diellin përvëlues. E pashë Çimin në sy dhe ai m’u drejtua me këto fjalë; Të njoh kush je! Me një fjale, vëllau i atij që iku. M’u afrua dhe më vuri dorën në sup. Nuk para lexoj se jam i mbytur në punë, por kam respekt për ata që shkruajnë. Pse? - e pyeta unë. - Kam bërë jetë të veshtire. Isha i prapi i lagjes, e kisha keq me mësuesit. Tani që jam pjekur, kam tridhjetë vjet në Itali, këtu kam ngritur disa biznese të vegjël, një ambulancë, një hotel, këtë kafene... Kam kërkuar grua. Kam marrë pjesë te Përputhen, por s’doli gjë... Me mungon diçka, s’di, po sa herë vjen ai burri me libra, më kujtohen gjithë mbrapshtitë e mia, padituria dhe them se vullneti s’më ka munguar, prakticiteti, por prap ndihem i zbrazët...
A mund ta quaja lexues? I dhurova dy nga librat e mi dhe ai, gjersa unë u largova, nuk lexoi asnjë faqe.
Ndoshta kur të kthehem vitin tjetër, në verë, mund t’i ketë lexuar të dy librat. Mirupafshim Çimi!
© Roland Gjoza



