Të gjithë kërkojmë lëmoshë - Nga Fazli Mazreku
- Published in Andej-Këtej

Fazli Mazreku
Në muajin korrik të vitit të kaluar bënte vapë tropikale. Temperatura shkonte deri në 40 gradë Celsius. Që nga ora 10 e mëngjesit e deri në ora 7 të mbrëmjes dielli përcëllonte dhe piqte si ndonjë saç i nxehtë. Nxehtësia ishte edhe më e lartë në qytetin tim, ku unë kaloj pushimet gjatë verës, sepse qyteti është i shtrirë në fushëgropë dhe i rrethuar me male të zhveshur nga drunjtë. Madje, qyteti nuk ka lumë. Ka një përrockë të vogël, e cila mbledh ujin e nënpërrockave të tjera. Kjo përrockë e quajtur Dulla nga banoret e qytetit, për fatin e saj të keq, është ngulfatë nga shtresa e gurëve që janë shtruar në shtratin e saj dhe në muret anësorë. Besoj se ju ka rastisur të vizitoni qytete të mëdhenj apo të vegjël gjithandej nëpër botë, por dyshoj se keni parë shtretër të lumenjve të shtruar me gurë dhe beton. Ndoshta arsyetohet edhe kjo, sepse çdo gjë në vendin më të ri në Evrope bëhet “sui generis”!
Vapa tropikale nuk i ndalonte banorët e qytetit tim të shkonin në fushë, vreshta dhe ara nga ora 4 e mëngjesit. Ende pa zbardhur drita, fillonin të gumëzhinin makinat bujqësore. Madje, edhe kafet e qytetit hapeshin për t’iu mundësuar bujqve të pinë nga një kafe, duke e përcjellë me tymin e duhanit, para se të shkonin në fushë. Ishin ditë të rënda për bujqit, por ata ishin të pandalshëm, sepse arat dhe vreshtat janë jeta e tyre. Janë ardhmëria tyre. Janë krenaria e tyre. Ata mburrren me punën e tyre dhe djersën që derdhin në fusha dhe vreshta. Nuk është rastësi që qyteti i tyre quhet kryeqyteti bujqësor i vendit.
Kisha marrë një mesazh në Viber nga një mik i vjetër dhe ish-koleg i studimeve për një takim të përbashkët. Atë mesazh e kishin marrë edhe dy ish-kolegë të tjerë të studimeve dhe të gjithë ishim pajtuar të takoheshim në një qytet që ka distancë përafërsisht të barabartë nga vendbanimet tona. Kishim caktuar orën e takimit dhe vendtakimin. Unë arrita më herët për disa minuta, por ishte pak problem parkimi, meqenëse ishte ditë tregu dhe e gjithë mërgata e asaj ane kishte zbritur në qytet. Nuk kaluan as pesë minuta dhe të gjithë u bëmë bashkë. U përshëndetëm duke filluar pak me humor, për ta bërë atmosferën më relaksuese, sepse kishte kaluar kohë e gjatë që nuk ishim takuar të gjithë së bashku.
Miku që na kishte ftuar nuk kishte bërë rezervim, duke menduar se nuk do të ketë problem për të drekuar në restorantin e tij të preferuar. Por restoranti nuk kishte asnjë tavolinë të zbrazët. Pas dy a tri përpjekjeve të kota, nuk gjetëm vend për t’u ulur. Njëri nga grupi, i cili gjithmonë mbahej si më inteligjent nga të tjerët, propozoi të shkojmë diku në periferi të qytetit, ku kishte restorante tejet të mira, por nuk u pajtuam të gjithë, sepse ishte në pyetje koha që kishim në dispozicion.
Pa humbur kohë, vendosëm të shkojmë në një “restaurant grill”, që në zhargonin tonë të përditshëm e njohim si qebaptore. Edhe aty, gati tërë tavolinat ishin të mbushura, por diku afër derës u lirua njëra dhe ne, pa kërkuar miratimin e kamarierit u ulëm, sepse kishte mundësi që edhe ajo të zihej, e të na shkonte mundi kot. U ulëm pa ndonjë protokoll, megjithatë, unë, disi pa u vërejtur nga shoqëruesit, nxitova të ulem përballë derës, sepse e kam si zakon që në vende publike të mos ulem me shpinë nga dera. Nga krahu im i djathtë u ul miku jonë që na kishte ftuar. Edhe ai e kishte pamjen nga dera kryesore dhe mund të shihte hyrje-daljet e njerëzve. Edhe pse dera dhe dritaret ishin të hapura, bënte shumë vapë. Madje, edhe rryma ishte ndalur dhe në të katër anët dëgjohej zhurma e gjeneratorit. Hynin e dilnin njerëzit, e disa edhe pse kishin mbaruar me ushqimin, nuk merrnin mundim ta lironin tavolinën për ata që prisnin për t’u ulur.
Kaloi pak koha dhe porosia jonë erdhi në tavolinë, sepse miku që na kishte ftuar në drekë gëzonte reputacion dhe ishte i “privilegjuar” në qytet si biznesmen i suksesshëm, për më tepër, edhe si humanist, sepse asnjëherë nuk kishte ndaluar t’i ndihmojë skamnorët dhe të gjithë njerëzit në nevojë. E mira e gjithë punës së tij humanitare është se ai nuk e bën me pompozitet mediatik apo para kamerave, por thjesht, e bën se e ndjen si nevojë të jetës së tij. Ne të gjithë e njohim atë për gadishmërinë që të ndihmojë çdo njeri që i troket në derë. Gjesti i tij utilitar, neve shokëve të tij na bën të ndihemi të vegjël, por edhe krenarë që jemi miq me të për shumë vite.
Ende pa filluar të hanim, erdhën dy fëmijë për të blerë ushqim. Siç dukej ishin motër e vella, të moshës diku dhjetë dhe shtatë vjeç. Meqënëse isha përballë derës, sytë më shkuan menjëherë tek ata dy fëmijë, të cilet dukeshin të rraskapitur dhe të lodhur. Madje, dukeshin si të frikësuar dhe me shenja trishtimi. U mbështetën te qoshja e murit, në mes të banakut, zgarës dhe derës. Vajza që dukej më e madhe, në grusht mbante disa euro të metalta. Dukej se kishte tre metalikë. Herë pas here e hapte dorën dhe i numëronte. Çdo minutë fliste me vëllanë, e shikonte personin që punonte në zgarë dhe na shikonte vjedhurazi të gjithë neve që ishim ulur dhe drekonim.
Miku në krahun tim të djathtë, i njohur për humanizmin e tij, i vërejti fëmijët dhe i përcillte me sy, por nuk fliste. Çdo çast në fytyrën e tij ndërroheshin ngjyrat, sepse njerëzit vinin, porositnin dhe uleshin, ose shkonin, kurse fëmijet e gjorë prisnin në pafundesi. Asnjë kamarier nuk i pyeste se çka dëshirojnë të porosisin. Edhe unë nuk ndihesha mirë, madje, e humba oreksin për të ngrënë, sepse një metër larg prej meje, qëndronin dy fëmijë me flokë të palarë, me duar të zhubravitura sikur të kishin punuar në fushë dhe askush nuk afrohej t’i pyeste se çka dëshirojnë të porosisin.
Vajza për një çast doli jashtë dhe foli me një grua rreth të dyzetave dhe u kthye prapa përsëri. Gruaja që priste jashtë, nën saçin përvëlues të diellit kishte edhe dy fëmijë të tjerë. Njërin e kishte vënë në karrocë dhe tjetrin e mbante për dore. Ajo ishte nëna e fëmijëve që kishin hyrë në qebaptore jo për të kërkuar lëmoshë, por për të blerë ushqim për vete, për nënën dhe për dy vëllezërit e tyre që prisnin prej mbi gjysëm ore jashtë, nën diell, pa bukë dhe pa ujë.
Miku im i ulur në anën time të djathtë filloi ta humbë durimin. Na lëshoi një sy të gjithë neve në tavolinë dhe për një sekondë sytë i shkuan tek fëmijët që prisnin më kot në qoshe dhe ngriti zerin:
⁃ “Kamarier, eja deri tek une”!
⁃ Kamarieri: “Urdhero, shef”!
⁃ Miku im: “Pse nuk ju shërbeni këtyre dy fëmijëve të shkretë, që po presin që gjysëm ore për të marre ushqim? Ata nuk po kërkojnë lemoshë. Ata kanë disa metalikë për të blerë ushqim. Edhe ata kanë uri sikur ne. Nuk dallohen prej nesh. Ne mund të jemi hipokritë, e, ata janë vetëm fëmijë të uritur”!
⁃ Kamarieri: “Kërkoj falje shef! Kemi shumë porosi. Edhe atyre do t’iu shërbej, edhe pse këta nuk meritojnë shumë respekt, sepse janë ma**upë, dhe ne të gjithë e dimë se ç’ka kanë ba gjatë luftës së fundit”.
Miku im, gati e humbi durimin. Mori frymë thellë dy herë, lëshoi një ofshamë, dhe me qetësi, u përgjigj: “Kur lufta ka ndodhë këta fëmijë nuk kishin lindur, madje, këta janë nga një qytet i një vendi tjetër. Por edhe sikur të ishin nga ky qytet, këta janë fëmijë dhe nuk paguajnë tagrin e prindërve, e as të komunitetit të tyre. Ju nuk jeni këtu për t’i gjetur fajtorët për krimet e luftës. Janë organet kompetente që paguhen nga taksat tona për të bërë punën e tyre”.
Miku, i pakënaqur me sjelljen jonjerëzore të kamarierit, u ngrit nga karrikja, iu afrua fëmijëve dhe duke buzëqeshur, iu tha: “Tani do ta merrni ushqimin”! Iu afrua banakut, shkëmbeu disa fjalë me zë të ulët me burrin që përgatiste qoftet dhe porositi pesë hamburger, 5 jogurtë dhe dy litra ujë. Pas pak, pagoi, mori porosinë, ua dha fëmijëve dhe duke buzëqeshur iu tha: “Merreni ushqimin, për ju, për nënën dhe dy vëllezërit. Paret që keni në grusht, ruajini për nesër”.
Më pas u ul sërish në tavolinë me ne. Dukej i qetësuar dhe me ton miqësor na u drejtua: “Miq nuk janë vetëm ata që i ftojmë; miq janë të gjithë ata që kanë nevojë dhe i ndihmojmë”.
Dreka, miku filantropist, fëmijet që me nënën e tyre ishin lënë në rrugë dhe kamarieri injorant, për shumë ditë mbetën në mëndjen time si diçka që qëndron në mes të mirës dhe të keqes. Ka njerëz që kërkojnë lëmoshë gjithandej, anekënd botës. Arsyet janë të shumta, si çështjet familjare, gjëndja psikiko-emocionale, aftësitë e kufizuara fizike, dhe shumë faktorë të tjerë, që përcaktojnë statusin dhe fatin e atyre për të dalë në rrugë, jo me dëshirën e tyre, por për shkak të nevojës për mbijetesë. Megjithatë, ata janë hiç më pak njerëz se sa ne. Kanë dinjitet, kanë dëshira të njëjta. E duan jetën sikur ne. Ata nuk janë më shumë lypësa se sa ne. E keqja është se ne ata i trajtojmë si njerëz të pistë, vjedhës, grabitës, e madje edhe “vjedhës” të fëmijëve.
Në vendin tonë dhe në vendet e tjera në këto hapsira gjeografike, lypësit e rrugës kanë ngjyrë etnike, sepse i përkasin komunitetit të margjinalizuar. Janë inferiorë dhe të përbuzur nga komuniteti shumicë. Ata ishin të nënçmuar dje, janë edhe sot, dhe vështirë se nesër do të zënë vend nën diell si e gjithë raca njerëzore që jeton në këto hapësira. Unë nga fëmijëria kam përjetuar përvojë të keqe rreth komunitetit të jevgjve, që përbëjnë pjesën dërrmuese të lypësve të rrugës. Kjo përvojë është ngulitur në kokën time si fëmijë nga tregimet e dëgjuar nga familja dhe komuniteti, të cilët flisnin me gjuhë pezhorative për komunitetin e margjinalizuar, komunitetin e lypësve të rrugës, duke i etiketuar me gjuhë përbuzëse dhe me atribute mizantrope.
Lypësit e rrugës i gjen çdokund nëpër botë, në vendet e varfëra dhe të pasura, sepse është vështirë të krijohet barazi reale për gjithë njerëzimin. Megjithatë, në vendet e zhvilluar ata janë më pak të dukshëm, por janë të pranishëm.
Vendi im i dytë ku jetoj, është ndër vendet më të zhvilluar në planet, por në qytete të mëdha has lypësa të rrugës, që për arsye të ndryshme dalin në rrugë për lëmoshë. Ata asnjëherë nuk nënçmohen, nuk përbuzen dhe nuk janë më pak të dinjitetshëm se ata që janë të pasur. Kjo ndodh falë kulturës qytetare, empatisë dhe humanizmit që tregojnë individët, komuniteti dhe shoqatat qytetare, të cilat merren me këtë kategori njerëzish. Madje, në këtë vend lypësit kanë përkatësi sociale dhe jo etnike.
Trajtimi njerëzor i lypësve të rrugës në vendin ku jetoj aktualisht dhe humanizmi ndaj tyre dëshmohet edhe përmes punës artistike, ku në mesin e busteve dhe statujave të liderëve politikë, artistëve dhe shumë figurave të tjera të jetës publike, është ngritur edhe statuja e lypësit të rrugës, në qendër të kryeqytetit, për të dhënë mesazhin se edhe lypësit e rrugës janë pjestarë të barabartë dhe me dinjitet të shoqërisë.
© Fazli Mazreku
Foto: Statuja e Jezusit si lypës në Ottawa ka për autor skulptorin kanadez Timothy Shmalz dhe është e vendosur në kryqëzimin e rrugëve Kent dhe Wellington.



