Andej-Këtej

Mëngjes nëntori me Peter Dinklage në Montreal - Nga Flurans Ilia

Nëntori, muaji më plumb i të gjithë muajve kur dita zvogëlohet, të rikthen te ëndrrat. Ngaqë je dikush që për hir të pragmatizmit i ke humbur ëndrrat apo mekanizmin e prajës. Fillon e sheh mëngjes, herët dhe ftohtë jashtë vetes. Xhama të veshur me avull dhe aromë kafeje brenda vetes, ku përkujdesja për të mos bërë gabime drejtshkrimore në gjuhën e nënës tënde, të përplas andej këndej dy brigjeve, ku edhe personazhet e huaj flasin shqip. Arratia e ikjes së autorit matanë dhe kthimi përmes zgjimit.

Zgjimi, një lloj divani në formë varke ngjyrë blu, ku psikanaliza nuk është se luan ndonjë rol gjuhësor por ama e sheh gjuhën në të cilën ti vazhdon të vozitësh, të zhveshur lakuriq, pa luspat e sirenave. Por çfarë roli mund të luajë në vetëdijen e rrëfimit gjuha e një njeriu të lidhur nga njeri breg në tjetrin?

Nuk e di. Shikoj në ëndërr, natën e porsa zgjuar, këtu, kë? Peter Dinklage. Shoh Peter Dinklage jo të veshur si aktor në rolin e Tyrion Lannister te Games of Thrones, por si qytetar i thjeshtë, diku. A aty në Tiranë, a këndej në Montreal (fillon panairi i librit këtë muaj edhe këtu), a në New York city, a në Londër, vende dhe imazhe të bëra lëmsh, por me një emërues të përbashkët: Peter Dinklage!

Si njeri që nuk bënë përjashtim nga manitë e kohë së vet, i afrohem dhe i kërkoj të bëjmë një selfie së bashku që ta vendos në Facebook. Ky ndërkohë pinte kafenë e tij, por u tregua i sjellshëm, pranoi. E ke parasysh kur del selfie me yje shekspirianë të skenës dhe ekranit kërkon të jesh sa më ngjitur?

Ndjesia që pata ishte akoma edhe më e çuditshme. U ndjeva në atë shkrepje tmerrësisht superior. Ai ishte më i shkurtër se unë. Por ishte i ngrohtë. Kishte diçka nga ajo për të cilën psikanaliza vazhdon të gërmojë pa u ndalur.

Tashti, kur u përpoqa të vendosja foton në Facebook, që ta ndaja me ju de, kisha dalë vetëm unë, tjetri krah meje mungonte. U zgjova menjëherë dhe ky është momenti kur nuk je as në ëndërr dhe as i zgjuar prej saj, as i kthjellët dhe as i mjegullt, as ujë as tokë, as status as tregim, as realitet dhe as jetë virtuale, edhe  e pyes me zë të lartë tjetrin…

Fluransi: Piter ku je, nuk të shoh gjëkundi?

Peter: Nuk mund të më shohësh tani për tani.

Fluransi: E përse jo?

Peter: Sepse jam Zoti yt këtë çast.

Këtë të fundit e dëgjova pastër, teksa po mbathja këpucët për të ikur në punë.

Eh jetë qeni, jetë emigranti, i them vetes dhe dal jashtë.

© Flurans Ilia