Andej-Këtej

Në Panairin e Librit mungon stenda e bukinistit plak - Nga Roland Gjoza

Sa e pamëshirshme është koha. Intolerante, besnike e kornizës së vet, nuk pranon kohë tjetër, edhe kur kjo ndodh, midis e ka një mashtrim. Për kohën time flas, për kohën e 30 viteve të fundit, kur u harruan dalëngadalë shumë libra e shumë shkrimtarë. Dhe unë sot përfytyroj në një kënd të Panairit të Librit një stendë të madhe me libra të vjetër dhe një bukinist të vjetër, ndoshta të shpikur, veshur e mbathur në mënyrën më klasike, madje nuk i mungon në thilenë e xhaketës dhe një trëndafil. Mbi një kënd të shamisë së bardhë. Smoking? Po. Papijon dhe këmishe me fruda? Po. Kapele ala bombë? Po.

Atje do të shkoja së pari, jo për nostalgji, po për respekt. I shikoj me radhë; Asja, Dashuria e parë, novela të Turgenievit, Ajri i ftohte i mesnatës, Era e tokës, Portat e dashurisë, tregime nga Teodor Laço, Kur zunë shirat e vjeshtës, I dashuri i saj i parë, Ulku dhe uilli, tregime dhe roman nga Vath Koreshi, Letra anonime, Mbasdite të lagura, Nomeja e largët, tregime e roman nga Faik Ballanca, Dademadhja, Buka e një stine me borë, tregime të zgjedhura, Nata e Sofia Kondilit, tregime e romane nga Koço Kosta. Tregime të zgjedhura të Teodor Laços, Vath Koreshit, Dhimitër Shuteriqit, Shevqet Tiganit, Sotir Andonit, Naum Priftit, kopjet e para të tregimeve të Mitrush Kutelit; kryevepra e tij E madhe është gjëma e mëkatit, ose Tat Tanushi, botuar nga Apollonia, që drejtohej nga i ndjeri Lili Bare, tregimi Ida i Ivan Buninit që u mor për bazë për çmimin Nobel, botuar në revistën Shekulli XX, Roja i Farit tregim nga Henrik Sienkeviç, botuar në revistën Nëntori, në vitet 60-të. Edhe nja njëqind libra e autorë të tjerë, që kushedi ku i ha myku e byku në ndonjë skutë apo mbi çarçafë trotuarësh.

E di që pak vetë do të qëndrojnë te ajo stendë. Më fort do t’i tërheqë ai plak përrallash me veshje klasike, ai bukinist i çuditshëm, që do të japë shenjë për t’iu afruar, por është e kotë, aradha e pafundme që mbush panairin ka ardhur për panairin, jo për librat. Atë zulmë gazmore e tërheq spektakli, atmosfera e një feste pa lexues, se me kohë lexuesi, ose ia ka mbathur, ose merret me gjëra të dobishme. Me kohë libri ka dalë nga pëlqimet, sepse sot është koha materiale e xhepit dhe dihet që libri të lë varfanjak.

Kush fitoi nga libri? Pyetini shkrimtarët! Paguajnë gazetat? Paguajnë revistat? Paguajnë botuesit? Jo. Vetëm në Shqipëri ndodh kjo. S’ka lexues, thonë botuesit dhe me të drejtë. Vërtet s’ka lexues, pohojnë shkrimtarët dhe ndihen njëfarësoj të fyer, se fundja përse shkruajnë? Ky absurd vërtitet si fugë në Panairin e Librit. Si fuga, po vetëm për ta, se panairi për bjerrakohët që s’blejnë asgjë, është një festë kotnaje, por megjithatë një festë, se ke ku shkon.

E lë bukinistin plak dhe stendën me libra të vjetër, kaloj përmes librave shqip që pak prej tyre kanë fatin të lexohen. Ndal në emra autorësh të panjohur, që e kanë paguar botimin, emra të njohur që shfaqen çdo vit në panair me nga një libër ose disa libra të rinj dhe nuk vënë mend që, pa humbur kohë, të lënë sa më parë penën dhe të marrin pincat e kaçavidat. Sot është koha e gozhdës dhe çekiçit, e mistrisë dhe llaçit. Po, a ndahesh dot nga shkrimi? Ja, më thuaj mua, ma bëj të qartë; o qyqar, s’të lexon njeri! Do ta lë? Jo! Pse? Nuk e di.

Kam libra unë në këtë panair? Kam. Bëj sikur nuk i shoh. E di ç’do të më thotë botuesi. Do të më përsërisë atë që më tha vjet; vetëm një kopje t’u shit nga tregimet. Poezitë dhe romani vetëm sa u prekën. Dhe ajo kopje e tregimeve është blerë nga ndonjë i afërm, natyrisht nga keqardhja, mendova, po aq shumë më është trashur lëkura, sa kam ndryshuar dhe gjendje. Në vend që të ngrysem, çelem. Më vjen të qesh, nuk ndiej më kurrfarë turpi, dhembjeje, zhgënjimi. Jam mësuar. Kam një revoltë që nuk e shqiptoj, e kapërdij. Ç’fat me dhe, o Zot, si s’më bëre elektriçist a marangoz, po me dhe kartë e penë që ta mbyll si oshënari në guvë, me ujë e bukë thatë?

Kush i mban në këmbë botuesit? Librat limonadë, zhargon plazhi ky, të freskon. Qindra femra shkrimtare e qindra meshkuj shkrimtarë nga të katër anët e botës, që shkruajnë për dashurinë me një sens e sensibilitet si Emili Bronte, po që s’i arrijnë as te shamia e saj e lotëve, mbushin stendat që kullojnë e shushurijnë nga shamitë e lamtumirave, pyjet e takimeve, zhurmojnë nga trenat e metrove, tunden e shkunden nga seksi i zjarrtë, të mbërthejnë si Krishti në dru nga një humanizëm i lëngshëm lëngues e shpirtkëputës e më në fund të mbushin me dritën e lumturisë. Fabul, fabul të lehtë e me fund të lumtur duan zonjat dhe zotërinjtë shijelakër. Dhe janë goxha libra 600, 700 faqe, po që përpihen me një frymë, siç shprehen ato (dhe ata) lumturisht të qeshur, sikur kanë marrë drogë. Për poezinë as që flitet, ajo është hirushja e panaireve.

Kështu miku im, qofsh dhe një, që më lexon, po ta përsëris se po më shtyjnë dita-ditës që unë ta lë shkrimin e, tani në moshë të shtyrë, të marr në dorë çekiçin. Po e di që do t’ia këpus vetes, se nuk kam ç’bëj tjetër. Ç’do të humbasë? Asgjë! Madje do të bëhet më mirë se, në çarçafët e rrugës, nuk do të shtohet dhe një libër tjetër.

Lamtumirë, dua të them, po s’më del, se kam atë bukinistin plak, ngushëlluesin me atë stendën e madhe me libra të vjetër, që më kujtojnë veten e harruar, të cilit, i pikas një hollesi delikate, i mungon bastuni. Do t’ia sjell, se nuk është mirë që smokingu, papijoni dhe kapelja bombë, të mos kenë sivëllaun e tyre, bastunin.

© Roland Gjoza - Nju Jork, 14 nentor 2023