Andej-Këtej

Një ëngjëll në rrugën time - Nga Dashnor Kokonozi

Dashnor Kokonozi - Francë

Atë, emri i së cilës do të më fiksohet në kujtesë në versionin shqip, Bardha, e pashë në të dalë të një pylli, diku rrëzë Pirenejve. Ulur këmbëkryq nën një lis të madh. Me sytë e mbyllur dhe shprehjen e një qetësie të thellë shpirtërore në fytyrë.

Megjithëse na dëgjoi që e përshëndetëm, nuk i hapi sytë menjëherë.

Blansha, kështu quhej. Ishte kanadeze.

Pelegrinazhin e kishte filluar vetëm pak ditë më parë, por i pëlqente të mos nxitohej. Mbi të gjitha ndihej e kënaqur kur ecte vetëm. Historia e saj ishte një zbulim për mua, një menyrë për të kuptuar edhe motive të tjera, që shtyjnë njerëzit drejt Santiagos, sa kohë që vetë ende nuk e dija përse isha nisur.

Ajo e kishte për herë të dytë që vinte atyre anëve.

Katër vjet të shkuara kishte ardhur të vdiste rrugës. Mjekët sapo i kishin diagnostikuar një kancer mjaft të përhapur. I kishin dhënë veçse pak muaj jetë.

Ajo priti të absorbojë goditjen e shpalljes së dënimit më vdekje dhe ishte nisur në atë rrugë, ku pa dashjen e tyre, kishin jetuar çastet e fundit të jetës edhe njerëz pa probleme aq të rënda të shëndetit. Aq rraskapitëse ishte! Se një Zot e di se sa shumë varre e shenja përkujtimore njerëzish të vdekur pashë përgjatë atij udhëtimi! Madje edhe varreza të tëra që njiheshin si “varreza pelegrinësh”.

Dhe kështu kishte ndodhur që, ndërsa ecte dita më ditë, në pritje që dielli t’i shuhej mbi kokë, ajo ndjeu t’i lehtësoheshin dhimbjet, t’i zhdukeshin simptomat, të ndihej më mirë. Kur mbërriti te katedralja e Shën Jakut në Galici, pak shenja të sëmundjes kishin mbetur në trupin e saj.

As vetë nuk kishte ndonjë shpjegim. U kthye me urgjencë në Kanada ku mjekët veçse i kishin konfirmuar atë që kishte ndjerë ajo vetë: sëmundja kishte ikur nga trupi i saj.

Kisha dëshirë të bisedoja gjatë me të, por tutje po vëreja se bashkudhëtarët e mi Pjeri dhe dy vajza belge që na ishin bashkuar rrugës, po tregonin shenja padurimi. Megjithatë arrita të kuptoj se në vitet që kishin pasuar, Blansha vetëm se kishte përgatitur një udhëtim të dytë për në Santiago. Këtë herë, në shenjë falënderimi. 

Dhe e kishte marrë ngeshëm. Mjaft ngeshëm.

Sa herë që ndeshte në ndonjë peizazh tërheqës, një përrua që rridhte hijshëm nëpër lëmyshqe e përmbi gurët e bardhë, një tufë bagëtish, një peme madhështore, ajo linte gjithçka dhe rrinte ta sodiste gjatë.

I ndodhte edhe të ulej e mbështetej symbyllur pas ndonjë trungu peme për të ndjerë energjinë e natyrës në qelizat e trupit të saj të ripërtëritur.

E pyeta se deri ku do të ecte e ku do të flinte atë natë. Blansha buzëqeshi dhe ngriti supet. As ajo nuk e dinte. Ecte sa të mundte, ulej kur lodhej, qëndronte orë të tëra para një kishe të vjetër dhe nisej kur t’i mbushej mendja. Nganjëherë nuk nisej fare.

Mbështeta duart në bastunin tim dhe e pashë gjatë, si një ikonë e shenjtë...

I kërkova falje që i kisha trazuar meditimet e saj me zhurmën time të rëndomtë prej tokësori. Ajo vetëm se buzëqeshi pa i hapur sytë fare dhe shtriu krahët të më përqafonte.

Ika nga frika se mos hapte sytë dhe më shihte që isha gati të qaja.

Isha i sigurt se tani Bardha komunikonte krejt personalisht me natyrën, e shihte botën fare ndryshe nga ne, por nuk vërejta shenja ekzaltimi në rrëfimin e saj.

Vdekja që kishte parë me sy i kishte dhënë një thjeshtësi njerëzore gjithçkaje që bënte.

Qe diçka që shkonte përtej shpirtërores dhe mistikës.

© Dashnor Kokonozi