Andej-Këtej

Toby - Nga Artan Gjyzel Hasani

-

Prej disa ditësh i izoluar nga dëbora e dëndur bashkë me qenin tim Toby në majë të një mali, diku brenda një guve të vogël ku nuk kishim asgjë për të ndezur një zjarr. Ujqërit sulmonin çdo natë. Toby më mbronte nga ata. Dukej qartë që jeta ime ishte në dorë të Toby-t. Përleshej trimërisht me egërsirat dhe ato largoheshin të përgjakura. Kur përleshjet mbaronin Toby ngjishej pas trupit tim dhe lëpinte plagët e veta.

Kisha menduar se kërcënimi më i madh ishte i ftohti dhe egërsirat, por kur një ditë ushqimet që kisha në çantë mbaruan kuptova që kërcënimi më i madh ishte uria. Nga egërsirat më mbronte Toby, po nga uria? 

Po ushqeheshim me mish të gjallë nga kafshët e vrara nga Toby. Ujqër pleq, dhelpra të dobësuara dhe tek-tuk ndonjë lepur.

Hëngrëm dhe lëpimë edhe kockat e fundit të egërsirave të vrara.

Ditët kalonin, stuhitë e dëborës sa vinte dhe bëheshin më të forta dhe egërsirat nuk po dukeshin më. Uria po na gërryente çdo orë e më shumë. Toby dilte përreth vendit ku ishim, zhdukej dhe humbte për orë të tëra në kërkim të diçkaje për të ngrënë dhe kthehej çdo ditë edhe më i dobësuar. Ishim drobitur të dy. Nga ngrica dhe i ftohti këmbët më ishin nxirë dhe bërë plagë dhe e kisha të pamundur të ecja.

Uria po na vinte poshtë në mënyrë përfundimtare. Doja veç gjumë. Gjumi i dëborës është paradhoma e gjumit të madh. Mes asaj bardhësie vrastare të dëborës fillova të dalloja çdo ditë e më shumë diçka të zezë. Ishte vdekja.

I lutesha Zotit të na sillte përsëri egërsirat, por mesa dukej zëri im i mekur nuk arrinte atje lart.

Uria më bëri të kuptoj që unë dhe Toby ishim të vetmet krijesa të gjalla në atë humbëtirë.

Të vetmet krijesa të ngrënëshme.

Ndryshe nga unë, Toby akoma lëvizte dhe vraponte.

“Ik Toby, ik shpëto nga ky tmerr! Të paktën shpëto ti”, - i thoja.

Toby më ngulte sytë duke anuar kokën, pastaj më lehte fort në fytyrë dhe ngjishej sa më shumë tek unë për të më ngrohur dhe për t’u ngrohur, për të më mbrojtur dhe për t’u mbrojtur.

Këpucët kishin ngrirë aq shumë, sa as dhëmbët e fuqishëm të Tobyt nuk mund t’i shqyenin. Hëngrëm veç lidhëset dhe të nesërmen në mëngjes edhe çantën time dhe më pas edhe xhupin e lëkurtë. Nuk na kishte mbetur më asgjë për të ngrënë.

Thonë që kur vjen fundi, për të mbijetuar, njeriu ushqehet me shpresa dhe ndonjëherë vërtet mbijeton, por mua më kishin vdekur edhe shpresat.

Këmbët nuk i ndjeja më si pjesë të trupit tim. Ia zgjasja para gojës së uritur Tobyt me shpresë se do të fillonte t’i hante, por, çdo herë që këmba ime i afrohej, ai kthente kokën në mënyrë refuzuese në anën tjetër duke lehur pa pushim.

Gjendja ime ishte përkeqësuar pa kthim.

Një mëngjes të cilin e mendova se do të ishte i fundit për mua u afrova ta puthja Tobyn që flinte si i vdekur në prehërin tim, por uria e llahtarshme dhe avulli i ngrohtë që dilte prej gojës së tij e shndërruan puthjen time në kafshim. Ishte momenti më i përshtatshëm për ta vrarë dhe për t’u ushqyer me të disa ditë, e pastaj kushedi…. Rrëmbeva një gur të madh nga guva dhe e qëllova fort në kokën e bukur…

U zgjova i llahtarisur dhe i tmerruar. O Zot, çfarë ëndrre…

Por më shumë u tmerrova kur, duke shijuar kafenë e parë të ditës dhe cigaren e mëngjesit, kuptova se ashtu si në ëndërr do të ndodhte edhe në të vërtetë…

Më duket sikur kam bërë turpin më të madh që pashë një ëndërr të tillë…

Më ngushëllon fakti që qentë nuk ëndërrojnë…

I afrohem Tobyt dhe ia puth sytë e bukur me vështrimin e butë si kadife që e ka ngulur te të mitë dhe e shtrëngoj fort në gjoks si për ta mbrojtur nga ëndrra ime…

Pak vjet më parë kur po blija Tobyn dy muajsh pyeta veterinerin:

“Sa vjet jeton kjo racë?”

“Gjatë. Rreth 18 vjet”, - m’u përgjigj ai.

Isha lehtësuar. Sipas përllogaritjeve të mia, unë nuk do të isha kur Toby s’do të ishte më…

©artangjyzelhasani - Janar 2024