Llupësit e emrit - Nga Roland Gjoza
- Published in Andej-Këtej
Janë disa emra që na shqetësojnë. Janë emra miqsh. Pikërisht për këtë arsye shqetësimi nuk arsyetohet. Ne i mbajmë gjërat të fshehura, kemi kujdes se mos cënojmë miqësinë, fyejmë miqtë. Këto të fshehta, tek secili prej nesh, mund të na prishin me miqtë, një ditë mund të mbetemi vetëm. Kjo vetmi është haraçi i humbjeve. Sa humbje të domosdoshme mbushin kujtesën tonë dhe aty ku humbjet s’janë më, sepse janë fshirë, shenjat e plumbave të fjalëve kanë lënë gjurmë. Sa kemi humbur pa iu thënë të vërtetën. Kjo na dhemb. Humbëm njeriun. Por humbëm dhe krijuesin. Krijuesi hodhi stigmën mbi njeriun. Vetmia është qartësi në errësirë. Ne jemi zhytur në të. Në torturën e Tantalit. Megjithëse jemi pjesëmarrës në luftën e përditshme ekzistenciale, ne, prapseprapë, të rrethuar nga njerez, mbetemi fillikat. Dhe, ndërsa duam të gjejmë një shfajësim për punën tonë të shkrimit në botën e thatë të antishkrimit, e kemi në majë të gjuhës shprehjen: i pari pasioni, e fundit ana materiale. Të mbërthyer prej kësaj kontradikte, ndiejmë se jemi të keqtrajtuar. Neveria vjen prej neverisë. Kur bota përreth teje perçudnohet përditë, nxin në vend që të shndrisë, siç përpiqet të na i mbushë mendjen politika, i pari që errësohet është syri; ai sheh si qeni, bardhë e zi. Por ç’mund të bëjmë?
Kjo pyetje mbetet pezull. Ikje nga realiteti? Kthim në realitet? Ikjekthim? Dhe në këtë përpëlitje rraskapitëse disa miq e kanë gjetur njëfarësoj ekuilibrin; kanë hapur biznese, ose i jane futur politikës, të paktën të ruajnë pasionin bashkë me materien e thatë, paranë! Por biznesi dhe politika i nxit për të fituar terren dhe në letërsi. Sa më shumë iu ecën afera, aq më tepër terren duan. Ja ç’bisedë dëgjova një ditë midis mikut tim dhe botuesit: E dua pas dy javësh, e ben dot? Po kur e shkrove? - e pyet botuesi, ti sapo botove një roman. Kam kohë boll, tani punojnë të tjerët për mua. Sa kopje e do? 300. Janë shumë, i thotë botuesi. Do të mbeten stok. S’ka gjë! Une jam i njohur. Do t’ua shpërndaj disa miqve, të cilët i kam ndihmuar kur ka qenë nevoja dhe ata do të shkruajnë për mua. Gjithashtu e kam të sigurt një çmim, o nga Panairi i librit, o nga Ministria. Sot lexohet vetëm emri. Për këte kam vite që punoj, kam sakrifikuar shumë. Tani dua të mbledh frutet. 70 përqind të parave më takojnë mua, tha botuesi, 30 përqind ty. E ke gati për një javë. Pagesa bëhet përpara se të shtypet libri. Dakord?
Kjo manierë e botimit të tre, katër romaneve në vit është bërë modë. Godasin fort shtatë a tetë emra dhe skema e krijuesit kthehet përmbys, pasioni zbret poshtë, ana materiale ngjitet lart. Tek ana materiale tani zë vend emri. Ai fërkohet, llamburit, rrezëllin dhe ende pa iu shuar drita vetëtitëse, furnizohet si vatër dimri, me shkarpa e kërcunj të rinj librash që digjen. Reklama është e fortë, verbuese, edhe aty paguhet, faqet e gazetave mbushen me artikuj që s’rreshtin, televizionet japin biseda me autorin dhe kështu zë fill lavdia e re mbi lavdinë e vjetër dhe shkelqimi i saj nuk shuhet kurrë. S’ka më pasion, po zell për emër. Është një dehje madhështore, përplot pëlqim për veten. Prit ta kuptojnë këtë vetëmashtrim, por kjo nuk ndodh. Është një fushe e pafundme për emër bubullitës për veshët dhe verbues për sytë. Dreka e darka aty, koktejle atje, salla promovimesh në hotele me pesë yje, përkthime librash në gjuhë të huaj, lavdi, lavdi, lavdi. Shtohen kritikët shëtitës që paguhen me para të thata në dorë, shkruhet libri i ri për dy javë, një tjetër në avion, i treti në Monte Karlo, në kazino, i pesti në pishinë e kështu me radhë, ish-miku im, se ai i mëparshmi më ka lënë pendët, luan me famën gjersa shndërrohet në një llupës fame. I kisha, po s’i kam më. Ia gjetën kapitalizmit të egër thembrën e akilit, politikën, apo biznesin. Kanë zënë vend në Parlament, ku hyjnë e dalin si në hotele, kanë hapur televizione, janë bërë aksionerë, shtypin gazeta, janë moderatorë, opinionistë, analistë, ndërrojnë parti sa here bëhen zgjedhje, fitojnë tendera, duan emër, emër, emër, edhe pas vdekjes, emër.
Më thanë për një figurë të shquar, që kishte blerë një shkrimtar hije, i cili ia shkruante romanin, ia redaktonte, ia korrektonte e i mbante valixhet kur e shoqëronte në udhetimet e tij. Të ishte e vërtetë? Ç’nuk na dëgjojnë veshët! Po, kur ke paranë, ke dhe... Unë nuk i lexoja më, por padyshim, sipas shtypit, ishin gjeni. Kjo gastrole më zukaste në veshë si grerëz. Zhu zhu zhgarravitës zhvat dhe ti, ç’pret, zhytu në qejf e para, zhgërryhu e zhvat që të kesh e të hash, shkrimi është reklamë, shkrimi s’bën para, zhu zhu zhu, o zhgarravitës, o i humbur i dynjasë... Ajo grerëz me zhu zhu këndonte tallavanë e kohës. Prej zgjyrës dhe lëtyrës, bykut dhe mykut, lexuesi i uritur po i braktis mensat popullore të librit. Dhe unë, askushi, nuk dua kurrsesi të bëhem dikushi. Nuk më mungon dëshira, po ambicia. Letersinë e shikoj si diçka të shenjtë, shujtë perëndie, të papërzierë me materien vulgare. Dhe nuk besoj aspak në këtë tallava dhe prej këtij mosbesimi dalngadalë jam bërë indiferent. Në anën tjetër ku jetoj unë, është heshtje e plotë. Edhe kur botoj ndonjë gjë, sikur bije zia. Mungojnë vetëm kambanat, ose ua kanë hequr gjuhëzat, për të mos krijuar përshtypjen se po më përcjellin për në banesën e fundit. Nuk e di si mund të shkruash dhe në të njëjtën kohë të bësh jetë partiake, televizive, të shkosh në Parlament, apo të merresh me biznes. A mund të ekzistojë një kohë tjetër, për këta tjetërkohësa? Unë vazhdoj të përplasem përditë me shkrimin, përditë me heshtjen dhe pasigurinë. Të jetosh vetëm me pasion, të qeshin. Sot të shikojnë nga rrobat që ke veshur, nga parfumi që përdor, nga dashnoret, lidhjet me emrat, skandalet, ndërsa ne pa emër as na i hedhin sytë.
Një ditë po kaloja në rrugë, isha i Holli, ndërsa dy hapa me tej pashë një ish-mik, të Trashin. Veshur me sqimë, ndërsa unë kisha po ato pantallona doku prej disa vitesh. Këpucë atlete të rrjepura, një këmishë të zbërdhylur që s’kish parë prej kohësh kravatë. Më pa, e pashë, po asnjë shenjë nuk erdhi prej tij, veç një mosnjohje e akullt. Ai e kishte lënë me kohë shkrimin. Merrej me shkrimin e vetvetes, i zhytur në bojën e artë të aferave milionëshe. Ky ishtë modeli i kohës. Ndjekësit ishin përfitues, të tjerët, të mosbindurit, të paaftë. Isha bërë gati ta përshëndesja, t’i qeshja, por ai kaloi më tej, i ngjallmë, i veshur shik, tërheqës gjer në zili. Ishte një sfidë. Veç fyerjes u kaplova prej një ndjenje dështimi. Nuk e kisha kuptuar kohën e re, kapitalizmin tonë të padrejtë, ndoshta jetoja ende me të djeshmen. Por dhe kjo s’ishte, gjithsesi shumë gjëra nuk funksiononin. Tjetër gjë ishte pompa përplot pohë e bujë e librit, se gjoja po njeh suksese të mëdha, ndonëse pa lexues, e tjetër gjendja e vërtetë, ai mjerim që nxinte krrupshëm. Vetëm shkruaja dhe nuk mendoja për mekanizmin tjetër, gjetjen e një mënyre për ta bërë shkrimin të dukshëm, pse jo, që shtypi, tv, instancat, të merreshin dhe me mua e me të tjerë punëtorë të shkrimit. Ky arsyetim erdhi si pasojë e sfidës që më kishte bërë ish-miku im. Por nuk zgjati shumë. Isha rob i vetvetes. Megjithatë një grishje e çuditshme, por pa pasion, më shtynte të lexoja dy tre romane të këtyre emrave të shquar, që i kisha humbur si miq, sepse nuk kisha ditur si ngjiteshin shkallët, përveç atyre të pallatit ku banoja. Vetëm ato njihja, isha besnik i shkallëve të apartamentit tim ku më priste kompjuteri, shkrimet, kënaqësia për t’u marrë me to dhe, ç’mbetej, dështimi.
© Roland Gjoza



