Andej-Këtej

Shqiptarët e Zvicrës - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

Zvicra pa shqiptarë është si Rusia pa vodkë. Kjo s’domethënë që kur zviceranët shikojnë shqiptarët, menjëherë i zë rakia. Por shqiptarët në Zvicër tani janë një lloj afrodiziaku politik dhe shoqëror.

Kur futbollistët e Zvicrës me origjinë shqiptare bëjnë shqiponjën, ky gjest bëhet temë nacionale nga Liqeni i Konstancës te Liqeni i Gjenevës.

Muajve të fundit një temë e pashmangshme është edhe kjo: në Zvicër dëgjohet më shumë muzikë shqipe se zvicerane. Edhe kënga më e dëgjuar në dialektin zviceran këndohet nga reperi me origjinë kosovare EAZ.

Ilira Gashi është rritur në Brienz në malësinë e Bernës. Tani jeton në Londër dhe gazeta gjermane “Die Zeit” e ka përshkruar si “milionere të streaming-ut”.

Nuk është gjithçka muzikë. Ka shqiptarë në viset helvetike që merren edhe me punë jomuzikore. Edhe për këtë raportojnë mediat.

Sidoqoftë, ekziston një kureshtje jo vetëm mediale në Zvicër për komunitetin shqiptar, i cili ende vazhdon të jetë i paorganizuar, pa ndonjë projekt serioz kulturor, social dhe të komunikimit me opinionin zviceran.

Debati për shqiptarët dikur - në vitet 90-të - sillej rreth lajmeve që “prodhonin” shpërndarësit e drogës. Tani debati gjendet në një nivel tjetër.

Një shembull: Teatri i Zürichut është në krizë. Çfarë ofrohet në skenë - tema të diversitetit - duket se nuk tërheq publikun. Sallat gjysmë të zbrazura dhe 1,39 milionë franga humbje - ky është bilanci. Ç’të bëhet?

Teatri i mirë, shkruan gazeta “NZZ am Sonntag”, e bart ADN-në e qytetit të tij. Rrjedhimisht, propozon gazeta, një temë që duhet të trajtohet në skenën e teatrit të Zürichut është: diaspora shqiptare në Zvicër.

Copyright Enver Robelli