Requiem për mimozat, për identitetin e Tiranës - Nga Mehmet Elezi
- Published in Andej-Këtej
Na ishin një herë... Mimozat kanë qenë pjesë e identitetit të Tiranës. Çelnin si rreze dhe thërrisnin: erdhëm ne, erdhi pranvera!
E papërsëritshmja Vaçe këndonte “Kur çelin mimozat”. Një tjetër këngë, “Ku ta gjej mimozën, vallë ku ta gjej” e fishkëllojmë edhe sot nëpër buzë. Nëpër poezitë e rinisë sonë plot mimoza. Emra vajzash sa të duash. Deri në titull romani.
Me bukurinë dhe erëmirën, mimozat thyejnë dhe shkurtojnë dimrin. Në jug të Francës shihen si art e si pasuri. Të sjella dyqind vjet më parë nga Australia, në fillim rriteshin si shkurre. Tashti trajtohen me aq përkujdesje, sa stina e lulëzimit zgjat tre muaj, janar-mars. Dhjetë orë pasi këputen e paketohen, lulet e mimozave franceze erëmojnë nëpër duart e qytetarëve të Tokios.
Përbindshat e betontë e mbytën Tiranën. Edhe nëse bashkia mbjell diku një pemë, ajo është qershi japoneze ose palmë, që kushtojnë qimet e kokës. Veç mimoza jo. Ka mbijetuar ndonjë te liqeni, kënga e fundit e mjellmës. Dhe shpateve, kur ngjitesh për në Dajt.
Pse kjo armiqësi zyrtare me identitetin e Tiranës, me gëzimin e jetës?
© Mehmet Elezi



