Ditari i Adriatikut - Nga Enver Robelli
- Published in Andej-Këtej
1. Kafe, kulturë dhe histori - Kujt i takon Trieste?
Më së voni kur para Triestes shfaqen tabelat e vendbanimeve në dy gjuhë (italisht dhe sllovenisht) edhe udhëtari më i painteresuar për historinë do ta kuptojë se po shkel në një territor multietnik. Në vitin jo edhe aq të largët 1999 në Itali u zhvillua një anketë, në të cilën italianet dhe italianët u pyetën kujt i takon Trieste. 67 për qind e të anketuarve nuk e dinin se Trieste është pjesë e Italisë.
Për 500 vjet, deri në vitin 1918, Trieste i ka takuar Austrisë. Pas Luftës së Parë Botërore qyteti iu dha Italisë për shkak se shumica e popullsisë është italiane apo italishtfolëse. Pas Luftës së Dytë Botërore pretendime kishte edhe Jugosllavia («Trst je naš», Trieste është e jona - gjeneratave të vjetra nga Sllovenia deri në Maqedoninë e Veriut do t’u kujtohet kjo parullë titiste). Tek në vitin 1954 statusi i Triestes u zgjidh: qyteti dhe një pjesë e rrethinës (zona A) përfundoi nën kontrollin italian, ndërsa «hinterlandi» i Triestes në perëndim dhe jug iu dha Jugosllavisë.
Jugosllavia nuk ekziston më, tani me Italinë kufizohet Sllovenia. Anëtarësimi i Sllovenisë në Bashkimin Europian dhe në zonën Schengen ka ndikuar që marrëdhëniet mes sllovenëve dhe italianëve në pjesën kufitare të shtendosen dukshëm. Trieste ka qenë dhe vazhdon të jetë një Babiloni e vogël ballkanike: një shëtitje e shkurtër nëpër rrugët e qytetit mjafton për të dëgjuar italisht, sllovenisht, gjermanisht, kroatisht. Si askund tjetër në Trieste takohen bota italiane, sllave dhe ajo gjermanofone. Ndikimi i Austro-Hungarisë shihet sidomos te ndërtimet dhe te ajo që në Vjenë njihet si «Kaffehauskultur», që në shqip i bie: kulturë e kafehanes. Kjo kulturë nënkupton debate të pafundme, lexim gazetash, takime me miq…
Nëse austriakët mund të pretendojnë se kultura e kafehanes është zbulim i tyre, arabët me të drejtë kanë hyrë në histori si kultivues të bimës së kafesë. Mjeku Leonhard Rauwolf nga Augsburgu i Gjermanisë vizitoi Orientin në vitin 1573 dhe në qytetin e Halepit në Sirinë e sotme shijoi kafenë, këtë pije të panjohur nga europianët perëndimorë. Për këtë përvojë ai ka raportuar në udhëpërshkrimin e tij të botuar më 1582.
Duke pasur parasysh historinë, pyetja se kujt i takon Trieste duhet të marrë vetëm këtë përgjigje: të gjithëve, ndonëse nominalisht i përket Italisë. Claudio Magris, kronisti i pashoq i qytetit, shkruan se në Trieste shkrihen, bashkëjetojnë dhe shquhen kultura italiane, austriake, sllovene, hebraike dhe greke. Mes viteve 1863 deri më 1902 në Trieste janë botuar 560 gazeta dhe revista në gjuhë të ndryshme. Trieste ishte një nga qendrat e rëndësishme të emigrantëve politikë nga Lindja dhe Perëndimi. Në vitin 1940 policia italiane zbuloi një grup ilegal slloven të prirë nga Pino Tomazhiçi, i cili angazhohej për pavarësinë e Sllovenisë sidomos nga Italia. Tomazhiçi doli vetë i nënti para gjyqit në vitin 1941. Të gjithë u dënuan me vdekje dhe pesë me të vërtetë u ekzekutuan. Lufta e Dytë Botërore në këtë rajon ishte një larje brutale hesapesh mes italianëve dhe sllavëve. Fashizmi italian i konsideronte sllavët (sllovenët dhe kroatët) si «racë më të ulët». Një lloj nënçmimi nga ana e italianëve vazhdon edhe sot: vetëm pak prej tyre flasin sllovenisht apo kroatisht. Por, koha e konfrontimit duket se ka marrë fund. Ekziston një identitet rajonal i Triestes, i zhvilluar historikisht, i cili në radhë të parë synon që qyteti t’u takojë banorëve të tij.
2. Një irlandez në Trieste dhe disa fjalë shqipe - Gjurmëve të shkrimtarit James Joyce në metropolin multikulturor italian
S’ka asgjë më të vjetër se gazeta e ditës së djeshme. Kështu thonë jo vetëm armiqtë e leximit dhe të gazetave. Por, shpeshherë e kundërta është e vërtetë. Disa artikuj janë përherë aktualë, pa marrë parasysh kur janë shkruar. Më 22 tetor 1971 gazeta e përjavshme gjermane «Die Zeit» shkruante: «Trieste është zemra e Europës - nëse nuk besoni, merrni një atlas dhe bëni me kompas një rreth prej 2000 kilometrash rrotull qytetit: në Perëndim ai arrin të përfshijë majën e hundës portugeze të damës së moshuar dhe në Lindje cepin me ngjyra të fustanit të saj nga Moska në Ankara. Në Trieste ndërlidhen romakët, gjermanët, sllavët për t’u bërë popullsi e re, europiane. Të përqafuar me njëri-tjetrin ju aty do të gjeni ngrohtësinë dhe përzemërsinë e jugut, zellin e ndjeshëm të veriut, butësinë e përgjumur të Orientit dhe një aktivizëm shumë perëndimor».
Çfarë është thënë më 1971 vlen edhe sot. Trieste është simbol i multikulturalizmit. Por, në fillim të shekullit XX nuk ishte shoqëria shumëetnike e Triestes që e tërhoqi irlandezin James Joyce të vinte këtu për të jetuar. Erdhi për të kërkuar punë. Në të vërtetë autori që do bëhej i famshëm me romanet dhe novelat e tij «Ulysses», «Zgjimi i Fineganit» («Finnegans Wake»), «Portreti i artistit në rini» së pari erdhi në Zürich me premtimin e një agjenti letrar se do të gjente punë si mësues i anglishtes. Premtimi doli i rrejshëm, por drejtori i shkollës së gjuhëve «Berlitz» e dërgoi James Joyce në Trieste për të punuar në përfaqësinë e atjeshme të «Berlitz». As këtu Joyce nuk pati fat, një vend pune si mësues i anglishtes nuk ekzistonte. Kështu irlandezi përfundoi në Pula, në Kroacinë e sotme, ku Joyce mes viteve 1904-1905 u dha mësim para së gjithash oficerëve të marinës. Më 1905 në qytet u zbulua një rrjet spiunazhi dhe Joyce si i huaj qe i detyruar të braktiste qytetin. U kthye në Trieste. Këtu gjeti punë si mësues i anglishtes dhe u hodh në jetën e kafeneve të qytetit dhe gjeti inspirim në shtëpinë publike në Via della Pescheria. Ka kritikë letrarë që mendojnë se Joyce ia ka kushtuar romanin e tij «Ulysses» Triestes dhe jo Dublinit.
Sidoqoftë, ai vazhdon të jetë i pranishëm në këtë qytet. Në urën mbi Canal Grande të Piazza Ponterosso gati çdo vizitor ndalet për t’u fotografuar me James Joyce-in e bronztë. Natyrisht në Trieste nuk mungon as një hotel i quajtur James Joyce dhe një kafe me po të njëjtin emër. Mbi urë duket që koha është ndalur: pranë kanalit një burrë me moshë mesatare mendohet nëse do t’ia fillojë t’i bjerë violinës apo të presë edhe pak, kur numri i kalimtarëve të shtohet dhe me këtë edhe gjasat të marrë ndonjë metelik, ndërsa barkat dhe anijet e vogla lëkunden nga era e famshme e Triestes. Ashtu siç lëkundej dhe lëvizte edhe James Joyce mes kulturave.
Te «Zgjimi i Fineganit» Joyce përdorë fjalë nga mbi 40 gjuhë - mes tyre edhe shqip: vet, hangër, sot, odë, ftohtë, karrige, voe, got’, portokall, buk’, sofër, motra, nipat, mesat dhe Dalbania. Dalbania? A thua kjo lojë fjalësh ishte një përpjekje e James Joyce për të ndërlidhur Shqipërinë, Albaninë, me Dublinin e tij? Një detyrë për hulumtuesit e letërsisë në botën shqiptare. Joyce vdiq në vitin 1941 në Zürich.
3. Në Trieste ndihej mirë jo vetëm James Joyce. Këtu kanë lënë gjurmë edhe letrarë të tjerë. Njëri prej tyre ka shkruar dy poezi për një fshat dhe një lumë në Kosovë
Në libraritë e Triestes në sytë e çdo vizitori bien edhe librat e Giacomo Scottit. I lindur në Itali, ai në vitin 1947 erdhi në Jugosllavinë e atëhershme dhe u bë njëri prej shkrimtarëve më të njohur të pakicës italiane. Ka një vëllim me poezi në gjuhën shqipe, botuar nga Rilindja. Aty gjenden edhe dy poezi me motive kosovare, njëra për katundin Isniq, tjetra për lumin Bistrica.
Scotti ka qenë komunist, titist, polemist dhe ngatërrestar. Vepra e tij letrare gjithsesi ka vlera, por qëndrimet e tij politike janë shumë të diskutueshme. Nga urrejtja e madhe ndaj kroatëve ai mbajti qëndrime në favor të nacionalizmit serb. Jeta letrare e Scottit është zhvilluar mes qyteteve si Rijeka (Fiume, italisht), Pula (Pola) dhe Trieste.
Mes erës së stuhishme, burës së famshme, ujit dhe alpeve, mes të kaluarës austriake, ndikimit sllav dhe dominimit italian në 100 vitet e fundit, Trieste është një truall i plleshëm letrar, ku bashkohen shumë kufij, ku gjendet porti më verior i Italisë, ku preken Mesdheu dhe veriu, ku afër njëra-tjetrës qëndrojnë kisha ortodokse serbe dhe kisha katolike Sant’Antonio Nouvo, një ngrehinë e projektuar nga arkitekti zviceran Pietro Nobile.
Duke qenë pikëtakim i tregtarëve, kulturave, gjuhëve, bankierëve ky qytet edhe sot është burim inspirimi për shkrimtarë. Në Trieste prej vitesh jeton autori gjerman Veit Heinichen, i njohur me romanet e tij kriminalistike. Në këtë qytet të quajtur Vjena perandorake në det Heinichen shëtit rrugicave me komisarin e tij fiktiv Proteo Laurenti, i cili e çmon kuzhinën vendore, verën dhe pllajat karstike.
Në këtë qytet jeton dhe shkruan Jozhe Pirjevec, historian slloven, i cili ka bërë karrierë akademike në universitetet italiane. Pirjevec qe gati 40 vjet ka një obsesion: jetën e liderit jugosllav Josip Broz Tito. Biografia e tij për Josip Brozin, e botuar më 2011 në sllovenisht, ka thyer të gjitha rekordet e shitjes. Ndërkohë libri është botuar në kroatisht, serbisht, italisht, gjermanisht dhe anglisht…
Më së shumti Trieste krenohet me dy shkrimtarë: Italo Svevo (emri i vërtetë: Ettore Schmitz) dhe Umberto Saba. Svevo rridhte nga një familje gjermano-hebraike dhe falë martesës u bë edhe pronar i një ndërmarrjeje të llakut. Heronjtë e tij letrarë e kanë të vështirë të gjejnë veten në botën kapitaliste. Kur irlandezi James Joyce ua mësonte anglishten aristokratëve të Triestes, njëri nga nxënësit e tij ishte dhe Italo Svevo. Ishte Joyce që e ndihmoi Svevon të kalojë krizat e krijimit dhe e bëri të njohur përtej Italisë si shkrimtar.
Autori tjetër Umberto Saba ka shkruar njërin prej cikleve më të bukur poetikë të letërsisë italiane, Canzonieren e famshme. Gjurmët e tij janë edhe sot të dukshme në Trieste, sidomos në «Libreria Saba», aty ku kalonte gati tërë kohën. Saba, bir i një nëne hebraike - mbiemri Saba në hebraisht domethënë «gjysh» - ishte përfaqësues i «cultura mitteleuropea», i kulturës së Europës qendrore.
Në shtëpinë ku gjendet sot «Libreria Antiquaria Umberto Saba» në vitet 1905-1906 jetoi James Joyce. Kronistët e qytetit theksojnë se Joyce-it i pëlqente të pinte dhe të hante në lokalet e Triestes. Në letrat që ka shkruar nga Dublini dhe i ka dërguar në Trieste ai numëron artikujt ushqimorë, të cilët po i mungojnë. Një vend i preferuar i tij ishte «Pasticeria Pirona», e hapur në vitin 1900, e cila vazhdon të punojë edhe sot…
4. Kështu u bë Trieste qytet me plot sharm dhe kryeqytet i kafesë
Të porositësh një kafe në viset shqiptare në Ballkan është punë e thjeshtë. «Makiato të madhe», «makiato të vogël», «espresso» (disa i thonë «ekspres»). Të porositësh një kafe në Trieste është ceremoni dhe sfidë gjuhësore. Nero quhet espressoja klasike në filxhan të vogël, Nero in B (espresso në gotë qelqi. B sugjeron fjalën «bicchiere», qelq), Deca (pa kafeinë, në filxhan), Deca in B (pa kafeinë, në gotë qelqi), Capo (expresso me qumësht), Capo Deca dhe Capo Deca in B.
Për frymë banorësh triestinët pinë 10 kilogramë kafe në vit, dyfish më shumë se banorët e tjerë të Italisë.
Ka një arsye për këtë: përmes portit të Triestes importohet sasia më e madhe e kafesë, 2 deri në 2,5 milionë thasë në vit. «Molo VII» quhet pjesa e portit ku arrijnë anijet me kontejnerë të mbushur me kafe nga Brazili, Vietnami, Indonezia, Kolumbia, India. Triestinët relativisht herët kanë rënë në kontakt me kafenë, janë kujdesuar që me këtë bimë të bëjnë jo vetëm tregti, por edhe të krijojnë një stil të jetës, në të cilin kafeja ka funksion social, një lloj benzine që e gjallëron trupin e njeriut pas disa orëve gjumë dhe kështu ndikon që kafehanet të shndërrohen në tribuna debati.
Kush është fajtor për tërmetin në Itali? Qeveria! Përse ka rënë niveli i televizioneve italiane? Për shkak të Silvio Berlusconit! Përse politika në Itali është paradë kakofonie? Sepse të tillë e ka bërë Silvio Berlusconi! Përse Veriu i Italisë punon dhe Jugu vetëm nga mafia subvencionet dhe kontrabanda rron? Kështu flitet në baret e Triestes dhe pas dy gllënjkave gota e Nero in B është zbrazur. «Kamerier, edhe dy, per favore».
Në vitin 1933 hungarezi Francesco Illy themeloi në Trieste firmën “Illy”, sot të njohur në mbarë botën për prodhimin dhe shpërndarjen e kafesë. Që nga viti 1999 në Trieste ekziston edhe Universiteti i Kafesë “Illy”, në të cilin baristë (mjeshtër të kafesë) nga mbarë bota përsosin zanatin e përgatitjes së kafesë. Për shembull: për një espresso të mirë temperatura e ujit duhet të jetë 91 gradë, shtypja 9,5 bar, mbushja e filxhanit s’duhet të zgjasë më shumë se 30 sekonda.
Nga shkolla italiane e përgatitjes së kafesë ka mësuar edhe Nik Oroshi, një shqiptar nga Zagrebi, i cili në rrugën Ilica 65 ka hapur “Eliscaffe”, një bar për kafe. Natyrisht këtu kafeja edhe piqet, ndryshe s’do të mbretëronte atmosferë pak si në Trieste. Për “Eliscaffe” kanë shkruar gazeta të famshme si “New York Times” dhe “Financial Times”.
Kur në vitin 1719 perandori austriak Karli i VI-të e shpalli Triesten port të lirë tregtar, ai ndoshta nuk e dinte se kishte marrë vendim për themelimin e një kulture të re në Europë: kulturën e kafesë. Me hapjen e portit në Trieste erdhën tregtarët, pas tyre shkrimtarët, piktorët, aktorët. Kështu u bë Trieste qytet me plot sharm. Dhe kryeqytet i kafesë.
5. Vend për t’u rrezitur, inspirim për shkrimtarë dhe fotografë. Dy shembuj: Marc Riboud e Max Frisch dhe entuziazmi i tyre për Dubrovnikun
Marc Riboud, i cili vdiq më 2016, ka qenë njëri prej fotografëve më të famshëm francezë, anëtar i agjencisë Magnum. I lindur në vitin 1923 në Lyon, ai në fillim të viteve ’50 takoi në Paris fotografët Robert Capa dhe Henri Cartier-Bresson. Me aparatin e tij, Riboud ka dokumentuar Lindjen e Largët, Kinën e Maos dhe shumë pjesë të tjera të botës. «Jeta do të ishte aq e dhimbshme nëse nuk do të ëndërronim për ta ndryshuar. Përherë kam qenë i ndjeshëm ndaj bukurisë së botës». Me këtë moto Riboud ndoqi rrugën e tij profesionale. Franca lavdërohet me të drejtë me këtë fotograf.
Në njoftimin për vdekjen e Riboud, Instituti Francez në Zagreb shkruante se kur ia dhuroi aparatin e tij të vjetër fotografik Vest Pocket Kodak, babai i tha Marc Riboud, i cili ishte një adoleshent i heshtur: «Nëse nuk di të flasësh, ndoshta do të dish të shikosh». Në vitin 1953 Riboud ndërmori udhëtimin e tij të parë jashtë vendit dhe e zgjodhi Jugosllavinë e atëhershme, duke fotografuar Dalmacinë. Veçanërisht në Dubrovnik fotografi i ri zbuloi një botë autentike, të shndritshme, mesdhetare, me njerëz që ndërtonin vendin pas luftës së tmerrshme. Ekspozita «Dalmacia, dritare ndaj botës» u hap në vitin 2015 në shenjë nderimi ndaj Kroacisë dhe kulturës së saj.
Në disa fotografi të publikuara në Facebook nga Instituti Francez në Zagreb shihen skena madhështore nga Dubrovniku: një djalë që kërcen në det dhe duket sikur është ndalur në ajër, ndërsa fëmijët poshtë e shohin me habi; një rrugë pingul e Dubrovnikut dhe mbi të disa toja të lidhura në ndërtesa, ku teren teshat e lara; një vajzë me bikini dhe një plakë; një grup vajzash me veshje tradicionale; burra duke pirë verë pranë tavolinave të vendosura në rrugë.
Si rrallë ndonjë fotograf tjetër Riboud ka përjetësuar mallin e pashuar për Adriatikun, për detin, për lehtësinë e jetës, për çlodhjen dhe inspirimin. 20 vjet para Marc Riboud, në Dubrovnik gjeti inspirim edhe shkrimtari i famshëm zviceran Max Frisch. Ai erdhi në këtë qytet në vitin 1933. Frisch fillimisht kishte shkuar në Pragë për të raportuar për gazetat zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» dhe «Tages Anzeiger» nga Kampionati Botëror i Hokejit mbi Akull. Kur përfunduan garat ai i shkroi një letër nënës së tij, përmes të cilës i tregonte se nuk do të kthehej menjëherë në Zvicër, sepse kishte ndërmend të bënte një udhëtim në Europën Lindore. Frisch qëndroi në Budapest, Beograd, Sarajevë, Dubrovnik, Kosovë, Maqedoni, Greqi dhe Turqi. Gjatë qëndrimit në vilën Solitudo në Dubrovnik Frisch u inspirua të shkruajë romanin e tij të parë «Jürg Reinhart», prej të cilit më vonë u distancua, duke e konsideruar si «roman tepër rinor».
Në Dubrovnik Frisch e pa detin për herë të parë, pasi ishte tronditur me Beogradin - në një letër dërguar nënës së tij ai shkruante: «Beogradi është natyrisht katastrofal», ndërsa i pëlqente Sarajeva («gjysmë perëndimore, gjysmë orientale»). Nga Dubrovniku Frisch e vazhdoi udhëtimin nëpër Mal të Zi drejt Kosovës, ku përshkruan disa shqiptarë duke ndërtuar një urë dhe mahnitet me veshjen e tyre, tirqet, qostekët dhe «qefinë të tërë» me të cilët arnautët, pra shqiptarët, mbështjellin kokën. Më gjatë Frisch shkruan për Patriarkanën e Pejës dhe Manastirin e Deçanit, ku lë edhe një shënim në librin e vizitorëve, i cili ruhet edhe sot.
6. Shkrimtari kroat Jozha Horvat u betua në besën shqiptare, «Besa» e quajti anijen e tij, me të cilën shëtiti rruzullin ujor dhe «Besa» i titulloi dy vëllime të shënimeve të tij nga udhëtimet me anije. Portret i një shkrimtari besnik
Kur në tetor të vitit 2012 në moshën 98-vjeçare vdiq në Zagreb Jozha Horvat, mijëra njerëz në Kroaci ulën kokën në shenjë nderimi. Ai ishte shkrimtar, detar i regjur, partizan, intelektual i angazhuar, dëshmitar i shekullit të XX. «Jozha Horvat pati një jetë jashtëzakonisht të pasur. Për ne që e kemi njohur nga ditët e rinisë ai ishte nocion i vitalitetit të palodhshëm», tha historiani i njohur Slavko Goldstein.
Qysh gjimnazist Jozha Horvat mori në telefon shkrimtarin e famshëm Miroslav Kërlezha, të cilin e njoftoi se kishte shkruar një roman dhe e luti t’ia lexonte dorëshkrimin. «Kam qenë gjimnazist, ndërsa Kërlezha atëherë ishte në Mount Everestin e fushës letrare. Në telefon ishte paksa i shqetësuar kur u prezantova. Kur i thashë se jam gjimnazist, ma dha rastin të shkojë te ai», kishte treguar Horvat në vonë në një intervistë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Horvat ishte, mes tjerash, drejtor i «Jadran filmit». Në vitin 1952 shkoi në Paris i zemëruar pasi filmi «Ciguli Miguli», i xhiruar duke u bazuar në një roman të tij, u konsiderua si reaksionar dhe u ndalua nga Partia Komuniste e Jugosllavisë. Ne këtë film Horvat kritikoi burokracinë e tipit sovjetik, por komunistët jugosllavë e përjetuan atë si goditje edhe ndaj tyre. Për 25 vjet filmi u mbajt i mbyllur me kyç. U shfaq tek në vitin 1977. Më 1989 u transmetua në televizion dhe më 2011 u digjitalizua.
Miroslav Kërlezha e quajti Horvatin «Vasco da Gama ynë, që lundroi botën në lëvozhgën e arrës», përkatësisht në «gjethin e blirit». Jozha Horvat kishte një ëndërr të madhe: të lundrojë botën me anije. Dhe këtë ëndërr e realizoi mes viteve 1965-67, kur me anijen «Besa» udhëtoi gjithë rruzullin ujor. Besa? A ka kjo të bëjë diçka me shqiptarët? Po! Shumë.
Në ditarët e botuar më 1973, në dy vëllime, të cilët mbajnë titullin «Besa 1» dhe «Besa 2», Jozha Horvat shpjegon se kjo fjalë i kishte dhënë shumë kurajë për t’u nisur në udhëtimin e tij nëpër detet dhe oqeanet e botës. «Ta jap fjalën, fjalën e nderit…! Fjalën… fjalën e nderit…? Përnjëherë më bie ndërmend besa! Fjalë e dhënë fuqishëm! Ja, ky është emri i anijes sonë! … Fjalë shqiptare e nderit, dhënë mysafirit kalimtar apo të arratisur se i zoti i shtëpisë do ta mbrojë. Besë quhet edhe një lloj paqeje që lidhet mes familjeve apo fiseve në gjakmarrje. Po e shkeli kush këtë lloj bese, do t’i kallet shtëpia apo do t’i nënshtrohet gjakmarrjes. Besa jepet edhe te shqiptarët e Jugosllavisë». Kështu shkruan Jozha Horvat në udhëpërshkrimin e tij «Besa», përkthyer në disa gjuhë të huaja.
Gjatë jetës së tij Horvat u godit jo vetëm nga regjimi komunist, por edhe nga fatkeqësitë. Dy bijtë e tij humbën jetën, njëri në aksident trafiku, tjetrin e gllabëruan valët në një nga lundrimet nëpër botë.
Gjeneratat e moshuara në Kroaci e kujtojnë me nostalgji Jozha Horvatin. Në vitet e rinisë këto gjenerata dëgjonin emisionin për detarë të Radio Zagrebit dhe përcillnin valë pas vale lundrimin e anijes «Besa» dhe me atë rast mësonin edhe nocione të reja gjeografike nga Jozha Horvati. Kur e mori botën në sy Jozha Horvat ia dha besën vetes dhe shokëve se do të kthehet. Dhe këtë besë e mbajti. Botoi ditarët e tij dhe më 1973 sërish mori botën ujore në sy.
Jetoi gati një shekull. Kaq ia kishte dhënë besën vetes. Me kalimin e viteve edhe komunistët jugosllavë filluan ta çmojnë Jozha Horvatin. Mes shumë dekoratave mori edhe të tilla që bartnin emrat e Josip Broz Titos dhe Vladimir Nazorit. «Kam ëndërruar për detin që kur isha djalosh. Tash kur jam afër moshës njëqindvjeçare vazhdoj njëlloj të ëndërroj për detin. Deti na dha gëzime të përhershme, por edhe vuajtje të përhershme. Ai është dashuria dhe frika ime prej së cilës s’kam mundur të heq dorë kurrë», tha ai pak para se «Besa» e tij të ulë velat përgjithmonë. Sepse «jeton vetëm ai, i cili jeton për diçka».
7. Aty ku u vra Luigj Gurakuqi. Aty ku zbarkuan mijëra shqiptarë. Aty ku filluan shumë ëndrra. Bari është kryeqyteti i shqiptarëve në anën tjetër të Adriatikut.
«Deti është i bukur në sytë e Zotit, sepse lag ishujt, të cilët njëkohësisht i stolis dhe i mbron. Ai i bën bashkë kontinentet më të largëta dhe marinarëve u mundëson qarkullim të papenguar. Përmes tyre na sjell njohuri për atë që deri më tani ishte e panjohur. Përcakton fatin e tregtarëve në botën e jashtme. Lehtë i përmirëson gjërat e jetës, sepse të pasurit eksportojnë tepricën, të varfrit mund të furnizohen me gjërat më të domosdoshme» (Shën Bazili i Madh).
Në një ditë vere ky mendim i Shën Bazilit të Madh, kësaj figure të rëndësishme të Kishës Katolike, m’u kujtua në Bari. Ishte pasdite kur arrita dhe dielli përvëlonte çdo cep të këtij qyteti italian, i cili është pak edhe qytet shqiptar dhe oriental, mesdhetar, po se po. Po gërmuam në histori, Bari mund të quhet edhe qytet bizantin, norman, gjerman - fundja Bari ka një shesh me emrin Piazza Federico Secondo di Sveva, në gjermanisht Platz Friedrichs II von Schwaben, sipas perandorit romako-gjerman dhe Mbretit të Sicilisë.
Për dijetarin britanik, gazetarin, oficerin e shërbimit sekret, ekspertin e madh të Ballkanit dhe përkrahësin e paepur të shqiptarëve Harry Hodgkinson «Bari u themelua nga ilirët nga ana tjetër e ujit dhe deri kohëve të fundit me humor quhej kryeqyteti i Shqipërisë». Në librin e tij «The Adriatic Sea» (botuar më 1956) Hodgkinson shkruan se për shqiptarët Bari ishte «qyteti më i afërt me Shtëpi Opere dhe Universitet, në Bari kishte edhe gazeta shqiptare».
Gjatë korrikut mijëra shqiptarë nga mbarë Europa vijnë në Bari. Këtu ata bien në sy menjëherë: nguten të zënë tragetet që lundrojnë drejt Durrësit, Vlorës apo Igumenicës (Greqi). Një javë pushim në Shqipëri, një javë në Kosovë apo Maqedoninë e Veriut. Ky është plani i tyre, zakonisht. Kur kosovarët nuk dinë ta gjejnë portin në Bari, ndalen të pyesin dikë, «porto, porto», dhe shpesh përgjigjen e marrin në shqip. Sepse Bari është qytet edhe shqiptar, stacioni i parë ose i fundit i tyre, varësisht nga perspektiva.
Kjo bëhet e qartë sidomos në Corso Vittorio Emmanuele, ku një pllakë përkujtimore njofton se këtu më 2 mars 1925 u vra Luigj Gurakuqi. Shkodrani Luigj Gurakuqi ishte një urë lidhëse mes botës shqiptare dhe asaj italiane dhe arbëreshe. Pasi kreu shkollimin fillor në Shkodër, ndoqi mësimet në Kolegjin e Shën Adrianit në fshatin arbëresh Shën Mitër, pastaj studioi për mjekësi e biologji në Universitetin e Napolit. Por, mjekësia e biologjia nuk i interesuan aq Gurakuqit. Ai ishte veprimtar i lëvizjes kombëtare, atëherë kur këto fjalë kishin kuptim shumë të madh. Shkroi abetare, poezi, prozë, mori pjesë në Kongresin e Manastirit, më 1909 u caktua drejtor i Normales së Elbasanit, mori pjesë në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, ishte ministër i Arsimit, ishte një nga themeluesit e Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër, në qeverinë e Fan S. Nolit drejtoi ministrinë e Financave.
Duke qenë kundërshtar i Ahmet Zogut, kryeministrit të Shqipërisë dhe mbretit të mëvonshëm, Gurakuqi iku në Itali pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit të vitit 1924. Sipas të gjitha gjasave vrasjen e tij në Bari e porositi vetë Zogu. Plumbat kundër Luigj Gurakuqit i shkrepi Balto Stambolla, djali i tezës së tij. Para gjyqit italian Stambolla deklaroi se e kishte vrarë Gurakuqin nga urrejtja personale. Drejtësia italiane e shpalli të pafajshëm, me gjasë me qëllimin për të ruajtur raportet e mira mes Italisë fashiste dhe qeverisë së Zogut në Tiranë.
Atëbotë konsull i Shqipërisë në Bari ishte Çatin Saraçi, piktor dhe politikan shqiptar. Në kujtimet e tij ai shkruan: «Ironia është se vrasësi, një ditë më parë më takoi në zyrën time duke më thënë se kishte ardhur për të kryer një vepër të madhe patriotike. E njihja mirë që nga koha e shkollës, qe një aventurier e burracak i pashoq, prandaj dhe nuk e mora mundimin ta lajmëroja udhëheqësin e opozitës (Luigj Gurakuqin), me të cilin vijoja të mbaja ende marrëdhënie të mira personale. Një vit më parë kisha mundur t’i shpëtoja jetën viktimës po në Bari, ndaj ai vetë dhe familja më patën shprehur mirënjohjen. Asokohe mendoja se vetë Zogu nuk ishte i lidhur direkt me këto gjëma».
Më vonë Saraçi shkroi një traktat të shkurtër mallkues kundër Zogut: «Unë, Çatin Saraçi, të akuzoj ty Ahmet Zogu si tradhtar të atdheut tënd, si vrasës e hajdut. Shqipëria ka parë pushtues edhe më të fuqishëm se këta të sotmit. Do të ikin edhe këta, por emri yt s’ka për të figuruar gjëkundi. Synimi i kësaj letre është të të paralajmërojë për herë të fundit të mos ngatërrohesh më me Shqipërinë, ndryshe do të detyrohem t’u tregoj diçka më shumë francezëve dhe anglezëve. Bankënotat false që më dhe si dhe letrat e tua të fundit, po i ruaj si dokument i pandershmërisë sate».
Në vitet ’30 Çatin Saraçi punoi në Ambasadën Shqiptare në Londër, ku më 1939 u njoftua dhe miqësua me piktorin e madh ekspresionist Oskar Kokoschka, i cili më 1959 i bëri një portret Çatin Saraçit, por kjo është një histori tjetër…
Gazetari italian Michele Argentiero e ka quajtur Luigj Gurakuqin përfaqësues të kozmopolitizmit adriatik, poet që shkroi në shqip e italisht, themelues i një reviste dygjuhësore. Pllaka përkujtimore në Corso Vittorio Emmanuele është dëshmi për një krim ndaj një patrioti shqiptar, i cili ishte simbol edhe i vëllazërisë italo-shqiptare.
8. Dita kur kapiten Halimi e solli në Bari anijen “Vlora” (të ngarkuar me sheqer nga Kuba): mbi refugjatët shqiptarë të cilët erdhën në Itali më 8 gusht 1991
Historia e Europës është histori e kufijve. Bari, njëri nga qytetet më jugore të Italisë, për shembull, përherë ka qenë zonë e përplasjes së interesave dhe ambicieve të fuqive të ndryshme. Në vitin 847 një flotë myslimane pushtoi portin e Barit dhe shpalli këtu një Emirat, i cili u shpërbë më 871 kur frankët dhe bizantinët u bënë bashkë për t’i dëbuar myslimanët ose saraçenët, siç quheshin popujt islamikë, të cilët afërsisht nga viti 700 nisën të depërtojnë në Mesdhe.
Historinë europiane si histori të kufijve si rrallëkush e shpjegon shkencëtari gjerman Karl Schlögel: «Shikuar në makinën e kohës, gjithë historia europiane është një histori e pandërprerë e zhvendosjes së pushtetit dhe kufijve, prishjes së vijave të demarkacionit të respektuara gjatë, një procesi të rishikimit herë paqësor, herë të dhunshëm, i cili s’pushoi kurrë. Historiografia në pjesën më të madhe është rikonstruksion i këtyre lëvizjeve zhvillimore dhe revizioniste. Historiografia përqendrohet veçanërisht përgjatë kufijve. Ajo është e specializuar në zhvendosjen e kufijve. Ajo i konsideron ata si indikatorët më ekzaktë për dinamikën, mësymjet dhe tërheqjet. Kufiri është vendi i privilegjuar për një historiografi shteruese hapësinore-kohore. Këtu matet fuqia e impulseve, forca goditëse e mësymjeve, qëndrueshmëria e novacioneve apo edhe mbetja e tyre në baltë. Këtu shihet se kush ka impakt historik apo çka nuk është e përhershme dhe rrjedhimisht tërhiqet sërish». Kufijtë janë edhe diçka tjetër: vende të proceseve të transferimit dhe përzierjes, prej nga lind diçka e re. Në periferi, siç nënvizon Schlögel, njeriu sheh ndryshe dhe diçka tjetër sesa në qendër të cilës shpesh i mjafton vetja.
Në verën e vitit 1991 dhjetëra-mijëra shqiptarëve nuk u mjaftonte vetja. Të lodhur nga izolimi shumëvjeçar, të uritur, të shpërfytyruar, me dinjitet të rrëmbyer, shqiptarët kishin vetëm një ëndërr: ikjen në Itali. Vendosmëria për të shkuar në vendin fqinj ishte rritur pasi Partia e Punës në mars e kishte shpallur fitoren në zgjedhjet e para parlamentare me shumë parti. Deri në fund të korrikut mes 25 mijë dhe 32 mijë shqiptarë kapërcyen detin dhe arritën në Bari, Monopoli, Brindizi dhe Otranto. Autoritetet italiane kishin një mesazh për këta njerëz: kërkoni punë ose azil.
Më 8 gusht situata ndryshoi në mënyrë radikale: pas një odiseje nga porti në port në bregdetin italian, anija «Vlora» mbërriti në portin e Barit. Në barkun dhe platformat e saj kishte rreth 10 mijë refugjatë. Qeveria italiane vendosi që të gjithë të kthehen në Shqipëri. Kapiteni Halim Milaqi nuk pranoi të lundrojë prapa me arsyetimin se anija ishte prishur dhe kur disa kërcënuan me vetëvrasje, roja bregdetare italiane i dërgoi refugjatët në stadiumin e futbollit të Barit.
«Skena apokaliptike tmerrojnë në mbrëmje përmes televizionit familjet që hanë darkë në tryezat e shtruara mirë: gra shqiptare që i mbajnë para kamerave foshnjat e tyre apatike dhe luten për ujë; 10 mijë fatkeqë në stadiumin e dalë nga përdorimi Stadio della Vittoria në Bari, të cilët me vështirësi mbahen nën kontroll si kafshë të egra nga jo më shumë se njëqind karabinierë; ose ndjekja e shqiptarëve të ikin rrugëve të kryeqytetit të Pulias» - kështu e përshkruante «Der Spiegel» në gusht të vitit 1991 gjendjen në Bari. Për revistën gjermane gjendja në Bari ishte një «ferr dantesk nga Mesjeta më e errët». Në romanin e tij «Një natë në Bari» shkrimtari Gianrico Carofiglio shkruan: «Kur i shohim sot këto pamje, kemi një ndjenjë tëhuajësimi. Ndërsa këndej kaloi historia, ne nuk ishim vërtet këtu. Por as gjetiu».
Qeveria italiane u tregua e ashpër dhe brenda dy javësh i ktheu pasagjerët e anijes «Vlora» në Shqipëri. Ndonëse në vitet në vijim ikja e shqiptarëve nuk ishte masive, ajo nuk pushoi kurrë. Trafikimi i njerëzve u bë biznes fitimprurës për mafien shqiptare dhe atë italiane. Pas shembjes së piramidave mashtruese financiare vetëm në mars 1997 sërish mbi 10 mijë shqiptarë ikën në Itali. Po atë muaj në Kanalin e Otrantos u fundosën 78 shqiptarë, andaj disa shqiptarë rrugën e Otrantos e quajnë «Kanali i lotëve».
Anija e ndryshkur «Vlora» në vitin 2015 filloi të lundrojë sërish, kësaj radhe si fotografi në mediat sociale. Politikanë populistë, të cilët hidhnin poshtë mikpritjen e refugjatëve në Gjermani nga ana e qeverisë së kancelares Angela Merkel, e shpërndanë fotografinë e anijes shqiptare të ngarkuar dhe rrethuar me mijëra refugjatë si pamje kërcënuese ndaj Europës.
Sot në Itali jetojnë mbi gjysmë milioni shqiptarë, vetëm në rajonin e Pulias së paku 200 mijë. Çfarë u bë me anijen «Vlora»? E ndërtuar në vitin 1960 në Ancona, ajo lundroi me flamur shqiptar deri në vitin 1996. 25 vjet pas eksodit kapiteni Halim Milaqi kështu e kujtonte atë periudhë në një televizion shqiptar: «I kujtoj, rrënqethem dhe nuk e mendoj e nuk arrij ta kuptoj se si është vepruar për të parandaluar ndonjë tragjedi që mund të ndodhte në çdo moment. Kanë qenë në bord rreth 20 mijë vetë, me motor të hapur për riparim; nga ekuipazhi i anijes, sidomos nga sektori i makinerisë, është bërë e pamundura që të riparohet për të shkuar drejt portit italian. Pavarësisht se njerëzit kërkonin të shkonin edhe më tutje, në Gjermani apo Holandë, por ishte e pamundur për shkak se ishim pa ushqim dhe pa ujë».
«Vlora», anija me emrin me pesë shkronja, u quajt atëbotë edhe «anija e ëmbël», sepse kishte një ngarkesë prej 10 tonelatash me sheqer, të cilën e kishte sjellë nga Kuba. Por Halim Milaqi nuk arriti ta shkarkojë kurrë mallin, sepse mjetin e tij lundrues e zaptuan mijëra shqiptarë. «Kishin armë, më detyruan të drejtohesha për në Itali», ka treguar ai para kamerave në filmin dokumentar «La nave dolce» («Anija e ëmbël») të regjisorit Daniele Vicari.
© Enver Robelli



