Botë së prapi - Nga Dashnor Kokonozi
- Published in Andej-Këtej
Pres të kaloj në trotuarin matanë. Drita e kuqe e semaforit sapo është ndezur. Kalimtarët mblidhen me radhë. Të gjithë presim. Disa nisin e flasin, si të kishin pritur të mbërrinin aty për të thënë diçka që e kishin ruajtur gjithë ditën. Ose atë që nuk kishin guxuar t’ia thonë dikujt që ua kishte sjellë majë hundës. Aty gjithçka e dëgjon pa asnjë filtër. Edhe pse kjo nuk ka asnjë vlerë. Pastaj befas sheh se ke mbetur fillikat. Të gjithë kanë ikur.
Çudia është se semafori vazhdon të kuqëlojë hareshëm. Ndjen frikë, tension. Nuk di ç’të bësh. Të duket se të gjithë janë në dijeni të një rreziku që po vjen. Veç teje. Vetëm ashtu mund të përligjej ajo që bënin. Ndihesh keq që nuk të bënë një shenjë edhe ty. Atëherë, një zë i brendshëm nis e të thotë se duhet të nisesh edhe ti. Sa më shpejt!
Nisem dhe dua të besoj se do ta kuptoj më pas pse u nisa. Madje duke nxituar që të arrij të tjerët. Thua se gjëja më e rrezikshme në botë është jeshilja që pritet të ndizet. Vras mendjen të kuptoj pse e bëj këtë.
Nuk është fjala për mungesë qytetarie. Ndjej siklet për atë që po bëj, por është e nevojshme që ta bëj edhe unë. Duhet ta bëj edhe unë. Eshtë kjo trysni që nuk kuptoj, edhe pse e di prej kohësh se marrëdhënia me semaforin flet shumë për qytetarinë e një vendi.
Në një çast të parë mendoja se ishte problemi i imazhit që përcillja. Se duke qëndruar i vetëm në anën e këtejme të trotuarit, përcillja imazhin e një farë trapi. Në mos, të dikujt që hiqet më i edukuar se të tjerët. E rrezikëshme, por nuk është kjo. As ka si të jetë.
Pse atëherë? Pse?
Kam përshtypje se pas këtij gjesti jo urban, qëndrojnë miliona vite formësimi instinktesh të mbijetesës. Janë ato që më thonë, ndiq rrjedhën. Ka diçka brenda vetes që të këshillon të mos biesh shumë në sy, të mos shfaqesh veç, jo ndryshe nga të tjerët. Eshtë mjaft e rrezikshme. E keqja të dikton më shpejt ashtu. Shkriu me turmën dhe lukunia e hienave e ka më të vështirë të vije te ty. Kur je veç turmës je preh më i lehtë për t’u diktuar, izoluar dhe masakruar prej tyre.
Kjo them me vete duhet të jetë ajo që në Tiranë më shtyn të dal nga vetja dhe të ndjek rregullin e gabuar. Por mbase instinktin e mirë.
Prit. Nuk është vetëm kjo.
Duke dalë nga turbullitë pa konture të instinktit, menjëherë kupton se sado absurde të duket, në një rast të tillë shanset për mbijetesë ndaj një aksidenti që mund të shkaktojë një shofer i çmendur, nuk janë në trotuar, por në rrugë, në mes të rrugës, edhe pse me dritë të kuqe ndezur. Se edhe ai i çmenduri që bën të dridhet ajri me uturimën e skapamentos së tij (dhe sa shumë qenkan shtuar), edhe ai ka instinktet e veta të mbijetesës.
Duke synuar që në çastin ekstrem të bëjë sa më pak viktima, që të marrë një ndëshkim më të vogël, ai do ta përdredhë timonin e tij dhe do të drejtohet nga ty, në trotuar. që të shmangë masakrimin e dhjetë a pesëmbëdhjetë vetëve në mes të rrugës. Për një viktime, edhe pse ajo mund të jem unë, ai do të dënohet më pak.
Botë së prapi, por jo shumë!
© Dashnor Kokonozi



