Andej-Këtej

Për shëndetin e botuesit tim - Nga Dashnor Kokonozi

Fillimi i viteve ’90 solli për Shqipërinë shijen e paharrueshme e të papërsëritshme të ndërrimit të regjimeve. Është gjë mjaft e rrallë. Mund të kesh tre jetë e të përjetosh vetëm ndërrimin monoton të qeverive, por ndërrimi i regjimeve është diçka krejt tjetër, është një proces entuziast e madhështor, ku askush nuk ndihet i parjashtuar. Secili ka një rol, sado të vogël. Pastaj bashkë me lirinë, ristrukturimi solli edhe papunësinë. Por nuk ishte gjësendi aq e frikshme sa më parë, kur shteti ishte bosi i gjithçkaje. Të të përjashtonte ai, ishte si të përjashtoheshe nga jeta. Unë kisha bërë një farë emri si gazetar duke e njohur publikun me prova të korrupsionit të pushtetarëve në ikje, por kishte të ngjarë që kjo të ishte edhe arsyeja e papunësisë sime. Atyre që vinin nuk është se u pëlqente shumë vesi që kisha për të gërmuar në punët e errëta të njerëzve me pushtet. 

Në Radiotelevizionin shtetëror nga ku kisha dhënë dorëheqjen, e dija se më prisnin në çdo çast, por gjykoja se njeriu nuk duhet të kthehet kurrë pas.

Kohën e lirë e shfrytëzoja për të shëtitur me duar në xhepa dhe në ndonjë rast, për të shkruar. Kështu ndodhi që një ditë, me një libër në dorë, shkova te një botues, që e njihja fare pak. Isha edhe disi i frikësuar, sepse kisha dëgjuar se për botuesit ishte hapur një treg i ri fitimprurës, ai i botimit me para. Shumë vetë nuk e kishin problem të paguanin. Për mua do të ishte katastrofë.

Më ftoi të ulesha dhe në krye të dhjetë minutave më tha se librin do ta botonte me shpenzimet e tij. Qe një lehtësim i madh.

Libri doli brenda pak muajsh.

Ndonjëherë futesha nëpër librari dhe blija ndonjë kopje, pa treguar se isha autori (blerje që më ka mbetur zakon edhe sot, sepse gjithnjë druhem se ato do të jenë kopjet e vetme që do të shiten).

Pastaj e harruam gjithçka. Ata që e kanë jetuar, e njohin mirë dinamikën e atyre viteve të stuhishme shndërrimesh kolosale. Për të mirë a për të keq.

Kjo deri ditën që rastësisht takova botuesin tim te dera e një restoranti.

Pata përshtypjen se priste dikë që nuk po vinte, por nuk më tha gjë. U tregua mjaft i kënaqur dhe më ftoi të haja drekë me të, duke më siguruar se një dëshirë të tillë e kishte patur prej kohësh. Pranova me entuziazëm të madh. Pak para se të uleshim në tavolinë, i mora leje kamerierit të përdorja telefonin e banakut për të lajmëruar time shoqe në punë se atë ditë do të haja jashtë me botuesin.

Dreka ishte e shkëlqyer, ndërsa muhabeti me një botues ishte fort mesatar. Më fliste për autorë të tjerë dhe sikur tallej e i ironizonte nga pak të gjithë. Sidomos ata që nuk shiteshin dhe i kërkonin para. Ishin histori që edhe tek i dëgjoja nuk ndihesha mirë. Gjithsesi më vinte mirë që kurrë nuk i kisha kërkuar gjësendi. Tmerrohesha kur mendoja se histori të tilla ai do të mund t’i tregonte një ditë edhe për mua.

- Ti je ndryshe nga të tjerët, - më tha duke kthyer një gotë të tërë për shëndetin tim, por mbase edhe duke pritur ta pyesja se ku ndryshoja unë, gjë që nuk kisha ndërmend ta bëja. Isha i sigurt se unë isha "i ndryshëm" ngaqë kurrë nuk e kisha pyetur se ç’bëhej me librin tim.

Kur mbërrita në shtëpi i pohova gruas se nuk e kisha pritur që ai të harxhonte paratë e dynjasë për drekën që kishim ngrënë.

Ajo sapo ishte kthyer nga puna dhe u ul të hante një tas supë, pa treguar ndonjë interes të dukshëm për fjalët e mia. Asgjë nuk ndryshoi edhe kur i thashë se botuesi im u tregua aq dashamirës sa nuk reshtte së ngrituri dolli për shëndetin tim.

- Kam frikë se je ti që i ke paguar ato dolli, - më tha dikur.

- Çar’ po thue, or taj? - e pyeta unë në dibranishten e saj, gjë që e bëj vetëm kur nuk jam në një mendje me të. - I kam xhepat fare bosh!

- Tek kthehesha nga puna u futa në libraritë ku e shihnim ndonjëherë atë novelën tënde të harruar, - tha ajo. - Më thanë se ishte shitur prej kohësh!

- Ah! - ia bëra i habitur.

Pastaj menjëherë u përpoqa të ruaj një gjendje sa më normale, por jo me aq sukses. Kisha dëgjuar se botuesit e nxirrnin të tyren edhe me 200 kopje të shitura, ndërsa ai libër ishte botuar me një tirazh tre-katër herë më të madh.

Llogaritë ishin të qarta. Praktikisht kisha paguar unë.

Por nuk ishte kjo që më inatoste. Gjatë gjithë drekës ai porosiste për vete gotat e verës njëra pas tjetrës, sa kohë që kurrë nuk më pyeti qoftë edhe një herë nëse doja edhe unë një gotë të dytë. I rritur me idenë se kur je i ftuar, duhet të kujdesesh të mos porositësh ti, unë nuk e hapja gojën.

- Epo, shëndeti i botuesit! - thashë.

- Nuk të kuptova.

- Në një farë mënyrë, edhe ai ka të drejtë të jetojë, - fola duke u përpjekur të ruaj tonin e atij që nuk i vë re vogëlsitë e kësaj bote.

- Në është kështu, mendo edhe për një libër tjetër, sa kohë je i pa punë, - tha ajo. - Çmimet po ngrihen përditë dhe nuk duhet ta lësh të vuajë mikun tënd...

© Dashnor Kokonozi