Rrëfime në prag të verës - Nga Enver Robelli
- Published in Andej-Këtej

- Mark Twain
Mark Twain, shkrimtar amerikan, përfaqësuesi më i njohur i zhanrit të “realizmit amerikan”, ndoshta shkrimtari më i madh humorist dhe humoristi më i madh shkrimtar i 100 apo 200 apo 300 viteve të fundit, pra vetë Mark Twain, i lindur më 1835 në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë një udhëtimi në Europë hyri në një hotel në Gjermani. Te porta - sot recepsioni i hotelit - Twain deshi të regjistrohej në librin e mysafirëve. Kureshtar i madh, ai nuk i iku tundimit pa e shikuar listën e emrave të mysafirëve që ishin vendosur në dhomat e hotelit. Në fund të listës, para kolonës ku do të shkruante pastaj emrin e tij, Mark Twain lexoi: “Konti von Hohenlohe me shërbëtorin”. Pastaj Mark Twain mori penën dhe shkroi: “Mark Twain me valixhen e tij prej lëkurës së derrit”.
- Erich Mühsam
Një herë duhet përkthyer në shqip mbiemri i këtij njeriu.
Mühsam është fjalë gjermane dhe në shqip domethënë: diçka që të shkakton a të jep mërzi, që të mërzit; që nuk ka ndonjë gjë tërheqëse e mezi kalohet; i bezdisshëm. Njeri i mërzitshëm. Punë e mërzitshme. Vend i mërzitshëm. Lojë e mërzitshme. Libër i mërzitshëm. Bisedë e mërzitshme. Ditë të mërzitshme.
Erichu i Mërzitshëm. Kështu do të mund të quhej Erich Mühsam në shqip. Por i mërzitshëm nuk ishte fare. Erich Mühsam ishte shkrimtar gjerman, anarkist, bohem, aktivist politik e shumëçka tjetër.
U lind më 6 prill 1878, kur në Prizren po bëheshin përgatitjet e fundit për mbajtjen e Lidhjes së Prizrenit (më 10 qershor 1878). Erich Mühsam u lind në Berlin, që të mos ketë keqkuptime, s’u lind në Prizren, as në Zhur, as në Rahovec. Më 1934 Mühsam u vra në kampin nazist Oranienburg; ishte arrestuar nga nazistët.
Si fillorist Erich Mühsam nuk ishte aq i zellshëm. Ishte dembel. Një ditë arsimtari i tij njoftoi se do të ndante një mirënjohje për hartimin më të mirë mbi temën: “Çka është dembelizmi?”
Mühsam e dorëzoi një hartim të gjatë, të shtrirë në tri faqe.
Në faqen e parë shkruante: “Ky”.
Në faqen e dytë shkruante: “është”.
Në faqen e tretë shkruante: “dembelizmi”.
- Honoré de Balzac
Shkrimtari francez Honoré de Balzac (1799-1850) ishte i obsesionuar pas shkrimit. Sa më shumë që shkruante, aq më pak para kishte. Kishte edhe pasione të tjera. Pinte kafe pa karar. Hante me qejf në njërin nga 2000 restorantet e Parisit; aq lokale punonin në kohën e tij në kryeqytetin francez. Në kuadër të veprës së tij “Komedia njerëzore” Balzac planifikoi të shkruajë 137 romane. Nuk e arriti këtë shifër, por 91 i përfundoi. Në këto 91 romane defilojnë rreth 3000 personazhe.
Një natë Balzac-ut ia prishi gjumin një vjedhës ndërsa po përpiqej të hapte një komodinë. Kur e pa vjedhësin, Balzac qeshi me zë të lartë. I shqetësuar, vjedhësi e pyeti shkrimtarin: “Pse po qeshni?” Balzac u përgjigj: “Sepse ju mu në terrin e natës, me çelës të gabuar dhe duke rrezikuar po kërkoni para aty ku unë gjatë ditës nuk po gjej më çelësin e duhur dhe pa e rrezikuar fare veten”.
- Louis XVIII
Mbret i Francës mes viteve 1814-1824 ishte Louis XVIII. Përpikmëria është mirësjellja e mbretërve - me këso porosish ka hyrë në libra ky monark. Njëherë Louis XVIII drejtoi një mbledhje të këshillit të ministrave. Njëri nga ministrat, i thelluar në mendime, nxori kutinë e duhanit nga xhepi dhe e vendosi mbi tavolinë. Louis XVIII gati u ndërkrye për arsye se një sjellje të tillë të ministrit e shihte si shkelje flagrante të protokollit. Mblodhi vetullat për të shprehur pakënaqësi, por ministri nuk e vërejti fare. Pastaj ai futi dorën në xhep, nxori një shami xhepi dhe e vendosi pranë kutisë së duhanit. Tani Mbreti humbi durimin, ndërpreu diskutimin dhe me zë të ashpër tha: “Si duket ju do t’i zbrazni të gjithë xhepat!” Më në fund ministri e kuptoi gabimin e tij, por u përgjigj me gjakftohtësi: “Lartmadhëri, për një ministër më mirë është t’i zbrazë se sa t’i mbushë xhepat”.
- Winston Churchill
Winston Churchill ishte politikan, ushtar, shkrimtar, piktor. Me talentin e tij retorik dhe humorin e pashoq ai ka hyrë në shumë libra po aq sa ka hyrë në histori si kryeministër i Britanisë së Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ka aq shumë anekdota për Churchill-in, saqë për disa nuk ka dëshmi t’i ketë thënë vetë ai, por prapë tingëllojnë sikur i ka thënë ai. Për shembull: kur u pyet si kishte arritur këtë moshë aq të lartë, Churchill u përgjigj: “No sports”.
Njëherë, si kryeministër, Winston Churchill po fliste në Parlament pandërprerë me shifra nga më të ndryshmet. Një koleg i habitur e pyeti pas debatit: “Nga i gjetët kaq shpejt gjithë këto shifra? Neve do të na duheshin së paku gjashtë muaj për t’i mbledhur”.
“Keni të drejtë”, tha Churchill, “dhe shpresoj shumë se edhe opozitës do t’i duhen po aq muaj për të konstatuar se janë shifra të rrejshme”.
- Nga Lufta e Parë Botërore
Në fillim të Luftës së Parë Botërore administratori i një zyre postare në një koloni angleze në Afrikë mori një telegram nga Ministria e Luftës në Londër me njoftimin se ka shpërthyer lufta dhe se ai duhet t’i arrestojë të gjithë të huajt nëse ata u përkasin kombeve armiqësore. Administratori i postës u përgjigj: “Kam arrestuar tre spanjollë, pesë gjermanë, katër belgë, dy francezë, një suedez, dy amerikanë, një italian dhe një hungarez. Ju lutemi për informata të sakta se me kë gjendemi në luftë”.
© Enver Robelli