Aktualitet

Ndërron jetë Adem Demaçi! Ai që deshi shqiptarinë më shumë se jetën!

Ka ndërruar jetë veprimtari i çështjes shqiptare, Adem Demaçi, në moshën 82 vjeçare.

Ai që deshi shqiptarinë më shumë se jetën! 
Ai që vuante me vuajtjet e shqiptarëve!

Ishte ai që ndriçonte, kur në mes të ditës, para syve na bëhej terr! U largua si burrë i jashtëzakonshëm, me angazhim dhe kontribut të të jashtëzakonshëm!

Doli nga shtëpia, për të pushuar brenda librave të historinë shqiptare! 
Ishte frymëzues i të gjitha rezistencave politike shqiptare në Jugosllavi dhe, Shpresëdhënës, Motivues!- shprehet shkrimtari Naser Aliu.

***

Ndërsa Flasshqip, për të përkujtuar burrin e përmasave të mëdha njerëzore po publikon një pjesë nga intervista e realizuar prej gazetarit Gazmend Kajtazit, botuar më 28.11.2012 nga Telegrafi.

Kur keni dalë nga burgu populli ka pritur në rend për t’ua zgjatur dorën. A mendoni se Adem Demaçi se edhe sot ekziston në popull ndenja e respektit ndaj jush si në ditët e para të daljen nga burgu?

Edhe kjo shkon valë-valë. Nganjëherë respekti rritet, nganjëherë zvogëlohet. Varet në çfarë trajtimesh gjendesh dhe sa është e vërteta e lejuar që të qarkullojë për Adem Demaçin. Ka pasë faza që Adem Demaçi ka qenë i përcjellur, por edhe i penguar që të afirmohet. P.sh., e kam dhënë një intervistë të gjatë dhe shumë të rëndësishme në shkurt të vitit 1992 në televizionin e Beogradit, por këtu në Kosovë rrethanat ishin të tilla që nuk pat publicitet ajo intervistë. Ishin ata që u pengonte Ademi që do të kishte kredibilitet në popull. Është bërë luftë që të më zvogëlohet simpatia, besimi, etj.

Çfarë keni mësuar dukë qëndruar më pranë politikës dhe njerëzve të pushtetshëm?

E kam mësuar një punë të keqe, se pushteti i prish njerëzit, sepse duke u thënë zoti kryetar, zoti kryetar, po sillen ndryshe, po ndahen nga njerëzit, po tjetërsohen, po bëhet tjetërfare, nuk po i njohin shokët e vet të luftës, as të tjerët. Kështu, pushteti është një punë shumë e rrezikshme.

Si shpjegohet që njerëzit që magjepsen më shumë prej pushtetit janë ata më të paaftët? Ka kjo lidhje me kulturën e njeriut!

Po, ka lidhje me kulturën e tij, me edukimin, me vetëdijen e tij. Mirëpo, ka edhe përjashtime që janë treguar. E kemi ne kështu, Fan Nolin, njërin nga atdhetarët e mëdhenj i cili u përpoq për Shqipërinë. Dështoi disa herë, dhe kur Enveri me të tjerët fituan luftën, e ftuan të kthehej dhe të bëhej kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, e ai u tha: “Luftën e bëtë, e fituat dhe vazhdojeni ju”.

Si duket një ditë e juaja në moshën e bardhë?

Unë i them vetes 39 vjeç, por kam lindë para 77 vjetësh. Jeta ka kërkesa të shumta, ka provokime të shumta, të mira e të këqija, po unë jetën e pranoj jetën ashtu siç është. Kërkesat e mia janë të vogla. Ushqehem thjeshtë, vishem poashtu thjeshtë. Jetën e kaloj pa shqetësime të njerëzve të vegjël, që shqetësohen për gjithçka. Çfarëdo që ndodh, unë e pranoj dhe bëj atë çka është e mundur…

 

Tagged under Adem Demaçi