Vende & Zakone

Na ishte njëherë Bar-Restorant “Sahati” - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla

Tiranasit autoktonë e njohin dhe e kujtojnë atë më mirë, por edhe ne, studentët e rretheve të viteve ’70-të e kujtojmë me nostalgji këtë mjedis shlodhës dhe argëtues në zemrën e kryeqytetit, jo se ishim frekuentues të rregullt të tij, por edhe për ne, një birrë e ftohtë shijonte shumë nën hijen e pemëve të lulishtes ngjitur me Kullën historike të Sahatit, prej së cilës kishte marrë edhe emrin.

Ishte një Bar-kafe por edhe Restorant cilësor për kohën, bile me orkestër dhe pistë vallëzimi. I gjithë mjedisi përreth ishte një ansabël harmonik: prapa ndodhej lokali shumë i njohur për kohën, Restorant “Vollga” dhe për ne studentët e rretheve, edhe Agjencia e Udhëtarëve, ku priteshin biletat e autobuzëve në linjat sipas rretheve, sigurisht prej një javë më pare. Të siguroje biletën ishte kënaqësi e veçantë.

Si shumë e shumë objekte të tjera të qendrës historike të qytetit, të asaj që duhet të përbënte realisht objektin e vizitorëve të huaj, lakmia e ndërtuesve dhe injoranca e drejtuesve të “zbritur nga mali” (e meritojnë t’i cilësosh të tillë), e rrafshuan dhe rreth tij po ngrihen me shpejtësi kulla që nga pamja e jashtme kontrastojnë me atë që ka ngelur nga trashëgimia e Tiranës osmane, Kulla e Sahatit dhe Xhamia e Ethem Beut.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur ndërtuesit dhe drejtuesit publikë janë të njëjtët njerëz!

© Klodi Stralla