Blog

Ku jeton Jorida, në Shqipëri apo Shllafari? - Nga Milaim Nela

Nuk është hera e parë që Jorida Tabakut i jepet hapësirë në televizionin e Irfan Hysenbelliut, kanal që është promovuesi kryesor mediatik i Lulzim Bashës dhe grupimit vulëvjedhës të tij.

Jorida Tabaku edhe kësaj radhe nuk zhgënjeu, por sërish foli në emër të Partisë Demokratike. Pata njëfarë shprese se kësaj radhe do na thoshte se kush është sipas saj Partia Demokratike dhe cilin njeh ajo si kryetar. Mazeallah! Nuk e tha.

Sërish ajo edhe kësaj radhe u shfaq si përkrahëse e Lul Bashës, pavarësisht se nuk doli hapur. Këtë e bëri duke mbështetur fort SPAK-un, ashtu si edhe mentori dhe promovuesi i saj Luli Basha.

Jorida ka shpresa të mëdha tek Drejtësia e re dhe shkoi deri atje sa të thotë se Ramës dhe të tijëve iu ka hyrë frika në palcë nga SPAK. Se çfarë drejtësie ka dhënë deri sot “Drejtësia e re”, këtë vetëm Jorida e di, sepse ne deri sot nuk kemi parë gjë. Mbase pikërisht arrestin shtëpiak të Dr. Berishës Jorushi e sheh si sukses!? Jorida la të kuptohej, pavarësisht se nuk e tha, se arrestimi i Sali Berishës është krejt në rregull, sepse nuk dha asnjë opinion për këtë, pa le më të fliste për arsyet e vërteta të këtij arrestimi!

Foli si euroatlantike e vërtetë dhe zemra bam i bënte për mbështetjen amerikane. Ajo iu tha shqiptarëve dhe demokratëve se problemi kryesor i shqiptarëve është kjo ndarja mes nesh dhe ata plangprishësit që e përdorin partinë për interesa personale. Foli mbi palët... Jorushi, siç e quan Agron Gjekmarkaj.

Për Joridën Sali Berisha nuk është kryetar i Partisë Demokratike po problem i saj.  Zgjodhi ta injorojë totalisht duke mos folur fare për këtë problem. Si mund të harxhojë kohë Jorida për një “non-grata” që nuk e do Amerika!?

Ajo sërish foli për një lidership të ri dhe pak a shumë ishte në një linjë me atë grupimin “një hap pas” (e mbani mend Gjekmarkajn, Gridën dhe Salianjin) që kërkonin largimin e të dy palëve Bashës e Berishës, në mënyrë që t’u hapej rruga gridave dhe joridave të PD-së të benin karrierë. të cilën ua pengoka Sali Berisha!?

Për Joridën në Shqipëri problem është opozita dhe ndarja mes veti. Jorida beson se mjafton “bashkimi” dhe ashtu si Luli para zgjedhjeve të vitit 2021 e në vazhdim “patronazhimi” nuk është problem dhe mundet me votë dhe për këtë na dha shembujt e Malit të Zi e Turqisë së Erdoganit.

Jorida la të kuptojë se është Sali Berisha problemi i Shqipërisë sot dhe vetëm largimi i tij e zgjidh ekuacionin. Ajo foli për zonën “gri”, por nuk na tha ku jetojnë këta të zonës “gri” që do votojnë Joridën e joridat e tjera euroatlantike sapo të largohet Berisha.

Ajo foli me superlativa për Gazmend Bardhin si njeri që është konsekuent, politikan me shumë kontribute ne PD. A thua se ne e kemi harruar 8 janarin, blindimin e selisë dhe gazin helmues e hunjtë ndaj votuesve dhe anëtarëve të Partisë Demokratike. Asaj me siguri nuk i kujtohej Gazi para kamerave e nën mbrojtjen e policëve të Edi Rames pas shpinës së tij. Nejse...

U pyet edhe për postin e kryeministres nëse do ta pranonte po ti ofrohej. U duk e mikluar dhe tha nuk është koha të jap përgjigje për këtë... më pyesni kur të më ofrohet u përgjigj.

Ka qenë një libër që unë e kam lexuar dikur kur isha fëmijë “Vajza Orkide” e personazhet e tij e zhvillonin aktivitetin e tyre në një vend që quhej Shllafari. Jorushi mu duk më afër Shllafarisë se sa Shqipërisë.

Dhe për fund se desh harrova, ti Jorush ke më shumë shanse të bëhesh kryeministre në Shllafari se në Shqipëri. Suksese!

© Mialim Nela