Trashëgimi

Doli Zana e Çermenikës!

Nëse keni gjyshe nga Elbasani, me siguri që natën e 13 marsit do të festoni ardhjen e Ditës së Verës ashtu siç duhet. Për të gjithë do jenë përgatitur veroret me fije të bardhë e të kuqe për të larguar syrin e keq. Do shtrohet tavolina me gjel deti e raki, ballokume e revani. Kujdes në mëngjes ama, sepse gjyshja do t’ju zgjojë që pa gdhirë se kështu është tradita. Ajo me siguri do ketë hapur derën e shtëpisë për bujari. Do ketë përgatitur hisen me vezë, ballokume, arra e pala fiku për fëmijët e vegjël të komshijve ose të të afërmëve që do i bëjnë këmbë të parët e do ketë marrë shtamën të mbushur me ujë të freskët nga çesmja e oborrit dhe në dorë do mbajë një plis bari të gjelbëruar duke e vendosur në një vend të shtëpisë për bereqet.  Ah lum kush ka gjyshe të tillë! Nipërve e mbesave do tu thotë të plehërojnë portokallen e ti thonë dimrit ik. Mos e mendo kundërshtimin sepse këto rite kanë ekzistuar dhe janë përcjellë që para lindjes tënde. Tradita është e bukur, pranoje. Drekën do ta kaloni mbase në Gjinar a Byshek sepse zakoni e do në natyrë, për të festuar me ushqime dhe lojëra popullore. (Do Zoti nuk bie shi!) Do të luani e do të qeshni në bar duke treguar si çdo vit edhe gojëdhënën për Zanën e Çermenikës, e cila kishte faltoren e saj si perëndeshë e gjuetisë, pyjeve e natyrës dhe dilte prej saj ditën e 14 marsit.

Po ta vësh re në disa elementë, kjo festë ngjan pak me festimet e Vitit të Ri në Shqipëri. Kjo ndoshta sepse  Dita e Verës ka qenë e lidhur me ditën e parë të marsit. Në antikitet marsi ishte muaj i parë i vitit. Kjo sipas kalendarit Julian. Dhe këtë e fakton gjuha  shqipe e cila ruan gjurmë të kalendarit Julian- thotë historiani Kristo Frashëri. Duhet që viti kalendarik të fillojë me marsin që muaji i shtatë të jetë shtatori, i teti tetori, i nënti nëntori dhe i dhjeti dhjetori. Të tillë kanë mbetur emrat e tyre edhe pse, nga 15 tetori i vitit 1582, kohë në të cilën hyri në fuqi reforma gregoriane, ata janë muaji i nëntë, i dhjetë i njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë. Ka sens apo jo?

Por veçanërisht Elbasanasit nuk e harruan kurrë këtë festë, edhe pse që herët ajo është festuar në gjithë viset shqiptare. Mos ndoshta nuk e kanë harruar dot për shkak të ballokumeve fantastike, ëmbëlsirën e veçantë që e gatuajnë vetëm për Dit’ Vere? Dhe mirë kanë bërë, pasi deri më sot falë Elbasanit iu kthye popullariteti deri në një festë kombëtare, e cila vetëm përmes dekorimeve të qyteteve të mbush me hare dhe pozitivitet.

Gëzuar Ditën e Verës!

©FlasShqip.ca