Trashëgimi

Tekste këngësh, një trashëgimi e veçantë nga Odhise Grillo

Ani Grillo, e bija e shkrimtarit të dashur, sidomos nga fëmijët Odhise Grillo, përmes një statusi në Facebook sjell për lexuesit disa nga tekstet më të bukura të këngëve me autor atin e saj. Janë këngë që i kanë rezistuar kohërëve, por që shpesh herë autori i tekstit nuk është përmendur e madje ndonjëherë edhe janë munduar të ngrenë dyshime mbi autorësinë. Ja çfarë shkruan Ani Grillo:

“Melodia ngelet muzikë dhe pa tekst edhe pa interpretues. Por edhe teksti ngelet poezi pa muzikën dhe interpretuesin. 
I shkruaj këto rreshta për tim atë, për të mos harruar emrin e tij, Odhise K. Grillo, sepse diku mundohen të venë në dyshim autorësinë e teksteve të krijuara nga ai dhe diku as që nuk përmendet...
Do të mundohem më poshtë të sjell disa nga tekstet e këngëve që në bashkëpunim me kompozitorët dhe interpretuesit kanë ngelur perlat e muzikës së lehtë. 
Shpresoj një ditë dhe është një nga qëllimet që I kam vënë vetes të gërmoj në arkivin e tij për të shkundur pluhurin që i kanë hedhur emrit të tij”.

Kujtimet e studentit

Muzika: Agim Prodani
Teksti: Odhise Grillo - Korrik 1957 
Interpretuar nga Anita Take

Një ditë në bankë o mike, 
dy emra i gdhëndëm dikur, 
po ti nuk e di si më ike, 
ndaj zemres i vura nje gur.

Dashuria e parë nuk harrohet, 
dëgjoje këtë fjalë që trondit, 
veç mali me mal nuk takohet, 
por njerëzit takohen një ditë.

Ne u ndamë në errësirë 
jeta ndarje ka 
por se zemra lamtumirë 
zemrës nuk i tha.

U ndamë nga shkolla, mban mënd 
por ne nuk u ndamë përjetë 
ndaj tjetër se zu vëndin tënd 
të dytë dashuri s'mund të ketë

Vajza me trëndafil

Muzika: Agim Prodani
Teksti: Odhise Grillo - 1963
Interpretuar nga Anita Take

Rrugës kur shkon duke qeshur,
një trëndafil mban në dorë,
flokët të thurur kurorë,
më e bukura për mua je.

Natën do t’vij në bahçen tënde,
trëndafilat do t’i pres,
do të përgjoj un’ty me ëndje,
herët në mëngjes.

Kur do kalosh çapkëne
në rrugë e menduar,
se sot pa lule ke mbetur,
thuaj mos vallë e ke gjetur,
se trendafilat kush ti preu?

Lule mos mbaj nëpër duar,
Ato s’ta shtojnë bukurinë,
Ti ke për mua freskinë,
se trëndafil ti vetë je!

Ç’është dashuria

Teksti: Odhise Grillo - 1959
Interpretuar nga Anita Take

Dua ta di o miqtë e mi
Ç’është dashuria?
Është gëzim, është hidhërim
Që të shqetëson

Lot edhe gaz ke në çdo çast
Mijëra psherëtima
Her’ të mundon, her’ të gëzon 
Vall’ kush më tregon

Zjarr apo mall
Ç’të jetë vall!
Kush di të më thotë
Pa dashuri, as unë as ti
Nuk jetojmë dot

Nuk më thatë gjer’ tani 
S’e gjen dot jo asnjeri 
Ndaj ju pyes përsëri
Ç’është e ëmbla dashuri?

Kur gjethet bijen në vjeshtë

Muzika: Leonard Deda
Teksti-Odhise Grillo,
Interpretuar nga Rudolf Stambolla
 

Kur gjethet bijn në vjeshtë dhe m'dukesh n'vaj natyr,
për ty s'mundem me hesht, si gjethja bahem n'ftyr.
E zverdhun dhe e ngrime, si barnat në Kallnur,
Po del kjo kanga ime ankuse thell n'krahnur.

Ti m'ke braktis, qofshin haram ndjenjat e mija,
se larg dashnis, të lindi n'zemër pabesia.
Ke me u pendue, por at'her ka me qen' von
dhe tuj lotue do t'vij nermen dashnia jon.

T'kujtohen ty pranverat, ah puthjet me pasion
dhe fjalt e tua nga hera kjo zemër si harron.
Nëqoftse gjethet ranë të vyshkuna mbi dhe,
at'her kam me besue se sa e pabesë je.

Ti m'ke braktis, qofshin haram ndjenjat e mija,
se larg dashnis, të lindi n'zemër pabesia.
Ke me u pendue, por at'her ka me qen' von
dhe tuj lotue do t'vij nermen dashnia jon.

Për mua lulet e verës nuk kan ma bukuri,
jan vyshk n'qoshe t'pinxheres, të mjerat në saksi,
As lot nuk kan t'i ngjallin,jan shterrur lot e rinis,
veç kur më merr mu malli, i knoj un dashuris.

Ti m'ke braktis, qofshin haram ndjenjat e mija,
se larg dashnis, të lindi n'zemër pabesia.
Ke me u pendue, por at'her ka me qen' von
dhe tuj lotue do t'vij nermen dashnia jon.