Eposi i Kreshnikëve, kryevepra e trashëgimisë kulturore shpirtërore shqiptare
Eposi i Kreshnikëve është një cikël këngësh legjendare të shoqëruara me lahutë, ku në qendër ka dy vëllezërit, Muji dhe Halili. Eposi është kënduar në Malësinë e Madhe, Rranzat, Postribë, Shllak e Dukagjin, Nikaj Mërtur, Krasniqe e Gash, Bytyç, Berishë, Has si dhe në Kosovë në Rrafshin e Dukagjinit me qendrat: Pejë, Gjakovë, Prizren, Rahovec, Deçan, Istog e Suharekë. Në shkencë ai njihet me emërtimin Eposi i Kreshnikëve ose cikli i Mujit dhe i Halilit, kurse në popull - këngë kreshnikësh, këngë të Mujit e të Halilit, këngë të moçme trimash, këngë lahute etj.
Këto janë kënduar në odat e miqve, kuvendet e burrave si dhe në festa të ndryshme, pa stimuj materialë për rapsodët. Ndër këngët e veçanta të ciklit përmendim: “Martesa e Mujit”, “Fuqia e Mujit”, “Orët e Mujit”, “Vaji i Ajkunës”, “Martesa e Halilit”, “Muji e tri zanat e malit”, “Halili pret Pajo Harambashin”, “Orët e Bjeshkës” etj. Shtëpia pa lahutë, shtëpia ku s'këndoheshin këngë kreshnikësh, konsiderohej si "shtëpi e lanun", që s'meriton respekt.
Në epos jepen me plot ngjyra e saktësi mjediset fshatare, kryesisht malore (ku dielli "shumë" po shndrit e pak po "nxeh"), natyra që i rrethon, mënyra e jetesës së njerëzve që janë mësuar të përballojnë ashpërsinë e terrenit e të klimës, rreziqet dhe vështirësitë. Aty nuk ka as edhe një gjurmë nga mjediset e molepsura, "shkëlqimi" i jetës, mirëqenia dhe orgjitë feudale. Por ndryshon puna kur jepet, të themi, jeta e antagonistëve, të cilët notojnë në luks, ndonjëherë edhe në ves. Ja një përgjigje plot interes që i jep Kraleviç Markut kreshniku Musa Arbanasi, pasi kujton lindjen e të parit në saraje të mëdha e shtroje të buta: Mue shqiptarja e ashpër me lindi / Atje të dhentë, në gurrë të ftohtë, / Me plaf të zi më mbështolli, / Me fije ferrash më lidhi, / Me qull tërshëre më ushqejti
Ky epos, që përbën një pjesë të rëndësishme të epikës legjendare shqiptare në përgjithësi, jeton jo thjesht si një relikt i nderuar dhe i çmuar etno - kulturor, por kryesisht për mesazhin e madh që sjell - rezistencën në emër të lirisë, të së drejtës e të dinjitetit, - si dhe për vlerat e larta artistike.