Trashëgimi

Homazh për At Gjergj Fishtën - Nga Saimir Kadiu

 Saimir Kadiu

At Gjergj Fishta 23 Tetor 1871 - 30 Dhjetor 1940

81 vjet më parë u shua në Spitalin Civil të Shkodrës poeti i madh i "Lahutës së Malsisë"..., kryetari i Komisionit të hartimit të alfabetit në Kongresin e Manastirit, diplomati dhe patrioti i shquar, si dhe shkrimtari i parë shqiptar i nominuar për Çmimin Nobel për Letërsinë.

Pater Marin Sirdani, filolog e mik i poetit, shkruan në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vet me këto fjalë: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për fe, Atdhe e për provincën tonë”.

"Fatmirësisht" Gjergj Fishta i madh i shpetoi ferrit komunist nga vdekja e parakohshme e tij me 30 Dhjetor 1940, por fatkeqësisht edhe i vdekur nuk i shpëtoi persekutimit komunist... Eshtrat e tij u nxorrën nga varri dhe u hodhën në lumin Drin.

Shqipëria është ndoshta nga vendet unikale ku një nga poetët më të mëdhenj të saj nuk ka varr...

“Varri i Dantes ruhet në Ravena prej afro 700 vjetësh; varri i Shekspirit ruhet në Stratford prej 400 vjetësh. Edhe varri i De Radës ruhet në Maki të Kozencës prej më se një shekulli nga arbëreshët që patën fatin të mos e jetojnë ferrin komunist. Vetëm në Shqipërinë e diktaturës një poet kombëtar lihet pa varr. Qenka e thënë që të mëdhenjtë e këtij kombi të mos prehen të qetë pas vdekjes, por t’u nxirren eshtrat nga varri, nga të huajt për t’i shndërruar në hajmali; kurse nga vetë shqiptarët për t’i hedhur në lumë. Dhe atë që s’arritën t’ia bëjnë sa qe gjallë, e bënë me veprën e tij. Ajo ishte e ndaluar të lexohej, të komentohej, të mbahej në shtëpi” (cit. Kolec Topalli).

Aq e madhe ishte urrejtja e infektuar nga "Covidi" ideologjik dhe nacionalist pansllav sa që edhe ata që lexonin, komentonin apo recitonin vargjet e tij dënoheshin për "tradhëti të lartë ndaj atdheut"...

Le të shijojmë këtë poezi të mrekullueshme të "antishqiptarit" Gjergj Fishta...

"Shqypnia"

Edhè hâna do t'a dijë,

Edhè dielli do t'két pá,

Se për qark ksaj rrokullije,

Si Shqypnija 'i vend nuk ká !

Fusha t'gjâna e kodra t'blera,

Zijes s' mnershme larg kû âsht droja,

Me gaz t'vet ktû i veshë Prendvera,

Si t'Parrizit t'larmet shtroja.

Nën nji qiellë përherë t'kullueme,

N'rreze e n' dritë përshkue unjí,

Bjeshkë e male të blerueme

Si vigâj shtiellen n'ajrí.

Ke ato bjeshkë e ke ato male

Kroje t'kjarta e t'cemta gurra,

Tue rrëmbye npër mriza hale,

Gurgullojn npër râjë e curra.

Mbi ato male e bjeshkë kreshnike

Léjn mande' ata djelm si Zâna,

Armët e t'cillvet, përherë besnike,

Janë përmendë ndër fise t'tana.

Atje léjn, po Toskë e Gegë,

Si dý rreze n'flakë t'nji dielli:

Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë,

Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.

Oh! Po, e din i prûjtë anmiku,

Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit,

Rijtun gjakut kah çeliku

N'dorë t'ktij shndritë për vend t'të Parit.

Ato male të madhnueshme,

Ato, po, kanë mûjtë me pá

Se sa forca e pafrigueshme

N'turr t'Shqyptarit pît ka rá.

Dridhet toka e gjimon deti,

Ndezen malet flakë e shkndija,

Ka' i frigueshëm, si tërmeti,

Atje rrmben kû e thrret Lirija.

Lume e shé para atij ngelin,

Ia lshojn udhën dete e male;

Mbretënt fjalën s' mund t'ia shkelin,

Turrin ferri s' mund t'ia ndalë.

Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,

Ngrehe ballin si mbretneshë,

Pse me djelm, qi ngrofë ti n'gjí,

Nuk mund t'quhesh, jo, robneshë.

Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit,

Qi zanát ka besë e fé,

Për Lirí, për fron të Mbretit

Me dhânë jetën ka bâ bé.

Sy për sy, po, kqyr anmikun;

Përse djemt, qi ti ke ushqyue,

S' i ka pá, jo, kush tue hikun:

Friga e dekës kurr s' i ka thye,

Kaq të bukur, kaq të hieshme

Perëndija t'fali i Amshueshëm,

Sá 'dhe deka âsht për tý e shieshme:

N' gjí t' and vorri âsht i lakmueshëm.

Po, edhè hâna do t'a dijë,

Edhè dielli do t'két pá,

Se për qark ksaj rrokullije,

Si Shqypnija 'i vend nuk ká !

Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,

Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,

E me dije e me Lirí

Për jetë t'jetës të rrnoftë tý ndera.