In Memoriam Kardinali i parë shqiptar Dom Mikel Koliqi - Nga Saimir Kadiu
Saimir Kadiu
Në 25 vjetorin e ndarjes nga jeta (Mikel Koliqi 29 Shtator 1902 - 28 Janar 1997)
Më 26 Nëntor 1994, në sallën “Paolo IV”, kryesuar nga Papa Gjon Pali i Dytë, u mblodh Konçistori, për emërimin e kardinalëve të rinj, ndërsa të nesërmen, në Bazilikën e Shën Pjetrit u zhvillua ceremonia e dytë, gjatë së cilës, të emëruarit merrnin unazën e kardinalit.
Gjatë ceremonisë, kardinalët e rinj iu gunjëzuan Papës.
Dom Mikelin nuk e linte mosha (92 vjeç) e shëndeti, kështu që qëndroi i ulur në karrige dhe Papa do ta bekonte. Por në atë moment do të ndodhte diçka e papritur; për herë të parë në historinë 2000 vjeçare të Kishës, një Papë u gjunjëzua para një Kardinali.
Më 28 Nëntor 1994, Papa e priti në audiencë Kardinalin dhe njerëzit e tij. Mediat botërore i kushtuan vëmendje të veçantë emërimit kardinal të Dom Mikelit, jo vetëm si kardinal i parë nga Shqipëria, por edhe si 92 vjeçar.
Por Dom Mikeli qëndroi gjithnjë i njëjti person, me thjeshtësinë e njeriut të madh, që e karakterizoi gjithë jetën. Ai tha: “Papa më ka zgjedhur mua për kardinal se isha më i moshuari” dhe “titullin e kardinalit e ka marrë gjithë Shqipëria.”
Për fatin e tij të keq dhe për turpin tonë kombëtar, ky njeri i perëndisë, kardinali i parë shqiptar, duke filluar nga viti 1945, kaloi 4 dekada të tëra në burgjet dhe internimet e diktaturës, për të vetmin “mëkat” që besonte në zot dhe që nuk besonte në parajsën e premtuar në tokë të komunisteve. Përveç kësaj, ai ishte edhe vëllai i shkrimtarit dhe intelektualit të madh Ernest Koliqi… Kaq mjaftonte që studenti i shkëlqyer i seminarit “Corso di Venezia” të Milanos, kompozitori i talentuar dhe patrioti i madh shkodran, të fillonte zbritjen në rrathët e ferrit komunist.
Këtë figurë shembullore kishtare e kombëtare po e kujtojmë me fjalët e imzot Klaudio Maria Çelit, ish-Kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, i cili, si përfaqësues i Selisë së Shenjtë, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri në vitin 1991 e pati njohur e takuar në Shkodër dom Mikel Koliqin. Rasti qe një ndër takimet e para që përfaqësuesit e Vatikanit takonin popullin dhe klerin e persekutuar, që posa kishin dal nga dimri egër i diktaturës ateiste të komunizmit.
Ja si e kujton Imzot Çeli, Meshën e kremtuar në Katedralen e Shkodrës, më 21 Mars 1991:
“Sapo e kishim filluar Meshën, kur hyri në Kishë Monsinjor Koliqi. Ishte vikari i përgjithshëm, që kishte shpëtuar gjallë nga persekutimi: fizikisht i shkatërruar, por tmerrësisht i gjallë e i fuqishëm në shpirt.
Hyri në Kishë i mbajtur për krahësh nga dy të rinj. Figurë interesante, emocionuese. Madje fjala interesante nuk mjafton për të shprehur atë që ndjemë të gjithë atë çast, sepse ishte një pamje e papërshkrueshme. Më tha: “Unë nuk dal ma prej shtëpie, por kur më thanë se ju jeni këtu, e ndjeva për detyrë të isha i pranishëm, në një çast kaq të pritur, kur përfaqësuesi i Papës asht mes nesh!
Fillova homelinë. E kujtoj akoma, sepse më delte nga zemra, pa pasur nevojë fare për përgatitje. E, me që ishte data 21 Mars, shqiptova fjalët: “Dimri po shkon! Sot fillon pranvera!”.
©Saimir Kadiu



