Përkujtojmë Imzot Vinçenc Prennushin - Nga Saimir Kadiu

Saimir Kadiu
Primati katolik i Shqipërisë, "poeti i qytetit të Shkodrës" (sipas Eqerem Çabejt) Vinçenc Prennushi, i mbylli sytë, 73 vjet më parë, më 19 mars 1949, në burgun e Durrësit, në duart e Arshi Pipës.
Në librin "Ftesë në Studio" (1990), Ismail Kadare përshkruan një dialog "kozmik" me Lasgush Poradecin për Vinçenc Prennushin.
"Ne e dënuam Vinçenc Prennushin me 80 vjet burg, kur ai ishte 76 vjeç...", i drejtohet poeti ynë i madh lirik Kadaresë.
"Kush ne?" - iu pergjigj i habitur Ismaili..."ne nuk jemi as prokurorë dhe as gjykatës".
"Po... po... ne poetët..." vazhdoi Lasgushi.
"Në një vend të qytetëruar poetët mbajnë përgjegjësi për gjithçka" ...
Vinçenc Prennushi lindi në Shkodër më 4 shtator 1885.
Klerik katolik, shkrimtar, poet, folklorist, historian, përkthyes i Dantes dhe filozof, i shkolluar në Tirol të Austrisë, autori i "Visaret e Kombit, Kangë gegnishte” (1911) dhe shumë veprave të tjera.
Më 1918 botoi “Fjala e Zotit” si dhe romancën në vargje “Grueja shqyptare”, e para vepër letrare e tij e botuar në shtypshkronjën françeskane.
Më 1919, botoi dhe shfaqi në Shkodër dramën “E tradhtuemja”, përshtatje në shqip të T. A. Rolando.
Në 1921, botoi përmbledhjen e njohur poetike: “Gjeth’ e Lule”, përmbledhje të cilën kritika e gjeti të bukur e delikate.
Më 1931 boton dramën me pesë akte “Prej robnije në liri”. Më 1939 poezitë “Kuq e Zi” dhe “Ushtari i vogël” i përzgjidhen në një antologji arsimore për shkollën e mesme.
Më 1941 i shkruan parathënien përkthimit të veprës së Manzonit, “Të fejuemt”, nga At Mark Harapi.
Në vitin 1933, përktheu e botoi romanin “Quo Vadis” (Ku po shkon?) të nobelistit polak Sienkievicz.
Në vitin 1939, përktheu dhe botoi romanin e Silvio Pelico-s “Burgjet e mia”.
Në vitin 1945, Enver Hoxha i kërkon një takim Imzot Prenushit, i cili pranon të bisedojë me diktatorin. Në atë takim mori pjesë edhe Imzot Gaspër Thaçi. Tema e takimit ishte shkëputja e Kishës Katolike shqiptare nga Selia e Shenjtë dhe Papa. Të dy klerikët e refuzojnë këtë kërkesë dhe pasojat ishin të menjëhershme. Më datë 19 maj 1947, Imzot Prennushi arrestohet.
Vinçenc Prennushi, një nga shqiptarët më të kulturuar të gjeneratës së tij, u dënua në një proces kriminal në vitin 1947, nga një trupë gjykuese, ku më i shkolluari kishte arsim 7-vjeçar.
"Krimi" i tij i vetëm ishte mospranimi i shkëputjes së Kishes Katolike Shqiptare nga Vatikani.
Ai ishte pinjoll i një familjeje qytetare shkodrane, Prennushi, që i dha Shqipërisë pesë klerikë të njohur: Dom Mati Prennushi, At Mati Prennushi OFM, Imzot Vinçenc Prennushi OFM, At Karlo Prennushi OFM dhe Dom Kolec Prennushi. Të gjithë të shkolluar në Grac, Tirol dhe Linz në Austri.
“Simboli i të së kaluemës së Shqipënisë me të cilin ne mburremi”. Kështu do ta cilësonte Arshi Pipa Imzot Vinçenc Prennushin, në një ese të gjatë me titull, “Kujtime mbi Vinçenc Prennushin”.
U shpall "Martir i Demokracisë" më 8 maj 1993 në Durrës.
©Saimir Kadiu



