Vetëm kultura e dija të bëjnë të lirë - Nga Ylli Asllani
Ylli Asllani
Dedikim z. Petro Isufi, pedagogut tonë të gjuhës dhe qytetërimit francez
Në Gjirokastrën e gjysmës së dytë të shekullit të XX-të, në Liceun e Qytetit, të ndërtuar pothuaj 100 vjet më parë nga francezët, vetëm arkitektura e godinës dhe z. Petro kishin ngelur ende mishërim i kulturës perëndimore.
Në qytetin tonë të çuditshëm socialist, Profesori ishte bërë proverbial në sjelljet, shije, veshje, stil jete, korrektësi dhe standard pune, duke personifikuar kështu civilizimin e lëndës që na mësonte.
Me thjeshtësinë e vet, finesën, mënyrën e kulturuar të jetesës dhe cilësitë e tij të veçanta na kujtonte thënien e Balzakut se “kjo botë e madhe rrotullohet rreth gjërave te imta”.
Pas sharmit dhe elegancës së tij, në klasë ai shndërrohej në një makineri të pandalur dijesh e përkushtimi për nxënësit. Për këtë arsye na kishte tërhequr në botën e tij virtuale të cilën ne mezi prisnim ta kontaktonim në çdo orë të frëngjishtes...
Profesor Petro nuk ishte moralist, nuk parapëlqente të merrej me politikën e ditës, prandaj ai predikonte vlerat universale njerëzore... Vetëm kultura e dija të bëjnë të lirë, porosiste herë pas here.
Postulatet e tij ishin të shënuar. Kështu patriotizmin dhe arsimin i konsideronte jetikë, por edhe modë për brezin e ri, qytetarinë e shihte si aleate të progresit dhe injorancën, armike të atdheut.
Atdhedashuria e tij ishte realiste, pa partishmëri, jo patetike dhe tepër moderne.
E vlerësoj mësuesin tim sa here flitet për integrimin në BE, si dhe nevojën e plotësimit të standardeve qytetare evropianë në jetën e përditshme... “Nuk mund të njohësh gjuhen e kulturën e të tjerëve pa njohur kulturën tënde...”, përsëriste shpesh.
Predikonte një të ardhme nëpërmjet punës dhe arsimimit, përkundrejt dembelizmit e teorive bosh.
Dita e tij fillonte një orë para orarit zyrtar dhe nuk ndalte deri në orët e vona të mbrëmjes.
Ishte profesionist i shkallës superiore dhe kishte metodën e tij të mësimdhënies, larg skematizmit të kohës. Me një ritëm të paparë çdo ditë ai kalonte qindra nxënës në filtrin e imët të vlerësimit dhe induktonte tek ata njohuri, dije dhe civilizim.
Nuk e shprehu kurrë me fjalë zhgënjimin që ishte rikthyer nga Perëndimi (si kulturë të menduari) në një diktaturë, sepse nuk e konsideronte produktive. Edhe pse në fakt kjo ndihej në çdo hap të tij elegant që hidhte në kalldrëmet e qytetit gri.
Z. Petro na fliste pambarimisht për studimet dhe vitet e rinisë të jetuar në Francë e më pas në Stamboll, duke theksuar se popujt e përparuar e përgatisin vetë të ardhmen.
E donim te gjithë, pasi ai nuk kishte zgjedhur mllefin për të sfiduar realitetin, por edukimin qytetar, modelin e jetesës dhe evokimin e rrethanave të një shoqërie ndryshe...
Fjalori dhe mendësia e tij e hapur nuk u deformuan për asnjë çast nga rrethanat e kohës, pavarësisht sjelljes së tij të kulturuar. Ndaj ai do të konsiderohej prej gjimnazistëve gjirokastritë si e vetmja dritare nga ku mund të shikonim një model dhe realitet ndryshe nga ai që na ofrohej...
E kujtoj më shpesh tashti që nuk është më, sidomos kur afrohet ndonjë përvjetor i Gjimnazit dhe sa herë më duhet të flas gjuhën që na pat mësuar...
©Ylli Asllani



