Trashëgimi

Thelbi i reformës gjuhësore - Nga Mehmet Elezi

Reformimi i standardit, duke e pasuruar e fuqizuar me vlerat e mohuara për shkaqe jashtëgjuhësore, shihet si e vetmja mënyrë që e mbron atë.

Kjo ide është hedhur mbi dyzet vjet të shkuara nga vetë Çabej. “Midis gjuhës ekzakte të shkrimit dhe gjuhës së gjallë të popullit ne duhet të mbajmë një rrugë të mesme”, thotë. Përndryshe gjuha shqipe mund të bëhet një “gjuhë e pasme (e prapambetur)” ose “një gjuhë artificiale”.

“Gjuhë artificiale” këtu është eufemizëm. Kurrkush nuk di një gjuhë artificiale që ka mbijetuar. Nga shkëputja prej gjuhës së gjallë latinishtja u shndërrua në gjuhë të vdekur. Ndërkohë latinishtja vulgare, gjuha e popullit, polli bijat që gjallojnë plot energji edhe sot, pas dy mijë vjetësh: frengjisht, spanjisht, italisht, portugalisht, rumanisht...

Gjuha e mesme, që këshillon Çabej, do të thotë standard i hapur, që thith vlerat qenësore të të dy dialekteve. Këtu qëndron thelbi i reformës së pritshme gjuhësore. Çështja pra nuk është: toskërishtja a gegërishtja? Çështja është: filozofi përjashtuese apo gjithëpërfshirëse, e zbatuar kjo me kritere shkencore.

Standardi i Komisisë Letrare të Shkodrës (1916), me bazë të folmen e Elbasanit, ishte i hapur për të dy dialektet. Standardi i sotëm, me bazë toskërishten, pse nuk mund të jetë edhe ky i hapur për të dy dialektet?

Kongresi i Drejtshkrimit 1972 vështirë mund të quhet kuvend i mirëfilltë shkencor, sa kohë që dijetarët nuk mund t’i shpalonin qasjet e tyre lirshëm. Ata që votuan në kongres ishin aq të lirë sa edhe shqiptarët që votonin 99.99 për qind në zgjedhjet pa opozitë. Aty mungoi mendimi ndryshe. Fizikisht ose me pikëpamjet e tyre munguan Selman Riza, At Zef Valentini, Martin Camaj, Mustafa Kruja, Arshi Pipa, Namik Resuli. Mungoi edhe Çabej, ani pse ishte në sallë.

Dihet se ai nuk u pajtua kurrë me zgjedhjen që u bë. Bash në Kongresin e Drejtshkrimit Çabej pati bërë thirrje për “një gjuhë të përbashkët, tej caqeve shtetërore”. Kjo gjuhë, nënvizoi ai, “mbetet shprehja e një njësie nacionale dhe e një shkalle të caktuar të kulturës së bashkësisë që e flet”. Prandaj në formulim të çdo rregulle të jetë e pranishme “vetëdija që është puna për një drejtshkrim të caktuar jo për disa mijë veta, po për katër milionë njerëz që e kanë shqipen gjuhë amtare” - aq shqiptarë llogariteshin asokohe në rajon.

Studiuesit prej hapësirave shqiptare në ish-Jugosllavi e mbështetën projektin e 1972-shit më shumë si atdhetarë se si njerëz të shkencës. E mbështetën të vendosur me pengue strategjinë e copëtimit të mëtejshëm, duke i ndarë shqiptarët në dy “kombe”.

Sot shoqëritë shqiptare janë në reformim në gjithçka. Pse vetëm gjuhës shqipe, kryevlerës sonë identitare, t’i mohohen mundësitë që krijon Liria?

(nga libri “Gjuha shqipe me një mushkëri”)

©Mehmet Elezi