Dy fjalë mbi traditat e harruara të serenatës korçare - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko
Jo çdo këngë me temë dashurie mund të quhet serenatë, jo çdo këngë që i këndon bukurisë së vajzës, syve, flokëve, buzëve dhe gushës së saj, besnikërisë apo tradhëtisë në dashuri, xhelozisë apo dashurisë gjer në fund, jo çdo këngë që krijon një kompozitor me këtë temë apo çdo kantautor, profesionist apo amator, është serenatë.
Shpesh, quhen serenata dhe këngët e qejfit të ahengut, këngët meditave filozofike për jetën apo për bukurinë që ikën e nuk kthehet më, për bangot e shkollës apo për Birra Korçën...
Këto këngë të folklorit lirik qytetar, i lidh me serenatën vetëm tradita e krijimit dhe këndimit në grupe shoqërore, në gosti dhe në ahengje. Këto janë bërë me të drejtë këngë shumë të dashura për qytetin tonë dhe më gjërë, por serenata nuk mund të quhen. Ato janë këngë të mirëfillta lirike.
Tradita evropiane, teoria dhe praktika, historia e saj e ka bërë të qartë klasifikimin e serenatës, tiparet e saj si lloj i veçantë i muzikës së lehtë, i papërsëritshëm në kohën tonë.
Serenata i kushtohej një vajze konkrete të njohur në një çast të caktuar, vajzës së cilës i kërkohej një pohim apo mohim, i bëhej një propozim konkret për dashuri. Serenata është, mbi të gjitha, një vuajtje konkrete shpirtërore reale dhe jo e supozuar apo e imagjinuar. Këngëtari i serenatës klasike ishte i dashuruari, që këndonte poshtë dritares të së dashurës. Këngëtari i serenatës së vërtetë korçare mbështillej nga velloja e mbrëmjes dhe nga misteri i kortinës së dritares. Apoteoza ishte lëvizja e asaj kortine, që zëvendësonte duartrokitjet dhe drithërimat e zemrave të dashuruara, ose heshtjen e pikëlluar, e të trishtuar.
Pas çastit të ekzekutimit të serenatës të mbështjellë me vellon e mbrëmjes apo me dritën e hënës, serenata fitonte “qytetarinë” e saj, për t'u kënduar në rrugë, në gosti, në dasma...
Serenata nuk shkruhen më në ditët tona!
Këtë shënim u detyrova ta shkruaj për të sqaruar ngatërrimin që po i bëhet Serenatës me çdo këngë lirike.
Ishte merita e kulturës, shijes dhe nuhatjes artistike të shpirtit korçar, të traditave muzikore gojore, ishte kultura e rinisë korçare, ishte merita e prindërve që bujarisht e pranuan dhe nuk iu kundërvunë këtij vrulli të pastër shpirtëror rinor, i cili sfidoi traditat e prapambetura që 170 vjet më parë!
Është e pafalshme kur këngëtarë dhe këngëtare të talentuara korçare sillen shpesh mospërfillës ndaj kësaj tradite të bukur, që lindi dhe gjalloi që në kohët e errëta të sundimit të mendësive të prapambetura dhe mbytëse mesjetare. Aq më keq që këto tradita i shpërfillin ose i shtrembërojnë dhe institucione të tilla si televizioni, radioja apo shtypi...
Të vjen keq kur lihen në harresë brezat e parë të serenatistëve korçarë, të cilët krijuan serenatat e para që në fillim të pjesës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe më saktë që nga viti 1856. Është mëkat harresa e kësaj date të vërtetë historike të lindjes së serenatës korçare.
Ata, që kanë kënduar serenatat e para korçare, kanë qenë, jo vetëm në moshën e gjyshërve, po edhe të stërgjyshërve të atyre. që po këndojnë sot serenatat.
Sipas kujtimeve të shkruara të Vasillaq Ballaurit dhe të Dhimitër Fundos, si dhe të dëshmitarëve të tjerë gojorë, këta janë grupet e para të serenatistëve korçarë:
Grupi i parë i viteve 1860-1880: Gaqo Marko, Spiro Ramizi, Nisi Piasto, Vani Mitko, Thoma Lako, Koli Kaçiroti, Taqi Fundo, L. Osmanlliu.
Grupi i dytë, pas këtyre viteve deri më 1913: Nodhi Lako, Sotir Dako, Kristaq Niço, Lipe Kajno, Dhimitër Naço, Petraq Pilkati.
Në vitet më vonë, deri nga vitet '30-të: Kristaq Thanas (Alibeu), Ilo Nuke, Vasillaq Bimbli, Petraq Bimbli, Vani Treska, Foça Harrilla, Ilo Mosko, Mihallaq Harrilla etj.
Pa përmendur serenatistët e viteve '50-të e deri më vonë kur pushteti i kohës e ndaloi këndimin e serenatave.
Nuk e di se si ka njerëz, qoftë dhe serenatistë, që guxojnë ta vendosin kohën e lindjes së serenatave në vitet '30-'40 të shekullit të njëzetë. Apo guxojnë ta quajnë si fillim të serenatës korçare, kohën kur ata apo ato kanë filluar t'i këndojnë serenatat në vitet '50-të të shekullit të njëzetë!?
Tradita është e shenjtë dhe nuk duhet kurrë ta harrojmë.
Duhet të mburremi me qytetin tonë, që e krijoi i pari këtë traditë kaq të bukur të muzikës shqiptare nën ndikimin e serenatës evropiane.
Duhet të krenohemi me brezat e parë të serenatistëve korçarë, që guxuan dhe sollën këtë emancipim shpirtëror, jo vetëm artistik, por edhe shoqëror në jetën shqiptare.
©Vangjush Ziko



