Nata e fundit e Lasgush Poradecit - Nga Roland Gjoza

Roland Gjoza
Në pastiçerinë përballë Turizmit të vjetër kishin nxjerrë një ëmbëlsirë të re me emrin e poetit. E provova, kishte shijen e pandispanjës dhe të sheqerpares përplot parfum luleshtrydheje, që e bënte të dukej delikate. E hëngra ngadalë pranë dritares buzë rrugës. Shikoja liqenin me suvalë dhe tutje larg malet e kaltër me dëborë. Ma thanë si në fshehtësi se ajo pastë kishte emrin e poetit. E patë ç'kishte brënda? Jo. Një gjethe junapi. Ajo i ka dhënë një shije prej mugëtire liqeri kur lulet lëshojnë afshin e fundit trullosës, pak të athët e të rëndë.
Ai e pëlqente shumë junapin. Po ai linte mëndjen edhe pas pendës së mjellmës. Gëzohej kur gjente një pëndë mjellme në kum të liqerit. E shikoni formën si pendë të ëmbëlsirës? Po në pjatë lexuat gjë? Jo. Kur mbaron ëmbëlsirën, në fund të pjatës mund të lexosh një varg. S'po jua them, do ta lexoni vetë. Kush është krijuesi i kësaj paste? Ilo. Një pogradecar i vdekur për këngë, belushkë me verë buti dhe vjersha të vjetërish. Po mbi të gjithë ai vinte Lasgushin. E dini që Lasgushin e keni këtu këtë dimër? Unë mbeta. Ç'keni, më tha, pse u çuditët, edhe ju e ditkeni të vdekur? Jo, or, jo, rron e s'do t'ia dijë. Po nuk del më.
E dini ç'i ndodhi me të shoqen? Ajo e mirkë i shërbeu gjer në fund. Ai kish një zakon, ngrihej më parë se ajo, se shëtiste qenin dhe para se të dilte i bënte zë; ngriu më bëj kafen. Atë ditë ajo s'u ngrit. Ai iku. Kur u kthye i tha përsëri; dëgjon ti nga veshët apo s'dëgjon, ngriu më bëj kafen. Ajo s'u ngrit. Po ku kishte njeri t'i kundërshtonte Lasgushit. Ai u mor me librat e fletoret. E harroi. Ajo kishte vdekur. Ai do ta merrte vesh këtë mëngjesin tjetër kur t'i kërkonte sërish kafe.
Ai rron, or, rron. E dini që ka qenë duke vdekur në moshën 22 veçare? Vinin nga Graçi me mikun e tij më të madh në moshë, Skënder Luarasin, në tren të dy, midis pyjeve e liqeneve, shkonin për Shqipëri me pushime. Papritur Lasgushit i shperthen gjaku me furi.Vuante nga tuberkulozi. 12 orë në krahët e Skënderit. Mos më ço në spital, i thoshte, më ço në shtëpi te liqeri, ai më shëron, liqeri i bekuar me mjellma. Dhe s'e gjeti gjë.Të gjithë i përcolli për në atë botë. Tani s'del më. Kështu thonë, po ai del. Del, or, del.
E di ç'bën? Nudo. Çfarë? i thashë unë i habitur. Nudo. Për gratë më të bukura të qytetit, dy ose tre më të bukurat, jo më shumë, i shoqëron pusullat me nga një strofë ose dy, ku shpreh dashurinë e tij dhe në një cep lë orën dhe vendin e pikëpjekjes, pastaj në orët e vona del nga shtëpia bashkë me Tuçin, qenin e tij besnik, çap-çup nëpër rrugët e zbrazura, tuk-tuk bastuni i tij në asfalt e kalldrëm. I fut nudot poshtë dyerve dhe pret. Prandaj ka jetuar gjatë. Ai pret gratë më të bukura, që si vijnë kurrë.
Po pse s'i vijnë, i thashë unë. Të gjitha e dinë të vdekur. Po t'i mbledhësh nudot me vargjet e tij brilante, do të ishte bërë një album i rrallë. Po ato i kanë grisur. Ç'fatkeqësi! Thonë se ndonjë bukuroshkë, që ia thotë asaj pune, mund t'i ketë ruajtur. Edhe tani, që flasim, ai është duke bërë ndonjë nga ato.
Ishte e çuditshme. Aq shumë binin boritë, sa asnjë s'e kishte patur mëndjen tek ai. Poeti më i madh i gjallë, mendohej i vdekur. Do të shkruaj për të, thashë me vete. Kryeredaktori i “Zërit të Rinisë”, më kishte lënë dorë të lirë. Erdhi mbrëmja. Breronte me një blu prej shenjtorësh të ikonave. Ishte ftohtë. Ai nuk dilte më. Pastaj filloi dëbora me flokë të mëdhenj. Liqeri tronditej nën dëborën që shquante me një dritë të ndrojtur.
Kalova pranë shtëpisë se tij, po nuk u ngjita lart. Më mjaftonte liqeri, nata me dëborë, junapi i vetmuar, më dukej se ai do të shfaqej papritur, i vogël me bastun e me qenin e tij, që e ndiqte hap pas hapi. Ishte shumë mug, një errësirë e thellë blu në të zezë, një si shkrumb përhapej në ajër, bashkë me kundërmimin e jargavantë të liqenit. Kreshtat e suvalave zbardhnin lëbyrshëm sikur i ndriçonte një dritë e fshehtë.
Ndieva hapa, ktheva kokën. Ai, mos ishte poeti, po pse duhej të ishte ai, ishin hije që vinin e shkonin. Më bëhej se dëgjoja shumë lloje zërash, të qeshura, psherëtima, ankime, vaje, mallkime, vigma, uturima, fërmime, pastaj platitej çdo gjë dhe të shtërngonte diçka në gjoks, të mbyste një mall e një trishtim pa anë e pa fund.
Poeti flinte tani. Ai s'kishte më fuqi. Botoi vetëm dy libra në vitet 30 dhe asgjë më. Pothuaj asgjë. Kohën më të madhe e kishte kaluar pranë mjellmave. Po s'kishte patur këngë të fundit. Në kohën e borive ishte marrë me nudot dhe mjellmat e liqerit. Tani flinte në kullën e tij me një qiri të ndezur. Me një qiri që bënte flakë blu. Unë ecja ngadalë dhe po i afrohesha liqerit nën flokët e mëdhenj të dëborës, po s'bëra as pesë a gjashtë hapa, kur pashë krejt befasisht, pranë bregut, një tufë me mjellma.
Mbeta si i ngrirë, i mahnitur nga kjo pamje, që më kujtoi atë natën e krizës dhe makinën e urgjencës, babanë tim infermier që e mjekoi. Mjellmat, liqeri, dëbora, po ai s'ishte. Ai flinte. Ishte shumë plak. Pothuaj 90 vjeç. Ishin mjellma të mëdha, vinin nga Ohri. Ja, atje përbri ishte kulla e poetit ku digjej gjer ne fund një qiri blu. Ato kishin ardhur për ta marrë.
Pse m'u krijua kjo ide? Ai s'kishte punë me tokën, s'kishte patur kurrë aq shumë punë me të, po me drurët, liqerin, mjellmat, nositët, qiellin, me këtë të fundit kishte punë tani. Ai po flinte. Në gjumë njeriu s'është në tokë. S'kisha parë mjellma më të mëdha, më të bardha e më të bukura. Ato vozitnin qetësisht në breg, suvala i shtynte ngadalë përpara dhe pas nën dëborë.
Ndieva përsëri hapa. Ktheva kokën, po s'pashë njeri. Lart dëgjoheshin tingëllima sikur binin piano. Flokonte dëborë. I numërova mjellmat. Dymbëdhjetë. Hapnin dhe mbyllnin krahët me brofëtimë, zgjatnin qafën e gjatë elegante, sikur prisnin dikë, sqeponin ajrin me cingërimë, pa fare zhurmë, hanin ajër blu amëshimi, nuk ngopeshin duke ngrënë ajër dëbore të përjetshme.
Papritur nga fundi i liqerit përplot errësirë, gjëmoi mbytur dhe vezulloi diçka me dritë të kaltër, pastaj zbardhi për një çast, si gushë mjellme, pastaj sërish si nëpër kumb, skuqi e pikoi diçka si gushë mjellme kur këndon këngën e fundit dhe vdes. U bë sërish errësirë, si më parë. Vigmoi një mjellmë, vigmoi me këlthitje ankthi një tjetër, të dymbëdhjeta lëshuan një britmë të madhe si vaj. Hapën krahët dhe fluturuan lart në qiell me këmbët e zgjatura prapa si bisht komete dhe u zhdukën.
Të gjitha i shkrova në hotel, gjer në detaje, fola për Lasgushin që s'e pashë dhe s'djeva nevojën për ta parë, sepse ishim mësuar me misterin e mungesës se tij. Ai kishte qenë i denuar me harresë. Sepse ishte shumë i madh dhe duhet të paguante haraçin e profetit të liqerit.
Shkrimi u botua të nesërmen krahas lajmit që Lasgush Poradeci kishte vdekur vërtet. Po atij shkrimi i mungonte ajo hollësi që e pashë vetëm unë: ai kishte shkuar bashkë me mjellmat dhe këngën e fundit ende s'e ka kënduar. Është lart. Ecën në qiell. Sepse ai është poet i shenjtë.
Gjithmonë me kujtohet ajo pjata me ëmbëlsirën e tij që kishte shijen delikate të luleshtrydhes. Më kujtohet sa herë digjen qirinj dhe bie dëborë, sa herë shoh dete me errësirë, liqene me ujë blu të errët dhe me dritë dhe mjellma. Ç'varg finosh ishte shkruar ne fund të pjatës? Harrova ta lexoj. Harresa tokësore e ndjek poetin e shenjtë.
©Roland Gjoza



