Serenata dhe kënga lirike - Nga Vangjush Ziko
Për të përcaktuar më konkretisht tipologjinë specifike të serenatës, po heq një paralele midis serenatës dhe këngës së mirëfilltë lirike. Të dyja i përkasin së njëjtës gjinie, asaj lirike, si në muzikë dhe në poezi. Të dyja i këndojnë dashurisë në situatat e ndryshme, që përmenda më lart.
Cili është atëhere ndryshimi midis tyre, pse ato nuk duhet ti njësojmë, siç ndodh shpeshherë në praktikë duke e quajtur serenatë të mirëfilltë edhe një këngë lirike.
Ato, në radhë të parë, i dallon momenti i frymëzimit, çasti që i ngjiz dhe mënyra e të shprehurit të tij. Për të bërë një krahasim letraresk, do të thosha se serenata ndryshon nga kënga lirike ashtu siç ndryshon një krijim në poezi apo në prozë i shkruar në formë ditari dhe një tjetri që përshkruan në vetë të tretë një personazh lirik.
Serenata i kushtohet një vajze konkrete, të njohur në një çast të caktuar, në një ditë të caktuar, me një adresë të saktë të vendbanimit të saj, vajzë nga e cila kërkohet një pohim apo një mohim, së cilës i bëhet një propozim konkret të cilit ajo duhet t'i përgjigjet. Serenata është, mbi të gjitha, një vuajtje personale shpirtërore reale dhe jo e imagjinuar.
Kënga lirike, zakonisht, lind edhe ajo nga një ndjenjë impersonale, por, që më shumë transmeton një ndjenjë të përgjithshme lirike të papersonalizuar, ajo nuk kërkon një përgjigje, mbetet një ndjenjë evazive për një dashuri në përgjithësi.
Serenata ndryshon nga kënga lirike edhe nga vendi i interpretimit.
Serenata krijohet për t'u kënduar në rrugë, në skenën natyrale, nën një dritare apo ballkon dhe, detyrimisht, kur bie mbrëmja.
Kënga lirike këndohet fillimisht në skenë, në një podium.
Këngëtari lirik i drejtohet publikut, që ka përpara në sallë dhe që e ndjek syndërsy.
Kantautori serenatist i drejtohet një “publiku” të fshehur prapa perdes së dritares, që e ndjek në heshtje enigmatike.
Artistët dhe aktorët, në përgjithësi, e dinë fare mirë rolin që lot vendi ku ekzekutohet kënga apo drama, emocionet apo ngërçi që mund të shkaktojnë këto kushte. Dhe jo vetëm kjo. Artisti, duke patur parasysh mjedisin se ku do të interpretohet krijimi i tij, zgjedh edhe formën dhe mjetet adekuate shprehëse të domosdoshme.
Një ndryshim jo të vogël ka edhe çasti i interpretimit të tyre, gjë që bën edhe një ndryshim, diferencim emocional midis një këngëtari që këndon një këngë lirike dashurie dhe një kantautori të serenatës.
Këngëtari lirik e merr drejtpërdrejt e në çast reagimin e publikut. Interpretimi i tij kurorëzohet me duartrokitjet frenetike apo të vakura të publikut të sallës së koncertit.
Kantautori i serenatës është i mbështjellë nga velloja e natës dhe nga misteri i kortinës së dritares. Apoteoza e serenatës është lëvizja e lehtë e perdes së dritares, që zëvendëson duartrokitjet dhe drithërimat e sallës.
Ndryshimin midis tyre e bën edhe formacioni instrumental që i shoqëron ato, zakonisht.
Kënga lirike preferon fizarmonikën, pianon apo orkestrën për shoqërim.
Serenata është shumë më modeste. I mjafton një mandolinë apo një kitarë, në fillim i mjaftonte edhe një fyell.
Një tipar krejt i veçantë i serenatës është dhe natyra e saj teatrale. Me këtë kam para sysh, mjedisin ku ajo këndohet fillimisht, skena e sokakut korçar me sfondin e shtëpive, ka, pra, një mizanskenë të veçantë.
Në një përcaktim më të gjerë nga studjuesit, serenatën e cilësojnë edhe si një koncert me këngë dashurie.
Grupi i serenatistëve, përveç këngës, që u bë shkak për të vajtur dhe për të kënduar nën dritaren e vajzës, këndon edhe këngë të tjera, që lidhen me temën e këngës kryesore; pra, serenata, në kuptimin më të gjerë, është një “koncert tematik” i zgjedhur posaçërisht nga kantautori dhe grupi i tij për rastin konkret.
Serenata ka tipologjinë e vet mjaft specifike në shumë drejtime krijuese dhe interpretuese.
Këto dallime kanë të bëjnë me klasifikimin e tyre teorik, me të veçantat e serenatës.
Ndërsa, “fati” dhe “përkushtimi” i serenatës dhe i këngës lirike është i përbashkët, të dyja hymnizojnë ndjenja dhe përjetime intime lirike. Pas çastit të ekzekutimit të saj të parë, të “premierës” nën dritare, serenata fitonte “qytetarinë” e saj për t'u kënduar kudo|: në rrugë, në gosti, në dasma, në koncerte në sallë apo në radio dhe në televizion.
Duke qenë i prerë në këtë klasifikim rigoroz, nuk dua aspak që ta shpërfill atë veçori karakteristike, që përmenda në fillim të këtij studimi analitik që “serenata nuk e përjashton idenë e zhvillimit të mëtejshëm të gjinisë së vet muzikore. Kjo konsideratë është e pranuar botërisht nga historia e ecurisë së serenatës nëpër dekada. Ky mendim nënkupton “zhvillimin e mëtejshëm” brenda kufijve të vetë gjinisë serenatës, por jo edhe jashtë gjinisë së saj. Ky “zhvillim” nuk nënkupton aspak shkrirjen e serenatës me këngën lirike të mirëfilltë.
Është një tjetër gjë ajo që ka ndodhur: vegjetimi i serenatës si gjini më vete, në vende dhe në kohë të ndryshme të kontinentit evropian; bile, në shumicën e vendeve ajo nuk krijohet më, vendin e saj e ka zotëruar plotësisht kënga e mirëfilltë lirike.
Edhe në qytetin tonë, në krijimtarinë e kantautorëve koçarë çdo ditë po bëhet realitet fshirja e kufijve midis serenatës dhe këngës lirike, në favor të kësaj të fundit.
Por po ndodh edhe një dukuri tjetër. Po ngatërrohen serenatat me këngët e muzikës së lehtë ose anasjelltas. Teorikisht kjo është e gabuar, është një fshirje e padrejtë e kufirit të tyre gjinor, gjë e cila krijon çoroditje profesionale në krijuesit.
Shumë nga këta krijues, me ndërgjegje, por më shumë në mënyrë rutinore, i përziejnë këto dy lloje dhe në botime apo në disqe të ndryshme i përfshijnë krijimet e tyre lirike në një titull të përbashkët: “serenata”.
Tradita evropiane, teoria dhe praktika, historia e saj e ka bërë plotësisht të qartë klasifikimin e serenatës, tiparet e saj si lloj i veçantë i muzikës së lehtë. Për këtë nuk ka pse të diskutohet.
© Vangjush Ziko
*Tabloja e Korçës është vepër e piktorit Sadik Kasa
Fotomontazhi Flasshqip.ca



