Trashëgimi

Në 35-vjetorin e një interviste: Ibrahim Rugova në “Der Spiegel” - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

26 qershori i vitit 1989 ishte ditë e hënë. Atë ditë nacionalistët serbë po bënin përgatitjet e fundit për sjelljen e qindra-mijëra serbëve në fushën e Gazimestanit në Kosovë për të shënuar dy ditë më vonë, më 28 qershor 1989, 600-vjetorin e Betejës së Kosovës të zhvilluar më 1389. Klika hegjemoniste me në krye Sllobodan Millosheviçin ia kishte hequr Kosovës autonominë me forcë duke lënë pas dhjetëra protestues të vrarë.

26 qershori i vitit 1989 ishte ditë e hënë - dhe të hënën në Gjermani dilte numri më i ri i revistës “Der Spiegel”. Në faqen 159 e përjavshmja nga Hamburgu sillte një intervistë me “shkrimtarin shqiptar Ibrahim Rugova mbi konfliktin mes nacionaliteteve në Jugosllavi”. Kjo është intervista e parë e Rugovës me një medium të madh perëndimor - dhe njëkohësisht intervista e tij më e rëndësishme, sepse e etablon atë si zërin kryesor të alternativës së re politike kosovare dhe adresën e re të përfaqësimit të shqiptarëve të Kosovës në raport me fuqitë perëndimore.

Tajmingu i intervistës i zgjedhur nga “Der Spiegel” është i përsosur. Ndërsa vëmendja e qarqeve politike dhe mediale në Perëndim përqendrohej në zgjimin e rrezikshëm të nacionalizmit serb, “Der Spiegel” i ofron mundësi një intelektuali kosovar të flasë për gjendjen në Kosovë.

Qëndrimet e Ibrahim Rugovës janë mjaft goditëse dhe të guximshme, sidomos kur merret parasysh se atëbotë qindra intelektualë kosovarë ishin futur në burg (izolim) pas “Apelit 215”. Tubimin në Gazimestan Rugova e quan provokim të serbëve, të cilët i akuzon për përvetësim të historisë dhe thekson se ka mjaft dëshmi që në Betejën e Kosovës të vitit 1389 kanë marrë pjesë edhe hungarezë, kroatë, boshnjakë dhe natyrisht shqiptarë. Miti shovinist i Fushës së Kosovës, sipas Rugovës, është krijuar në shekullin e 19-të me themelimin e shtetit serb. Rugova thekson se situata mund të eskalojë me ardhjen e 1 milion serbëve, të cilët vendosen në hotele, pansione dhe shtëpi private ku pinë alkool e flasin pallavra. Ai shton se në Jugosllavi ka forca që kanë dëshirë që në Kosovë të ketë “aksione terroriste”, të cilat do të shfrytëzoheshin si pretekst për të ashpërsuar represionin. Kësisoj kryengritja e shqiptarëve kundër hegjemonisë serbe do të denoncohej në botën e jashtme si terrorizëm, “atëherë mund të merret me mend se simpatia ndërkombëtare për çështjen tonë do të merrte fund shpejt”. Rugova ankohet se me heqjen e autonomisë së Kosovës po reduktohen edhe klasat me nxënës shqiptarë në shkollat e mesme. Motoja e pushtetit serb, thotë ai, është: “Shqiptarët injorantë janë më pak të rrezikshëm”.

Në vijim të intervistës Rugova me argumente të fuqishme njofton për realitetin e zymtë në Kosovë dhe për shtypjen e përditshme. Paralajmërimi i tij në fund të intervistës është ky: “Nëse Serbia edhe më tutje përpiqet të shtypë identitetin tonë kombëtar, do të ketë kryengritje. Vetëm mund t’i paralajmëroj serbët: edhe ata janë një popull i vogël”.

Në vitet në vijim asnjë medium tjetër perëndimor nuk ka pasur qasje aq të privilegjuar te Rugova sa “Der Spiegel”. Dëshmi për këtë janë disa intervista dhe deklarata të tij për këtë revistë, para, gjatë dhe pas luftës. Në një intervistë të botuar më 11 dhjetor 2000, “Der Spiegel” iu drejtua Ibrahim Rugovës më këtë konstatim: “Duket se politika në Kosovë ende është e rrezikshme. Katër miq tuaj të ngushtë janë vrarë ndërkohë”. Kjo ishte përgjigjja e tij: “Qytetarët tanë janë të tronditur pas këtyre vrasjeve. Dikur e kemi patur Beogradin kundërshtar dhe ne shqiptarët kemi qenë të mirët. Tash kur rreziku nga Beogradi është flakur, po shfaqen dreqërit në radhët tona”.

Një kontribut për të plotësuar biografinë politike të Ibrahim Rugovës është edhe libri “Veç pavarësi, asgjë më pak. Ibrahim Rugova në shtypin gjermanofon 1989 - 2006. Përzgjedhur dhe përkthyer nga Enver Robelli”. Këtë vepër e ka botuar KOHA. Libri përfshin pothuaj të gjitha intervistat, deklaratat, portretet, reportazhet me, rreth dhe mbi Ibrahim Rugovën në shtypin gjermanofon.

Veprës i paraprin një parathënie nga publicisti Halil Matoshi, i cili në verën e vitit 1989, teksa po kalonte pushimet në Greqi, e kishte blerë revistën “Der Spiegel” me intervistën me Rugovën. Si erdhi revista në Prishtinë? Edhe ky detaj zbulohet në këtë libër - për të vijuar pastaj me tekstet nga shtypi gjerman.

© Enver Robelli