Histori

35 vjet nga fjalimi i Millosheviçit në Gazimestan - Nga Jusuf Buxhovi

Miti i sajuar i Kosovës klerofashzmi serb dhe shteti i Kosovës

Para 35 vitesh në Gazimestan, para turmës një milionëshe serbe, me fjalët se “pas gjashtë shekujsh, prapë gjendemi para betejave dhe në beteja, të cilat nuk janë të armatosura, por sado që të tilla nuk përjashtohen”, Millosheviçi hapi kapitullin e përgjakshëm të rrënimit të Jugosllavisë me pasoja tragjike për popujt e saj.

Në këtë ditë, në tribunën e Gazimestanit, para kryesisë së shkërmoqur jugosllave dhe sy botës së hutuar me ato që po ngjisnin me trashëgiminë e Titos, u promovua “vozhdi” serb i reinkarnuar nga Lazari i Kosovës që ta rikthejë “lavdinë histotorike serbe” dhe, si tha, “misionarizmin e serbëve për ta mbrojtur qytetërimin europian” (kuptohet nga shqiptarët pushtues të tokave të shenjta serbe)!?

Po ato ditë, diku afër Gazimestanit, dr. Ibrahim Rugova, asokohe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, në një intervistë historike dhënë revistës gjermane “Der Spiegel”, ndër të vetmit, në emër të ndërgjegjes intelektuale, historike, kulturore dhe politike (ndonëse pa mandat të saj), ia ktheu përgjigjen kërcënimeve të Milosheviçit drejtuar shqiptarëve po edhe të tjerëve në festën klerofashishte të Vidovdanit serb.

Me pak fjalë, kundërpërgjigja e Dr. Rugovës ndaj Millosheviçit, në të përjavshmen më të fuqishme gjermane dhe europiane të kohës, ishte se në mars të atij viti, në ditën e 23-të, Millosheviç, me tanke dhe në rrethanat e gjendjes së jashtëzakonshme, rrënoi autonominë e Kosovës, si njësi federative. Me këtë bëri puç ndaj Kushtetutës jugosllave. Ky veprim nga shqiptarët shikohet si ripushtim i Kosovës, mbas atij të vitit 1945. Me këtë rast Rugova u tërhiqte vërejtjen serbëve se “sa herë ndonjë popull i vogël, e të tillë janë edhe serbët, ka provuar të vejë hegjemoni në Ballkan, kaë përfunduar tragjikisht”.

Orgjia klerofashishte serbe e qershorit të vitit 1989, përfundoi siç parashikonte Dr. Rugova në revistën gjerman. Por nga këndvështrimi i sotëm historik, Gazimestani nxori në pah dy nga aktorët më të rëndësishëm të saj, që shënuan epoka me kah të kundërt.

Në njërën anë, Millosheviçin - humbës, i cili në vitin 2003, si president i mbetjes jugosllave, përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për krime lufte kundër njerëzimit ku edhe vdiq gjatë procesit në vitin 2006.

Dhe, në tjetrën anë - Dr. Ibrahim Rugovën, si lider historik të shqiptarëve, i cili, me themelimin e LDK më 23 dhjetor të vitit 1989, me mandatin e votës së lirë nga zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në vitin 1992 dhe 1998, mori përgjegjësinë historike të rezistencës institucionale (me shtetin paralel) deri te ajo e armatosur, e cila solli ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999.

Historia, midis demistifikimit të mitit të sajuar serb të Kosovës për qëllime hegjemoniste dhe të lirimit të Kosovës prej tij, që për epilog pati shtetin e pavarur të Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008, mund të thuhet se fillimin e fundit e pati më 28 qershor 1989 në Gazimestan.

Ky kapërcim i jashtëzakoshëm historik, megjithatatë, ka lënë prapa frymën e klerofashizmit serb, i cili, në çdo Vidovdan, përpiqet që në Kosovë, ta mbajë të gjallë mitin mesjetar të “Kosovës djep historik serb”, sadoqë realiteti (shteti i Kosovës dhe përkatësia perëndimore e shqiptarëve) e ka zhvlerësuar deri në anakronizëm.

© Jusuf Buxhovi