Kanada

Nesër mbërrin për vizitë në Kanada presidenti francez Emmanuel Macron

  • Published in Kanada
Nga: Flasshqip.ca

Në foto lart kryeministri kanadez Justin Trudeau dhe presidenti francez Emmanuel Macron shtrëngojnë duart gjatë një konference të përbashkët shtypi më 7 qershor 2018 në Ottawa (Ludovic Marin/AFP via Getty Images)

Ottawa, 24 shtator 2024 - Sipas njoftimit të Kabinetit të kryeministrit Justin Trudeau, nesër (25.09) në Kanada mbërrin për një vizitë dy ditore presidenti i Francës Emmanuel Macron. Siç thekson komunikata zyrtare, qëllimi i vizitës së kreut të shtetit francez është “konfirmimi i vazhdimësisë së bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, veçanërisht në fusha prioriteti të përbashkët si paqja, siguria dhe mbrojtja kolektive”.

Nisja drej Kanadasë e presidentit Macron do të bëhet nga New York, ku është mbledhur aktualisht Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Kjo vizitë ishte planifikuar fillimisht të zhvillohej korrikun e kaluar, por ajo u shty për shkak të krizës politike në Francë.

Pas mbërritjes në fillim të mbrëmjes në Ottawa, Macron do të takohet privatisht me kryeministrin Trudeau, me të cilin dhe do darkojë “tête à tête”. Pasnesër agjenda e vizitës përmban një takim zyrtar me kreun e qeverisë kanadeze si dhe një drekë me personalitete që përfaqësojnë Frankofoninë në Kanada. Më pas Macron bashkë me Trudeau do udhëtojnë drejt Montrealit, ku presidenti francez do bisedojë edhe me kryeministrin e Quebec François Legault.

Vizita në provincën kanadeze frëngjisht-folëse ka gjithashtu simbolikën e vet, pothuajse një muaj para Samitit të Frankofonisë të planifikuar pët t’u zhvilluar në Francë. Po ashtu, sipas komunikatës zyrtare të Ottawa, “në Montreal, kryeministri Trudeau do t'i paraqesë presidentit të Francës progresin inovativ të Kanadasë dhe fuqinë punëtore shumë të kualifikuar të saj në fushat e shkencës, kërkimit dhe teknologjisë, veçanërisht në lidhje me inteligjencën artificiale”.

Kjo është vizita e dytë e presidentit të Francës në Kanada. Herën e parë, para gjashtë vitesh, ai erdhi për të marrë pjesë në samitin e G7 2018, që u zhvillua më 8 dhe 9 qershor në ambientet e Manoir Richelieu-Malbaie, në rajonin Charlevoix të Quebec.

Si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), G7 dhe G20, një vend themelues i Bashkimit Evropian dhe një partner kryesor në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, Franca është një aleat kyç i Kanadasë në skenën ndërkombëtare.

Në vitin 2023, Franca ishte tregu i tretë më i madh i eksportit të mallrave të Kanadasë në Bashkimin Evropian dhe partneri i saj i dymbëdhjetë më i madh tregtar globalisht, me tregtinë dypalëshe të mallrave që arrin në 12.9 miliardë dollarë. Në të njëjtin vit, eksportet kanadeze në Francë arritën në 4.3 miliardë dollarë, ndërsa importet nga Franca arritën në 8.7 miliardë dollarë.

Në Francë, Kanadaja përfaqësohet nga ambasada në Paris dhe konsullatat në Lion, Nice dhe Toulouse, ndërsa Franca përfaqësohet në Kanada nga ambasada e saj në Ottawa dhe konsullatat në Vancouver, Toronto, Montreal, Quebec dhe Moncton.

© Flasshqip.ca me informacion nga Zyra e kryeministrit të Kanadasë