Kanada

Kanada: 30 deputetë liberalë kërkojnë largimin e kryeministrit Justin Trudeau

  • Published in Kanada

Dje (23.10) është zhvilluar në Ottawa mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Liberale të Kanadase, në pushtet prej vitit 2015 dhe ashtu siç ishte paralajmëruar prej ditësh në media, tashmë konfirmohet se më shumë se 24 deputetë kanë nënshkruar një letër që kërkon largimin e Justin Trudeau si lider i partisë, e për rrjedhojë edhe nga posti i kryeministrit.

Sipas burimeve për CBC/Radio-Canada, nënshkruesit madje kanë reklamuar dhe një përgjigje nga shefi i tyre deri më datën 28 tetor. Ndërkohë, deputetët në fjalë ende nuk kanë specifikuar se çfarë do të bëjnë nëse Justin Trudeau vendos të qëndrojë në krye të partisë dhe sipas burimeve të pranishme në mbledhjen e grupit parlamentar, letra në radhë të parë synon të nxisë debatin lidhur me lidershipin e kryeministrit.

Raportohet gjithashtu se rreth 30 deputetë liberalë kanë marrë fjalën në mbledhje duke i bërë thirrje drejtpërdrejt Trudeau të largohet nga detyra, por nuk konfirmohet nëse të gjithë këta deputetë janë të njëjtët që firmosën letrën, një kopje e së cilës (pa nënshkrime) iu dorëzua në dorë shefit liberal. Po sipas të njëjtave burime, Trudeau ka folur pak gjatë takimit dhe ndër deputetët kurajozë citohen emrat e Sophie Chatel (Pontiac, Quebec), Patrick Weiler (West Vancouver - Sunshine Coast - Sea to Sky Country, British Columbia) dhe Yvan Baker (Etobicoke-Centre, Ontario).

Në një intervistë për Radio-Canada, deputetja frankofone Chatel deklaroi se vlerësonte faktin që fjala e saj “është dëgjuar” me vëmendje në takimin e grupit parlamentar duke shtuar se “kryeministri duhet të marrë kohën e nevojshme për të reflektuar, pasi bëhet fjalë për të ardhmen e vendit dhe të Partisë Liberale, ndaj dhe duhen marrë vendimet e duhura”.

Prej mëse një viti popullariteti i kryeministrit Trudeau është në rënie të lirë. Së fundi partia e tij humbi dy bastione liberale në zgjedhjet e pjesshme: një në Toronto-Saint Paul ndaj Konservatorëve dhe tjetrin në LaSalle-Émard-Verdun, Montreal, përballë Bllokut të Quebec. Nga ministrat aktualë, 4 kanë deklaruar se nuk do të rikandidojnë në zgjedhjet e ardhshme duke iu shtuar një liste prej 15 deputetësh që gjithashtu kanë deklaruar se nuk rikandidojnë. 4 ministrat do zëvendësohen shumë shpejt nga kreu i qeverisë. Largime të bujshme nga radhët e Liberalëve të Justin Trudeau ishin edhe dorëheqjet e Jeremy Broadhurst nga posti i drejtorit të fushatës elektorale kombëtare dhe Pablo Rodriguez nga posti ministrit të Transportit, i cili ka zgjedhur të kandidojë si kryetar i Partisë Liberale të Quebec.

Pas largimit nga aleanca me Liberalët e NDP, qeveria në minoracë e Trudeau i ka mbijetuar deri tani dy mocioneve mosbesimi të paraqitura nga Konservatorët. Teorikisht zgjedhjet e ardhshme duhet të mbahen maksimumi deri në fund të tetorit 2025, por një mocion tjetër mosbesimi mund të provokojë zgjedhje të parakohshme.

Dhoma e Komunave aktualisht ka 153 deputetë liberalë, 119 konservatorë, 33 nga Blloku i Quebec, 25 Neodemokratë, 2 të Gjelbër, 4 të pavarur dhe dy vende janë vakante. Shifra prej 30 deputetësh liberalë që janë ngritur hapur dje në mbledhje kundër kryeministrit përbën gati 20% të grupit parlamentar.

Të vetmit që kanë dale hapur në mbrojtje të Trudeau janë një pjesë e anëtarëve të kabinetit, ndërsa të tjerë syresh nuk janë shprehur, ndofta duke shpresuar të jenë në garë për lidershipin e ri, gjithnjë nëse Trudeau vendos të largohet. Ndërkohë, flitet se ish-Guvernatori i Bankës së Kanadasë, Marc Carney, tashmë këshilltar special i kryeministrit aktual prej fillimit të shtatorit, mund të deklarojë së shpejti se do të angazhohet në politikë… Sigurisht ditët në vazhdim do sjellin zhvillime të tjera…

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Foto: Reuters/Blair Gable