Pas Ontarios edhe grupi i deputetëve të provincave Atlantike kërkon largimin e Justin Trudeau
- Published in Kanada

Sipas një lajmi të publikuar dje (29.12) nga media shtetërore CBC/Radio-Canada, grupi i deputetëve liberalë të provincave të Atlantikut (Newfounland, Prince Edward Island, Nova Scotia, New Brunswick) që ka në përbërje gjithsej 23 të zgjedhur, ka kërkuar gjithashtu zyrtarisht prej një jave dorëheqjen e Justin Trudeau si drejtues i Partisë Liberale të Kanadasë. Pas një mbledhjeje të këtij grupi të zhvilluar më 23 dhjetor, kryetari i tij, deputeti Kody Blois, i ka dërguar një letër kryeministrit, duke e informuar se të zgjedhurit e provincave të Atlantikut kërkojnë largimin e tij.
Ndër të tjera në letrën e Kody Blois (deputet i King-Hants në Nova Scotia) të dërguar po më 23 dhjetor e të publikuar edhe në rrjetet sociale, thuhet se "bisedimet e mëngjesit të sotëm u përqëndruan në nevojën për dorëheqjen tënde si drejtues i Partisë Liberale, në mënyrë që të miratohet shpejt një proces për të të zëvendësuar. Kolegët tanë shprehën sot afeksionin e veçantë për ty, krenarinë për punën tonë si ekip liberal, por edhe shqetësimin e madh se, pa një ndryshim lidershipi, këto arritje do të humbasin nën një qeveri të drejtuar nga Pierre Poilievre".
Ndër arsyet e renditura për ndryshimin në krye të partisë, letra përmend paqëndrueshmërinë që mund të shkaktohet nëse Donald Trump aplikon paralajmërimin e tij për të vendosur tarifa doganore prej 25% mbi eksportet kanadeze në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu rikujtohet dhe angazhimi i tri partive opozitare për të rrëzuar qeverinë në fillim të viti që vjen.
Kujtojmë se disa ditë para mbledhjes së grupit te deputetëve të provincave të Atlantikut, grupi liberal i Ontarios, që ka në përbërje 75 deputetë, kishte rënë gjithashtu dakord se Justin Trudeau duhet të japë dorëheqjen.
© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: Spencer Colby/The Canadian Press, Facebook page Kody Blois