Kanada

Kasketa e re e kryeministrit të Ontarios Doug Ford: “Kanadaja nuk është në shitje”

  • Published in Kanada

Mbërritja e Doug Ford në takimin e kryeministrave provincialë me kryeministrin në largim Justin Trudeau që u zhvillua dje (15.01) në kryeqytetin federal tërhoqi shumë vëmendje. Mediat dhe rrjetet sociale e komentuan menjëherë kasketën blu që mbante në kokë konservatori ontarian, mbi të cilën shkruhej në anglisht: “Canada is not for sale”. Mbledhja kishte për objekt koordinimin qeveri federale-provinca për përgatitjen e një strategjie reagimi ndaj paralajmërimit të Donald Trump për aplikimin e tarifës 25% për produktet kanadeze.

Krijuesja e kasketës “Ford” është kompania nga kryeqyteti kanadez Ottawa, Jackpine Dynamic Branding. Bashkëthemeluesi i saj, Liam Mooney, shprehu habi prej entuziazmit që ka nxitur produkti i ri. Nga momenti që pamjet dhe fotot e Doug Ford me kasketën e re kanë qarkulluar në media dhe rrjete sociale, kompania ka marrë kërkesa nga e gjithë Kanadaja dhe madje edhe nga jashtë vendit. “Telefoni im gati eksplodoi! Shitëm kasketa për 20,000 dollarë në dy orë! Është momenti që të gjithë në Kanada të bashkohen, pavarësisht partive politike”, ka pohuar ai në një intervistë për median shtetërore Radio-Canada, duke shtuar se ndihej shumë i lumtur për reagimet.

Sipas rrëfimit të sipërmarrësit, atij dhe bashkëshortes së tij Emma Cochrane, u lindi ideja për dizajnimin e kasketës teksa ndiqnin një intervistë të kryeministrit të Ontarios në një kanal amerikan javën e kaluar. Ata shprehen se u prekën nga komentet që sugjeronin se për kanadezët do të ishte privilegj të ishin amerikanë. “Ne i thamë njeri-tjetrit: Jo, është privilegj të jesh kanadez!”, ka shpjeguar Liam Mooney.

Liam Mooney

Disa ditë më vonë, lajmi për ekzistencën e kësaj kaskete të re, të cilën sipërmarrësi e konsideron ironi dhe sfidë ndaj kapeles tashmë të njohur të presidentit të ri amerikan Donald Trump, mbërriti deri në veshët e stafit të zyrës së kryeministrit Ford në Toronto. Ndërkohë, të martën (14.01) stafi i Ford e ka telefonuar atë dhe i ka kërkuar dy kasketa, sepse një ditë më vonë kryeministri i Ontarios do shkonte në Ottawa. Përgjigjigja ka qenë një “Po” e menjëhershme.

Liam Moor dhe bashkëshortes u është dashur të kalojnë gjithë ditën dhe madje edhe një pjesë të mirë të natës duke rikonceptuar një kasketë posaçërisht për Doug Ford, ku u shtua në të dy anët flamuri kanadez dhe viti i krijimit të Konfederatës Kanadeze, 1867. Tashmë kasketa e re “Ford” ekziston në dy versione, anglisht dhe frengjisht.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio Canada/Olivier Plante; The Canadian Press/Justin Tang