Kanada

Udhëzues i shkurtër mbi betejën tregtare me SHBA - Nga Stéphane Bordeleau

  • Published in Kanada

Ja ku jemi! Kërcënimi i Donald Trump për të vendosur tarifa doganore prej 25% mbi produktet që hyjnë në SHBA nga Kanadaja dhe Meksika u vu në zbatim. Por, përveç se na trembin, për çfarë shërbejnë në të vërtetë tarifat doganore? Dhe pse duhet të shqetësohemi për këto përqindje presioni që vendosi presidenti amerikan?

Kur ai njoftoi, pak kohë pas zgjedhjes së tij, se do të vendoste tarifa mbi partnerët e tij kryesorë tregtarë, Donald Trump, përmendi së pari një betejë ekonomike me fqinjët, e cila do të zhvillohej kryesisht përmes barrierave tarifore.

Çfarë janë tarifat doganore?

Të mbledhura prej shekujsh nga qeveritë, tarifat doganore janë taksa që një shtet vendos mbi disa produkte që vijnë nga vende të tjera. Bizneset ose individët që importojnë këto produkte i nënshtrohen kësaj takse, të cilën e paguajnë tek qeveria përkatëse për të pasur të drejtën të importojnë. Më pas, ata e rimarrin këtë shumë duke e përfshirë koston e taksës në çmimin e rishitjes së mallrave.

Le të sjellim një shembull: një ngarkesë me banane nga Hondurasi që i nënshtrohet një tarife doganore kanadeze prej 10%. Importuesi i frutave me bazë në Kanada do të duhej t’i paguajë Ottawa 10% të vlerës së ngarkesës për të pasur të drejtën ta fusë mallin në vend. Për të rimarrë këtë shumë, importuesi më pas do t’i shesë bananet e tij 10% më shtrenjtë në dyqanet e frutave që do t’i blejnë prej tij.

Pse taksohen produktet e huaja?

Në një nga publikimet e saj, Janet Wilson, drejtuese e lartë pranë Exportation and Developement Canada, pohon se qeveritë i përdorin tarifat doganore kryesisht për të gjeneruar të ardhura.

Deri në vendosjen e tatimit mbi të ardhurat e bizneseve dhe individëve në Shtetet e Bashkuara, në vitet 1930, qeveria amerikane financohej kryesisht nga taksat mbi produktet e huaja që hynin në territorin e saj. E njëjta gjë ndodhte në Kanada, ku Ligji mbi Tatimin e Luftës, i miratuar në vitin 1917, u bë i përhershëm në vitin 1948.

Tarifat doganore përdoren gjithashtu gjerësisht nga qeveritë për të mbrojtur industritë dhe prodhimet e tyre kombëtare të mallrave dhe produkteve, shpjegon Wilson. Ideja është që duke taksuar produktet që vijnë nga jashtë, ato automatikisht bëhen më të shtrenjta dhe, për rrjedhojë, më pak tërheqëse për konsumatorët vendas.

Për shembull, për të mbrojtur prodhimin vendas të shurupit të panjës, qeveria kanadeze mund të taksojë të gjithë shurupin e panjës që vjen nga jashtë, në mënyrë që të ruajë një çmim konkurrues për produktet kanadeze në raftet e dyqaneve ushqimore.

Efekti i tarifave doganore është i rëndësishëm për ndërmarrjet, pasi ato i bëjnë produktet e tyre artificialisht më të shtrenjta dhe, për pasojë, më të vështira për t’u shitur në vende të tjera. Për të mbetur konkurruese në këto tregje të mbrojtura, kompanitë e huaja shpesh duhet të sakrifikojnë fitimet për të kompensuar efektin e barrierave tarifore dhe për të ruajtur pjesën e tyre të tregut.

Tarifat doganore janë gjithashtu një mjet i fuqishëm politik për të ushtruar presion mbi qeveritë e huaja pa qenë nevoja për të hyrë në një konflikt të drejtpërdrejtë me to. Kjo është pikërisht ajo që po bën aktualisht presidenti Trump me Kanadanë, Meksikën dhe Kinën.

Sanksionet ekonomike të vendosura vitet e fundit nga qeveria kanadeze ndaj Kinës, Iranit apo Rusisë janë gjithashtu shembuj të përdorimit të mjeteve tregtare për të ndikuar në çështje ndërkombëtare.

Çfarë do të ndodhë tani?

Fillimisht, tarifat doganore të vendosura nga administrata Trump pritet të shkaktojnë një rritje të çmimeve të produkteve dhe mallrave nga Kanadaja në tregun amerikan. Në teori, Donald Trump shpreson se amerikanët do të blejnë më pak produkte kanadeze dhe do të orientohen më shumë drejt alternativave amerikane, nëse ekzistojnë të tilla.

Si pasojë, kompanitë kanadeze që shesin produktet e tyre në SHBA do të gjenden në disavantazh, jo vetëm në raport me produktet konkurrente amerikane, por edhe ndaj produkteve nga vende të tjera që eksportojnë në SHBA dhe që nuk janë subjekt i taksave shtesë nga Uashingtoni.

Nëse kjo situatë vazhdon për një kohë të gjatë, ajo mund të shkaktojë në Kanada humbje të vendeve të punës, mbyllje biznesesh, shtyrje investimesh, rënie të vlerës së dollarit kanadez dhe një ngadalësim të ndjeshëm të rritjes ekonomike.

Të hënën 3 mars, kryeministri i Quebec-ut, François Legault, vlerësoi se kjo ofensivë tarifore amerikane, nëse vazhdon për një kohë të gjatë, mund të çojë në humbjen e 100,000 deri në 160,000 vendeve të punës vetëm në Quebec.

Problemi me këto tarifa është se Shtetet e Bashkuara janë, në shumë aspekte, klienti ynë më i rëndësishëm, madje shpesh i vetmi. Provincat kanadeze eksportuan rreth 600 miliardë dollarë drejt SHBA-së në vitin 2023, që përfaqëson 79% të totalit të eksporteve të Kanadasë.

Duke qenë se Kanadaja po kundërpërgjigjet duke taksuar nga ana e saj produkte amerikane, kanadezët do konstatojnë menjëherë zhdukjen e disa produkteve nga raftet e dyqaneve, si për shembull verërat amerikane.

Gjithashtu, kanadezët mund të detyrohen të paguajnë më shtrenjtë për produktet e importuara nga SHBA, si ushqimet, makinat, produktet e manifakturës apo edhe ato që, edhe pse prodhohen në Kanada, përmbajnë materiale ose përbërës nga SHBA.

Kjo mund të nxisë inflacionin dhe të përshpejtojë rritjen e kostos së jetesës. Dhe e gjitha kjo, le të mos harrojmë, në një kontekst të humbjeve masive të vendeve të punës.

Cilët sektorë do të preken më shumë?

Sipas Exportation and Developement Canada (EDC), sektorët që do të pësojnë më shumë janë ata që lidhen drejtpërdrejt me zinxhirët e furnizimit shumë të integruar të Amerikës së Veriut midis Kanadasë, Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara.

Industria automobilistike - Automjetet e prodhuara në Amerikën e Veriut projektohen, prodhohen dhe montohen në të tre vendet njëkohësisht. Materialet dhe pjesët që përdoren në ndërtimin e automobilave kalojnë disa herë kufijtë gjatë procesit të prodhimit. Për shembull, motorët mund të prodhohen në Shtetet e Bashkuara, karroceria në Kanada dhe montimi përfundimtar të bëhet në Meksikë.

Industria e ndërtimit - Kanadaja furnizon një sasi të madhe të lëndëve të para dhe materialeve të ndërtimit, si druri i ndërtimit, për në Shtetet e Bashkuara, të cilat varen shumë nga furnizimet kanadeze. Përveçse do të dëmtojë industrinë tonë, tarifat doganore rrezikojnë të rrisin ndjeshëm kostot e ndërtimit në Shtetet e Bashkuara.

Industria e manifakturës - Sektori i prodhimit të mallrave, makinerive, produkteve elektronike dhe mallrave të konsumit varet në masë të madhe nga tregtia me Shtetet e Bashkuara. Tarifat doganore mund të rrisin koston e lëndëve të para dhe përbërësve, si dhe të ndikojnë negativisht në konkurrencën e këtyre produkteve në tregun amerikan.

Mineralet kritike - Kanadaja ka rezerva të rëndësishme të kobaltit, litiumit, nikelit, uraniumit dhe mineraleve të rralla, të cilat janë thelbësore për prodhimin e pajisjeve elektronike dhe teknologjive të pastra.

Sektori bujqësor dhe ushqimor - Kanadaja eksporton sasi të mëdha mishi, drithërash, produktesh të qumështit, potase dhe plehrash bujqësore në Shtetet e Bashkuara. Tarifimi prej 25% do të rrisë ndjeshëm çmimin e këtyre produkteve në tregun amerikan, duke dëmtuar njëkohësisht si prodhuesit kanadezë të bujqësisë, ashtu edhe konsumatorët amerikanë që kanë nevojë për këto mallra dhe plehra për prodhimin e tyre bujqësor. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në fitimin e kompanive agro-ushqimore kanadeze.

Kundërpërgjigjja e Kanadasë

Qeveria federale dhe provincat kanë disa javë që po punojnë për një kundërpërgjigje, e cila përfshin vendosjen e tarifave ndaj produkteve amerikane të importuara në Kanada. Qëllimi është të targetohen produktet dhe lëndët e para që kërkohen shumë në Shtetet e Bashkuara, si metalet, druri dhe mineralet.

Kundërpërgjigjja kanadeze do të përfshijë, në një fazë të parë, kundërmasa tarifore në vlerë prej 30 miliardë dollarësh, të ndjekura nga një valë e dytë me vlerë 125 miliardë dollarë.

Faza përfundimtare parashikohet të jetë një embargo ose një taksë e lartë mbi energjinë kanadeze, veçanërisht mbi eksportet e naftës dhe gazit natyror drejt Shteteve të Bashkuara, por aktualisht nuk është parashikuar ende që kjo masë të zbatohet.

Sipas Qendrës për Kërkime të Kongresit Amerikan, Kanadaja dhe Meksika sigurojnë 71% të importimeve amerikane të naftës bruto. Vetëm Kanadaja përmbush 60% të nevojave për naftë bruto të rafinerive amerikane.

Në planin diplomatik, shumë politikanë kanadezë janë shfaqur rregullisht në mediat amerikane dhe kanë zhvilluar takime me zyrtarë të ndryshëm të fqinjit jugor gjatë javëve të fundit për të theksuar lidhjet e ngushta që ekzistojnë mes dy shteteve dhe efektet e dëmshme që do të ketë kjo betejë tarifore nga të dyja anët e kufirit.

Një zgjidhje që është përmendur është lehtësimi i shkëmbimeve tregtare midis provincave për të kompensuar humbjet tregtare me jashtë. Provincat gjithashtu vendosin aktualisht barriera tarifore midis tyre për të mbrojtur tregjet dhe industritë përkatëse.

Heqja e këtyre barrierave për tregtinë e brendshme mund të ulë çmimet deri në 15%, të rrisë produktivitetin me 7% dhe të shtojë deri në 200 miliardë dollarë në PBB kanadez.

Dhe si qytetarë?

Si qytetarë, zgjidhjet më të lehta janë bojkotimi i produkteve dhe kompanive amerikane, preferimi i blerjeve lokale dhe mosinkurajimi i multinacionaleve amerikane, përfshirë ato të argëtimit dhe rrjeteve sociale, të cilat drejtohen nga persona afër administratës Trump.

Shumë kanadezë gjithashtu kanë anuluar pushimet e tyre në Shtetet e Bashkuara ose kanë hoqur dorë nga udhëtimi atje derisa klima mes dy shteteve të përmirësohet.

Për më tepër, qeveria federale dhe ato provinciale po përgatisin një program ndihme financiare për të ndihmuar qytetarët dhe për të mbështetur bizneset që do të jenë më të goditura nga beteja tarifore.

Burimi Radio-Canada

Foto: Radio-Canada/Patrick Morell