Kosovës i duhet qeverisje e gjerë dhe me konsensus - Nga Xhevdet Nasufi
- Nga: Xhevdet Nasufi - Maqedonia e Veriut
Përtej eksperiencave, por edhe mungesës së diversitetit madhor ideor, në Kosovë qeveria në ardhje do të duhej të jetë qeverisje e gjërë. Qeverisja e këtillë është e nevojshme, por jo edhe e domosdoshme, nëse i referohemi mentalitetit politik ballkanas dhe atij shqiptar në veçanti: Ambicie të mëdha për pushtet në njëren anë, abuzimi me pushtetin dhe pronën publike si substituim i vlerës së ndershmërisë dhe përgjegjshmërisë, në anën tjetër. Qeveria e mundshme në minorancë, e cila është mundësia reale që të pasojë zgjedhjet e fundit politike në Kosovë, me opozitë të gjërë dhe tejet kundërshtuese do të ketë handikap përballjen dhe sfidën me Serbinë e Vuçiçit. Kjo, sepse vetë marrëdhëniet gjeostrategjike në botë janë lëkundur me ardhjen në pushtet të Trampit, që ndjeshëm mund të prekë edhe interesat e Kososvës dhe shqiptarëve.
Miqësia me SHBA, tani e sforcuar edhe me BE duhet të ruhet, duhet të pasurohet (në politikë ka vetëm interesa të përhershme) dhe fisnikërohet fuqishëm, por nuk duhet harruar se Trampi gjeostrategjinë politike e zbaton edhe si “deal” biznesi, siç edhe u provuar në rastin e Gazës, xeheve në Ukrainë, por pse jo edhe me ndërtimin e hotelit Tramp në rrënojat e lokacionit të bombarduar nga NATO në Beograd që pretendon ta ngrejë Tramp Junior.
Në sensin më të mirë, qeveria e gjërë që do të duhej të krijohet në Kosovë është qeverisje që afirmon demokracinë konsensuale, rrit performancat e pluralizmit politik, forcon unitetin kombëtar dhe fuqinë e shtetit, aq të nevojshëm për Kosovën. Qeveria e gjërë është metodë e preferuar për të tejkaluar krizat në shtetet dhe shoqëri, është përballje me diversitetin madhor partiak në Kosovë, gjë që do të rriste autoritetin dhe performancat shtetërore në të gjithë këndvështrimet, në raport me Serbinë, por edhe me miqtë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tani në dyzim, edhe me Bashkimin Evripian.
Krizën e unitetit politik Kosova e ka vuajtur që nga pasçlirimi. Në ndërkohë ka prodhuar edhe çarje, jo gjithmonë pa arsye me SHBA, apo Evropën Atlantike, jo gjithmonë e drejtë në raport me Kosovën. Kjo edhe mund të amplifikojë negativisht në sigurinë edhe mirëzhvillimin e vendit, nëse qeverisja në vijim nuk do të reflektojë zgjuarësi shtetërore dhe kombëtare në raport me Serbinë, por edhe në raport me fuqitë relevante gjeostrategjike. Në këtë rrafsh, sidomos i rëndësishëm është konsensusi kombëtar për t’u kujdesur për mbrojtjen e vendit dhe kombit, sepse gjithnjë e më e qartësuar dhe e pranuar është teoria moderne e mbrojtjes dhe sigurisë, nëpërmjet elementit të forcës. Kuptohet, Kosova ka rrugëtimin e vetë në këtë rrafsh, e cila bashkë me aleancat politike dhe ushtarake që duhet të forcohen janë dhe mbeten jo vetëm preokupim parësor, por paralelisht edhe brengë gjithëshqiptare.
Qeveria e gjërë tradicionalisht përfshin shumë segmente të diversifikuara të politikës. Në Kosovë kjo mund të sigurohet nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në qeveri të këtyre segmenteve, por edhe nëpërmjet konsensusit politik të përcaktuar dhe destinuar për çështje me relevancë kombëtare dhe shtetërore. Në rastin e Kosovës, qeveria e gjërë është mundësia dhe fjalëkalimi për të sforcuar dy çështjet jetike madhore: Të rivendoset niveli i veçantë i bashkëpunimit dhe bashkëveprimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshi edhe Lobin shqiptaro-amerikan atje në njërën anë, por të mbyllet edhe shtetësia e Kosovës në raport me Serbinë dhe vetë Bashkimin Evropian, në anën tjetër. Është gabim të mendohet se këto objektiva arrihen pa unitet kombëtar në rrafshin politik, apo pa konsensus demokratik. Kosova do të kundërshtonte vetveten sikur proçesi i delegjitimimit të kundërshtarit politik të vazhdojë si deri tani në konfrontim, apo në demokraci autoritare të pakicës. Politika është veprimtari dhe atribut i interesit publik për të cilën ia vlen flijimi, ia vlen përkushtimi.
© Xhevdet Nasufi - Maqedonia e Veriut












