Nëse nuk kryhet rotacioni demokratik rënia e Kanadasë do vazhdojë - Nga Rob Kore

- Nga: Rob Kore - Toronto
Problemet me të cilat përballet një vend nuk është e vështirë të konstatohen. Gjithashtu nuk është e vështirë që përveç konstatimit të përcaktosh edhe arsyen pse janë krijuar.
Në Kanada problemet janë ekonomia e dobët, imigrantët e paligjshëm, kriminaliteti, shërbimi shëndetësor shumë i dobët (duhet të presësh muaj të tërë për një takim tek specialisti), problemet e shumta që ka sjellë globalizmi, sidomos wokizmi, sistemi i keq i DEI, konfliktet sociale etj., etj.
Pa analiza të gjata, me një shikim të shpejtë mund të pohosh:
-Ekonomia është keq sepse nuk është mbështetur biznesi. Përkundrazi, qeveria Trudeau e goditi vazhdimisht biznesin me taksa të larta dhe shtimin e taksave të reja. Bizneset që nuk mbijetojnë dot këtu largohen drejt SHBA. Gjithashtu politikat e këqia me tarifat kanë bërë të mundur edhe largimin e bizneseve në Kinë, Meksikë, etj.
-Imigrantët e paligjshëm lejohen qëllimisht të hyjnë në mënyrë të pakontrolluar. Kjo bëhet për arsye politike dhe për qëllime fitimi (korrupsioni).
-Kriminaliteti shtohet për shkak të ekonomisë se keqe, por në zonat kufitare edhe për shkak të imigrantëve të paligjshëm.
-Shëndetësia ka kosto të lartë. Ka mungesa të shumta mjekësh. Ky fenomen sjell vonesat e gjata në shërbimin shëndetësor. Çfarë bëhet për të ulur koston?
-Globalizmi ka shpërqëndruar vëmendjen e drejtuesve politikë nga këto probleme dhe ata merren me probleme dytësore dhe terciare, ka rritur paaftesine në drejtim, ka rritur si kurrë më parë korrupsionin, dhe e fundit, por jo nga rëndësia, ka dëmtuar rëndë demokracinë.
Kujtojmë veprimet diktatoriale të Trudeau me kamionistët, kujtojmë burgosjen (tip Sigurimi shqiptar) gjatë Covid të disa figurave të fesë, kujtojmë gjithashtu censurimin që Trudeau i bëri Facebook dhe mediave të tjera sociale, apo së fundi mbylljen thuajse gjashtë muaj të Parlamentit vetëm për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.
Që t’i zgjidhësh këto probleme duhen ide të reja.
Njerëzit që janë sot në pushtet në Kanada, janë ata të cilët i krijuan këto probleme.
Qeverisja e liberalëve të Trudeau konsiderohet si një nga më të këqiat në historinë e Kanadasë, ndërkohë që qeveria e mëparshme Harper, ishte ndoshta qeveria më e suksesshme në dekadat e fundit.
Kur ke shumë kohë në pushtet, fenomeni që ndodh është humbja e kontaktit me realitetin. Prandaj në një demokraci rotacioni është e vetmja formë përparimi. Kur ka një qeverisje të keqe nuk mendohet asgjë tjetër përveç rotacionit.
Edhe sikur të kesh dyshime për atë që do vijë, rotacioni është i domosdoshëm, sepse qeveria ekzistuese nuk ka asnjë mundësi ngritjeje, përkundrazi, rënia do vazhdojë.
© Rob Kore - Toronto