Kanada

Tarifat SHBA-Kanada: Ontario anulon kontratën me Starlink dhe ndalon alkoolin amerikan

  • Published in Kanada

Pas hyrjes në fuqi sot (04.03.) në ora 00:01 të tarifave 25% ndaj mallrave kanadeze, kryeministri i sapozgjedhur i Ontarios Doug Ford duke iu referuar viteve të studimeve të Elon Musk në Universitetin Queen’s në Kingston, u shpreh se miliarderi amerikan duhet të ndihet i "turpëruar" për sulmin ndaj vendit dhe provincës që "janë kujdesur për familjen e tij". Si kundërpërgjigje ndaj tarifave doganore të vendosura nga Donald Trump, Ontario ka anuluar kontratën e saj me kompaninë Starlink të Elon Musk, që është aktualisht një aleat i ngushtë i Trump. Po ashtu Ford theksoi se fajtori në këtë situate nuk është populli amerikan, por presidenti i fqinjit jugor.

Kryeministri i Ontarios pohoi para gazetarëve se nuk e di ende shumën e dëmshpërblimit që provinca do të duhet t’i paguajë Starlink për anulimin e kontratës gati 100 milionë dollarëshe, e cila do të siguronte shërbim të shpejtë interneti në disa rajone, por sipas tij, kjo është një çështje parimore. Ai njoftoi njëkohësisht se Korporata e Alkoolit të Ontarios (LCBO) do ta heqë alkoolin amerikan nga raftet e shitoreve të saj. Ford synon të vendosë edhe një tarifë shtesë prej 25% për eksportet e energjisë elektrike nga Ontario në Shtetet e Bashkuara, por ende nuk ka një datë të caktuar për këtë. Në të njejtën kohë, Ontario do të ndalojë kompanitë amerikane të marrin pjesë në tenderët qeveritarë dhe kryeministri ka paralajmëruar gjithashtu se do të vendosë një tarifë për mineralet kritike të provinces dhe nuk ka përjashtuar as mundësinë e pezullimit të eksportit të tyre.

Megjithatë, Ford pranoi se ndikimi i tarifave amerikane dhe kundërmasave kanadeze do të jetë i ashpër në Ontario, duke parashikuar që brenda 10 ditësh puna në uzinat e automjeteve do të ndalet plotësisht në të dy anët e kufirit. Ai premtoi ndihmë për punëtorët, ashtu si gjatë pandemisë, por pa dhënë detaje. Ndërkohë, gjatë fushatës së fundit zgjedhore të muajit shkurt, Konservatorët u angazhuan deri në 20 miliardë dollarë ndihmë për punëtorët dhe bizneset në rastin e aplikimit të tarifave. Nga ana e saj, liderja e opozitës zyrtare, neodemokratja Marit Stiles, i kërkoi kryeministrit Ford të mbledhë Parlamentin për të miratuar një plan të "Ekipit Ontario" kundër tarifave doganore.

Konfirmohet tashmë se si përgjigje ndaj tarifave doganore, Korporata e Alkoolit të Ontarios (LCBO) e ka hequr alkoolin amerikan nga raftet dhe nga faqja e saj e internetit si dhe ka pezulluar blerjet e alkoolit nga SHBA deri në një njoftim të dytë. "Faqja jonë nuk është e aksesueshme për shkak të kohës së nevojshme për të hequr produktet nga SHBA si përgjigje ndaj tarifave doganore të vendosura për produktet kanadeze", thuhej në mesazhin e sotëm në faqen e internetit të LCBO.

Masat e kundërpërgjigjes prekin pijet e forta, verërat, lëngje molle të fermentuara, birra, pije të gatshme për konsum dhe produkte joalkoolike nga SHBA. Restorantet, baret, dyqanet ushqimore dhe marketet e vogla nuk do të furnizohen më me alkool amerikan, pasi LCBO është importuesi i vetëm zyrtar i këtyre produkteve në province dhe sipas korporatës shtetërore, shitjet e alkoolit amerikan në Ontario arrijnë normalisht deri në 965 milionë dollarë në vit.

Shoqata e Mikrobirrarive të Ontarios (Ontario Craft Brewers Association) mbështeti plotësisht vendimin e qeverisë provinciale për të ndaluar alkoolin amerikan. Në një deklaratë, Shoqata theksoi se tarifat amerikane do të rrisin, ndër të tjera, çmimin e kanaçeve të birrës prej alumini dhe i bën thirrje LCBO të zëvendësojë alkoolin amerikan me birrë të prodhuar në vend.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: Radio-Canada/Evan Mitsui