Kolumnist

Kanadaja është e para - Nga Nador Bakalli

Nga: Nador Bakalli - Toronto

Sot shpallet dita e zgjedhjeve të parakohshme federale në Kanada. Ndërsa sondazhet na tregojnë një skenar të frikshëm - ringjalljen e një qeverisjeje të diskredituar liberale - ne si qytetarë kemi një zgjedhje për të bërë. Një zgjedhje që do të përcaktojë jo vetëm të ardhmen tonë, por edhe atë të fëmijëve tanë.

Kanadaja ndodhet në një udhëkryq kritik. Po përballemi me rrezikun më të madh për stabilitetin ekonomik, sigurinë dhe cilësinë e jetës sonë. Dhe ky rrezik ka dy emra: harresa dhe normalizimi.

Nëse harrojmë dhe normalizojmë atë që kanë bërë liberalët në dhjetë vitet e fundit - inflacionin e pakontrolluar, korrupsionin, taksat ekstreme, shkatërrimin e sistemit të emigracionit, kufijtë e hapur, krizën e pashembullt të varfërisë, kriminalitetin, 50 mijë vdekjet nga overdoza, 1/4 e fëmijëve që shkojnë të uritur në shkollë, 2 milion kanadezë që varen nga mensat sociale - atëherë kemi dështuar si shoqëri. Kemi dështuar si prindër dhe si komunitet.

Si shqiptaro-kanadezë krenarë, ne nuk mund të lejojmë që e njëjta paudhësi që na largoi nga vendi ynë të vijojë të na ndjekë edhe këtu. Na takon të hapim sytë dhe të reflektojmë: A jemi më mirë sot se dhjetë vjet më parë? A është Kanadaja më e sigurt, më e begatë, më e drejtë për të gjithë?

Nëse përgjigjja është jo, atëherë zgjedhja është e qartë. Nëse si komunitet nuk rreshtohemi kundër kësaj keqqeverisjeje, nëse e lejojmë të vazhdojë, atëherë jo vetëm fëmijëve tanë u kemi hyrë në hak, por edhe Shqipërisë. Sepse nëse krimi na rrezikon jetën dhe pasurinë dhe korrupsioni na qeveris edhe këtu, atëherë përse u larguam nga Shqipëria?

Por unë e dua pa kushte komunitetin tonë dhe besoj në fuqinë dhe zgjuarsinë e tij. Pavarësisht rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, shqiptarët kanë një shans historik të tregojnë se nuk janë indiferentë ndaj të ardhmes së tyre dhe të fëmijëve të tyre në Kanada.

Kur të vijë dita, le të zgjedhim një të ardhme më të mirë. Le të votojmë për një ndryshim të vërtetë. Si shqiptaro-kanadezë, le të mos harrojmë dhe të mos e normalizojmë kurrsesi të keqen!

Kanadaja është e para!

© Nador Bakalli - Toronto