Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 2 mars 2025

  • Published in Kanada

Charlottetown - Prince Edward Island

 

-Quebec, kryeministri Legault kërkon hetim publik mbi skandalin 500 milionë dollarë të platformës SAAQclic

-British Columbia, vidhen objekte me vlerë historike në Muzeun hekurudhor të Prince George

-Alberta, nën kërcënimin e tarifave qeveria provinciale parashikon tre vjet deficit

-Saskatchewan, Gjykata e Lartë u jep të drejtë Metisëve pë çështjen e detyrimit të konsultimeve

-New Brunswick, Gjykata e Lartë do marrë në shqyrtim ankesën për zëvendësguvernatorin njëgjuhësh

-New Foundland, jep dorëheqjen kryeministri Andrew Furrey

 

Quebec - Kryeministri François Legault kërkoi sot (02.03) nisjen e një hetim publik mbi "dështimin" e SAAQclic, platformës online të Shoqërisë së Sigurimit të Automjeteve të Quebec (SAAQ). "Si mund të arrihej deri aty sa të fillohej një projekt kaq i keqorganizuar? Ne duhet të kuptojmë pse dhe si ndodhi kjo për të mos përsëritur të njëjtat gabime në të ardhmen. Qeveria nuk do t’i shmangë përgjegjësitë e saj. Do t’i shkojmë deri në fund këtij procesi dhe do të analizojmë se çfarë nuk ka funksionuar ", shkroi Legault në një deklaratë në llogarinë e tij në X, duke theksuar se prioriteti i qeverisë së tij ishte që SAAQ të ofronte shërbime cilësore për publikun. Në kërkesën e tij, kryeministri kërkoi që propozimet e bëra nga partitë e opozitës të merren parasysh dhe që ky hetim të jetë i plotësuar nga puna e Kontrollores së Përgjithshme dhe Autoritetit të Tregjeve Publike. Kujtojmë që një hetim i jashtëm nga Ministria e Transportit gjithashtu është kërkuar nga ministrja Geneviève Guilbault, e cila gjithashtu ka kontaktuar Njësinë e Përhershme të Antikorrupsionit. Muajin e kaluar, Kontrolluesja e Përgjithshme e Quebec, Guylaine Leclerc, arriti në përfundimin se kalimi në formën digjitale i SAAQ ka dështuar në çdo aspekt. Në raportin e saj, ajo ka konfirmuar se kostot janë rritur me 500 milionë dollarë, duke arritur në 1,1 miliardë dollarë deri në përfundimin e implementimit të plotë, i cili pritet në vitin 2027. Po ashtu, disa informacione strategjike janë mbajtur të fshehura nga parlamentarët nga drejtuesit përgjegjës për krijimin e platformës. Këto informacione të paplota dhe të pasakta kanë minimizuar, madje fshehur, shkallën e problemit. Problemet e këtij projekti ishin ekspozuar publikisht një vit më parë, gjatë vënies në punë për here të parë të platformës SAAQclic. Difektet teknike shkaktuan radhë të gjata para sporteleve të kompanisë shtetërore dhe mbingarkuan shërbimin ndaj klientëve. Pas deklaratave të Kontrollores së Përgjithshëm, partitë e opozitës nuk vonuan të kërkonin dorëheqjen e ministrit të Ciber Sigurisë dhe Digjitalizimit, Éric Caire. Ky i fundit dha dorëheqjen të enjten e kaluar (26.02) dhe deputeti i CAQ Gilles Bélanger e pasoi atë menjëherë në këtë detyrë.

Guylaine Leclerc

British Columbia - Në Prince George, Brian Wich, një "i çmendur pas trenave", siç e përshkruan veten, është menaxheri i objekteve në muzeun Central Railway and Forestry. Së fundmi, muzeu u paralajmërua se një nga objektet e tij të çmuar, një sirenë e vjetër treni Nathan M5 Airchime, mund të vidhej. Brian Wich pohon për CBC se imazhe të objektit në fjalë qarkullonin në një server Discord në Shtetet e Bashkuara. Sipas rrëfimit të tij, "personi që e pa atë në internet i telefonoi një miku në Prince George, i cili është koleksionist, dhe ai menjëherë na lajmëroioi për të na paralajmëruar se sirena jonë mund të ishte në rrezik". Stafi i muzeut u përpoq menjëherë të çmontonte atë nga maja e një lokomotive, por nuk ia doli, pasi bulonat ishin të ndryshkur. Kur ata u kthyen të nesërmen me mjetet e duhura, konstatuan se sirena ishte vjedhur gjatë natës. Brian Wich konfirmoi gjithashtu se vitin e kaluar në muze janë vjedhur edhe dy sirena të tjera lokomotive. "Kemi pasur vjedhje të metaleve dhe sende të kësaj natyre në të kaluarën. Është pothuajse diçka e zakonshme, por jo diçka e tillë, sepse nuk ka asnjë vlerë si skrap. Këto janë vjedhje të kryera nga koleksionistë që dine çfarë kërkojnë". Për të zëvendësuar një M5 Airchime të re do duhen 5,000 dollarë, por vlera historike e sirenës së vjedhur është e paçmueshme. Ajo ka qenë prodhuar në Vancouver nga Burnett Chainsaw and Engineering Company për llogari të Holden, që më pas ia shiti Montreal Locomotive Works më 21 janar 1951. Për drejtorin e përgjithshëm të muzeut, Baptiste Marcere, kjo vjedhje përbën një humbje të madhe për historinë lokale. Ai shton se muzeu ka një rrjet të pasionuarish të trenave që po monitorojnë internetin për të gjetur sirenën e vjedhur. Njëri prej tyre është në Vancouver, ndërsa një tjetër është koleksionist nga Teksasi. Nga ana e saj Policia Federale Kanadeze (RCMP) në Prince George po heton këtë vjedhje dhe u ka kërkuar banorëve të jenë të vëmendshëm ndaj shitjeve të dyshimta në rrethet e koleksionistëve të trenave.

Alberta - Kërcënimi i tarifave doganore amerikane dhe pasiguria ekonomike në këtë kontekst e kanë detyruar qeverinë e Albertës të parashikojë një përkeqësim të financave të saj. Përditësimi më i fundit ekonomik parashikon një suficit prej 5,8 miliardë dollarësh në vitin 2024-2025, por buxheti i ardhshëm do jetë me deficit dhe do të mbetet i tillë për tre vjet. Megjithatë, ulja e premtuar e taksave do hyjë në fuqi këtë vit. Buxheti pritet të ketë një deficit prej 5,2 miliardë dollarësh në vitin 2025-2026. "Kemi marrë vendimin e vështirë për të pasur një deficit për të harmonizuar shpenzimet me prioritetet e qytetarëve", shpjegoi për CBC ministri i Financave, Nate Horner. Megjithatë, ai pranoi se ende nuk është parashikuar saktësisht se si do rikthehet ekuilibri buxhetor edhe pse korniza fiskale e vendosur nga qeveria provinciale kërkon rikthimin në ekuilibër pas tre viteve të deficitit aktual. Ky buxhet bazohet gjithashtu në supozime të pasigurta. Më pak se një javë përpara mundësisë së vendosjes së tarifave doganore, qeveria e Albertës, ashtu si homologet e saj, po lundron në një det të trazuar. "Procesi buxhetor ka qenë jashtëzakonisht i vështirë", pranoi ministri. Për këtë arsye, qeveria provinciale ka vendosur një skenar bazë me tarifa doganore prej 15% për shumicën e produkteve të eksportuara në Shtetet e Bashkuara dhe 10% për eksportet energjetike. Sipas ministrit Horner, ky skenar është më i arsyeshëm se ai i përmendur më parë nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili propozoi tarifa prej 25% për të gjitha mallrat dhe 10% për naftën dhe gazin kanadez. Edhe në këtë skenar, të cilin qeveria e konsideron të kujdesshëm, efektet mbi ekonominë e Albertës do të jenë të ndjeshme. Rritja ekonomike e Albertës do të jetë vetëm 1,8%, ndërsa shkalla e papunësisë do të mbetet e lartë, 7,4%. Nëse tarifat do të jenë më të larta, 15 000 vende pune do të suprimohen këtë vit dhe deri në 41 000 në vitin 2027. Buxheti parashikon një ulje të të ardhurave nga nafta me më shumë se 4 miliardë dollarë, kryesisht për shkak të një çmimi më të ulët të naftës për fuçi. Qeveria parashikon një çmim prej 68 dollarësh amerikanë për fuçi, që është më i ulët se çmimi aktual. Megjithatë, çdo ulje prej një dollar në çmimin e naftës, krahasuar me parashikimin e qeverisë, çon në një humbje prej 750 milionë dollarësh në të ardhurat e Albertës. Sidoqoftë, qeveria provinciale pret pak ndikim të tarifave në industrinë e naftës, dhe dobësia e dollarit kanadez pritet të ndihmojë në kompensimin e çdo efekti. Pavarësisht këtij konteksti ekonomik, qeveria provinciale do ofrojë një ulje taksash për albertanët, një masë e premtuar gjatë fushatës zgjedhore të pranverës 2023. Do krijohet një kategori e re tatimore, e cila aplikon një normë prej 8% për të ardhurat deri në 60 000 dollarë në vit. Kjo masë do zbatohet me efekt prapaveprues nga 1 janari, por albertanët pritet ta ndiejnë ndikimin e saj në pagat e tyre duke filluar nga 1 korriku. Qeveria pohon se kjo strategji do t’u kursejë tatimpaguesve deri në 750 dollarë në vit. Megjithatë, kjo masë do t’i kushtojë financave të provincës 1,2 miliardë dollarë.

Nate Horner

Saskatchewan - Gjykata e Lartë e Kanadasë hodhi poshtë apelimin e qeverisë provinciale dhe i dha të drejtë Komunitetit Metis të Saskatchewan në lidhje me detyrimin për konsultim për marrjen e një lejeje për shfrytëzimin e uraniumit. Kjo do të thotë se nuk ka pasur abuzim procedural nga ana e Komunitetit Metis të Saskatchewan, i cili kundërshton vendimin e qeverisë për t’i dhënë leje kompanisë NexGen Energy Ltd për të shfrytëzuar uranium në toka që Metisët pretendojnë. Nënkryetarja e komunitetit Metis të Saskatchewan, Michelle LeClair, e përshëndeti vendimin e Gjykatës së Lartë. Në janar 2022, Saskatchewan kërkoi nga Gjykata Mbretërore që të anulonte disa paragrafë që lidhen me të drejtat tregtare, duke përmendur abuzim procedural. Sipas qeverisë, këta paragrafë përmbanin një kërkesë identike me ato të dy proceseve gjyqësore të mëparshme. Çështja tani do të kthehet sërish para Gjykatës Mbretërore (gjykata e shkallë së parë) për të përcaktuar hapat e ardhshëm. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Malcolm Rowe, vlerësoi se "qeveria provinciale ishte e vetëdijshme për pretendimet mbi titujt autoktonë të paraqitura nga Komuniteti Metis". Ai sqaroi se ky fakt ishte "një element kyç në analizën e detyrimit për konsultim". Pra, edhe pse qeveria nuk i njeh zyrtarisht këto pretendime, ajo ka gjithsesi detyrimin të konsultohet me Komunitetin Metis. Gjykata e Lartë konfirmoi kështu vendimin e Gjykatës së Apelit të Saskatchewan, e cila tashmë i kishte dhënë të drejtë Komunitetit Metis në mars 2023. Edhe kryeministri i Saskatchewan, Scott Moe, reagoi ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë, duke u shprehur se "duhet të angazhohemi së bashku me popujt autoktonë për realizimin e konsultimeve". Moe theksoi se provinca ka bërë përparime të mëdha në këtë drejtim, por pranoi se ende mbetet punë për t’u bërë. Kryetari i Komunitetit Metis të Saskatchewan, Glenn McCallum, e përshëndeti vendimin e Gjykatës së Lartë. "Kemi arritur një marrëveshje të përbashkët se do të jetojmë së bashku në Saskatchewan dhe do të punojmë së bashku", tha ai. Megjithatë, McCallum shpreson që diskutimet të zhvillohen ndryshe nga e kaluara. "Presim me padurim hapat që do të hidhen, duke shpresuar që bashkëpunimi të zhvillohet në mënyrë më harmonike, për të qenë në gjendje të kapërcejmë mosmarrëveshjet", shtoi ai. Aktualisht Saskatchewan nuk kryen konsultime mbi pretendimet territoriale, por u njeh Metisëve të drejta për gjueti dhe peshkim për qëllime mbijetese, çka ka çuar në konsultime të kufizuara. Megjithatë, provinca argumenton Metisët nuk kanë asnjë të drejtë tregtare mbi këto toka. Gjyqtari Malcolm Rowe theksoi në vendimin e tij se "proceset gjyqësore duhet të lehtësojnë dhe jo të pengojnë, ushtrimin e të drejtave të popujve autoktonë".

Glenn McCallum

New Brunswick - Gjykata e Lartë e Kanadasë do të shqyrtojë apelimin e bërë nga Shoqata e Akadianëve të New Brunswick (SANB) në lidhje me emërimin e një zëvendësguvernatoreje njëgjuhëshe nga qeveria federale. Kërkesa për shqyrtim u pranua të enjten (27.02). Çështja daton që nga viti 2019, kur Brenda Murphy, një anglishtfolëse njëgjuhëshe, u emërua në postin e zëvendësguvernatores së përgjithshme të provincës. SANB pretendonte se ajo nuk e fliste frëngjishten mjaftueshëm mirë për të përmbushur siç duhet detyrat e saj në të vetmen provincë zyrtarisht dygjuhëshe të vendit. Në prill të vitit 2022, Gjykata Mbretërore (e shkallës së parë) i dha të drejtë organizatës dhe e konsideroi procesin e emërimit të Brenda Murphy jokushtetues dhe në shkelje të Kartës së të Drejtave dhe Lirive. Ky vendim nuk kishte në shënjestër Brenda Murphy si individ, por procesin e emërimit, gjë që shpjegon pse ajo vazhdoi të qëndronte në detyrë. Me këtë vendim, gjykata përcaktoi se qeveria federale kishte detyrimin të merrte parasysh karakterin dygjuhësor të veçantë të provincës. Ottawa vendosi ta apelojë këtë vendim, duke argumentuar se të drejtat gjuhësore garantojnë dygjuhësinë e institucioneve, por jo të individëve. Avokatët argumentuan se zëvendësguvernatorja e përgjithshme nuk është një institucion dhe nuk mund të kërkohet prej saj të jetë dygjuhëshe. Nga ana tjetër, avokatët e SANB kundërshtuan, duke theksuar se nuk mund të ndahet pozicioni dhe personi që e mban atë. Gjykata e Apelit e New Brunswick, gjykata më e lartë në provincë, më në fund i dha të drejtë Ottawa-s në maj të vitit 2024, duke deklaruar se ky emërim nuk shkelte të drejtat gjuhësore të frankofonëve. Gjykatësit pranuan se emërimi i një personi dygjuhësh do të ishte ideal, por jo i detyrueshëm. Pas këtij vendimi, qeveria federale u angazhua që zëvendësguvernatori i ardhshëm të ishte dygjuhësh, edhe pse vendimi konfirmoi se kjo nuk ishte e detyrueshme. Muajin e kaluar, Louise Imbeault bëri betimin si zëvendësguvernatore. Vendimi i Gjykatës së Lartë pritej me padurim nga SANB, e cila vendosi ta çojë çështjen në apel pas vendimit të Gjykatës së Apelit. Për kryetaren e SANB, Nicole Arseneau-Sluyter, ky pranim i shqyrtimit të apelimit është një lajm shumë i mirë për të gjithë akadianët dhe frankofonët e provincës. Ajo e pranon se emërimi i fundit i Louise Imbeault është një hap në drejtimin e duhur, por beson se duhet t’i shkohet deri në fund procesit gjyqësor për t'u siguruar që personat e ardhshëm të emëruar në këtë post të jenë dygjuhësh.

Newfoundland - Kryeministri i Newfoundland dhe Labrador, Andrew Furey, ka njoftuar dorëheqjen të martën (25.02) e kaluar. Ai është kryeministri i dytë i një province të Atlantikut që heq dorë nga detyra brenda më pak se një jave, pas largimit të Dennis King në Prince Edward Island. "Është koha të kaloj në etapë tjetër të jetës", deklaroi Furey gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin St. John’s. "Kjo punë ka qenë si një turn i panderprërë pesëvjeçar. Je gjithmonë në shërbim, nuk je kurrë në pauzë." Kryeministër i Newfoundland dhe Labrador që nga viti 2020, ai shprehu dëshirën për t'iu rikthyer ushtrimit të profesionit të mjekut dhe për të kaluar më shumë kohë me të afërmit e tij. "Familja ime dhe unë kemi vendosur që, sado emocionuese të jetë perspektiva e zgjedhjeve të reja, nuk mund të angazhohemi për një mandat tjetër të plotë", shpjegoi ai. Andrew Furey do të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësit të tij. Kryeministri i 14-të i Newfoundland dhe Labrador që nga bashkimi i provincës me Konfederatën Kanadeze në vitin 1949, pranoi se vendimi për largimin e tij vjen në një moment vendimtar, vetëm një javë para mundësisë së vendosjes së tarifave doganore amerikane prej 25% mbi produktet kanadeze. Megjithatë, ai mbetet optimist për të ardhmen e provincës së tij: "Ne kemi mbijetuar ndaj situatave më të vështira", theksoi ai. Përpara familjes së tij, anëtarëve të grupit parlamentar dhe dhjetra zyrtarëve, kryeministri në largim përmendi kontekstin në të cilin mori drejtimin e provincës: në kulmin e pandemisë COVID-19 dhe ndërsa tejkalimet e kostove të hidrocentralit Muskrat Falls rrezikonin të rrisnin çmimet e energjisë elektrike. Në dhjetor të vitit të kaluar, Andrew Furey arriti një marrëveshje në parim me provincën Quebec, që rrit çmimin e energjisë elektrike të blerë nga hidrocentrali Churchill Falls dhe hap rrugën për ndërtimin e hidrocentraleve të reja në lumin Churchill, në Labrador. Të martën (25.02.) kryeministri në largim e cilësoi edhe një herë marrëveshjen si "historike". Sipas tij, kjo është një bazë e fortë për të ardhmen e provincës dhe korrigjon gabimet e marrëveshjes fillestare të vitit 1969. "Energjia që kemi është energjia që i duhet të gjithëve", theksoi ai. Furey ka deklaruar qysh më parë se ai nuk është një politikan karriere, por megjithatë, njoftimi për largimin e tij i gjeti në befasi shumë vetë, përfshirë disa nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Zërat për zgjedhje të parakohshme qarkullonin që nga debati urgjent mbi marrëveshjen për Churchill Falls, në fillim të janarit. Kirurgu ortoped 49-vjeçar pasoi Dwight Ball në krye të qeverisë liberale të Newfoundland dhe Labrador në kulmin e krizës së COVID-19 në vitin 2020. Ai e udhëhoqi partinë e tij drejt një mandati të tretë radhazi në zgjedhjet kaotike të vitit 2021. Njoftimi i Andrew Furey-t inicion tashmë një garë për lidership brenda Liberalëve të Newfoundland dhe Labrador. Zgjedhjet në provincë janë parashikuar të mbahen 14 tetorin e ardhshëm.

Andrew Furey

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press/Paul Daly; Ottawa Tourism; Istock